Sot ka shumë njerëz në Shqipëri, e me gjasë edhe në trupin diplomatik që janë të gëzuar. Të gëzuar për poshtërimin publik që iu bë një burri 78 vjeçar, të cilit i morën një vulë të cilën dikur as e quante dhe të cilën siç thuhet dikur edhe arriti ta plaçkiste.

Janë të gëzuar për të gjitha arsyet e mundshme, por shumica nga urrejtja personale. Kryeministri i pari sepse sheh te Sali Berisha një pikë singulariteti të frikës patologjike që ka patur dhe të faktit se detyrohet sot të jetë sërish përballë tij, në të njëjtin nivel diskreditimi publik.

Të tjerët pas tij, sepse nuk duan dikë mes parave të vjedhura dhe drejtësisë, të cilën mund ta mbajnë më lehtë në kontroll dhe blejnë.

Ambasadorët që kanë nisur të shijojnë radhiqet e dështimit të tyre dhe poshtërimit që u është bërë në një skenë ku nuk u takon të hyjnë.

Por i vetmi që është gëzuar dhe ka fituar diçka është Lulzim Basha. Duke ndenjur, duke qeshur, duke rritur masën e vet si morr politik që ka përherë një kokë ku të nginjet.

Lexo po ashtu:  30 vjet marrëdhënie Shqipëri-SHBA; domethënia historike e momentit kyç në politikën e jashtme

Kryeministri ka qetësur frikën e vet, por e di shumë mirë se ky vendim, drejtësi nuk është dhe se deformimi i tij kalon si faturë e një kompromentimi të gjykatës. Mundet të mos reagojë askush sot, as nga BE-ja, e as nga ShBA-ja, sepse do thonë se opozitë ka, për sa kohë ka Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj, por garë Jo. Partitë janë organizime vullnetare, jo objekte për t’u legalizuar, ndaj është e qartë se kjo që ka ndodhur është katërcipërisht një atentat i pastër juridik.

Por të mos harrojmë se sot përgjegjës i kësaj që ndodhi është Sali Berisha, që po provon gjellën që gatoi vetë ndër vite. Është ai që e solli Lulzim Bashën, Alibejan e të tjerë. I mbrojti, i punoi, i drejtoi si manekinë duke injoruar jo vetëm ca parime bazë, por edhe nevojat jetike të një vendi për të patur të paktën një opozitë reale. Zoti Berisha ndërtoi fasadën e një opozite që e drejtonte vetë, për të humbur kështu rrugës timonin. E megjithatë ndëshkimi i tij politik i duhej lënë votës, jo gjykatës. Kush gëzon sot duhet të kujtojë procedurën e fletëve të votomit të kontestuara, apo thirrjet “hap kutitë ose largohu” për të kuptuar se çfarë do të thotë ta kalibrosh pluralizmin në gjykatë.

Lexo po ashtu:  Jo, Kosova nuk është një precedent për Nagorno-Karabakun

Dhe është vota e 14 majit që duhet mbajtur në krye të mendimit opozitar, që ka përballë vetëm një njeri, asgjë tjetër. Një kalbësirë politike që kutërbon më shumë sesa bëmat e një 78 vjeçari, ymri i të cilit tashmë është në domenin e ironisë së historisë.

Opozita ka detyrimin të përgatitet për zgjedhje, në formacionin më të përshtatshëm, qoftë edhe në formën e një symahie, për të dhënë mesazhin që mekanizmat e sistemit nuk mund të zhbëjnë prerogativën bazë të tij. Mandej, z. Berisha duhet të bëjë të qartë publikisht se nuk është ai emri që garon për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nëse nuk e pranon dot personalisht, përvoja duhet ta këshillojë se personi i tij është shndërruar në alibinë e fundit të atyre që nuk votojnë por që e urrejnë qeverinë aktuale.

Mjafton të shohësh se çfarë gazetarie e pështirë mobilizohet kundër tij për të kuptuar se deri ku janë të gatshëm ata që po zhvatin çdo gjë për të ecur me kartën “ne dhe Berisha”.

Lexo po ashtu:  BE-ja nuk mund të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë

Në fund z. Berisha duhet të largohet nga gara edhe pse nuk është më i përshtatshëm për atë detyrë, duhet të davarisë çdo hamendësim se ai do të jetë sërish në timon. Dhe duhet të jetë i qetë: kjo është fatura më e ndershme në botë, e krijuar vetëm prej tij. Përndryshe, Shqipëria ka probleme të mëdha përpara, nga ato që nuk janë njohur deri më tani. Kushdoqoftë Edi Rama, mbështetësit e tij ndërkombëtarë dhe partia e kriminelëve të Shqipërisë, monopolizimi i pushtetit në këtë pikë lë vetëm një rrugë reagimi efektiv./Skerdilajd Zaimi/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *