Kohëzgjatja e leximit: 4 minuta

Arbër Zaimi

Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.

☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.

Malli i parë i prodhuar në mënyrë industriale është libri, me ardhjen e shtypshkrimit dhe letrës në Europë nga fundi i shek. XV. Ky mall interesant mundësoi shpërndarjen e informacionit të standardizuar në masa të gjera popullore, aq sa s’qe përfytyruar deri atëherë. Libri i shtypur (e leximi masiv) shpejt u bë element i rëndësishëm historik, me efekt vendimtar për reformimin fetar të Europës dhe proceset e protestantizmit e shekullarizimit, por po aq me rëndësi për revolucionet industriale e politike që i hapën rrugë kapitalizmit, demokracisë dhe iluminizmit por edhe shumë fenomeneve të tjera të lidhura me modernitetin, përfshirë edhe kolonializmin e dekolonizimin.

Nga revolucioni i parë industrial prijëse doli Anglia me transportin e saj ndërkontinental me anijet avullore që sillnin lëndët e para në fabrikat ku me ndihmën e makinerive prodhohej tekstili e mallra të tjera. Por në revolucionin e dytë industrial prijëse u bë Prusia, e cila kishte ndërtuar një ekonomi “knowledge-intensive” të fokusuar te elektriciteti, industria kimike dhe ajo e metaleve. Hekurudha e metalurgjia po i zinin vendin për nga rëndësia avulloreve e tezgjahëve mekanikë. Avantazhi ekonomik solli peshë gjeopolitike, e në 1870 Prusia “e shkeli” Francën e cila kishte ushtri më të madhe por më të paarsimuar e të papajisur me teknologji të reja. Kjo fitore mundësoi bashkimin e shteteve gjermane rreth Prusisë – pra dituria masive e shndërruar në teknologji, industri e ekonomi ka jo vetëm pasoja afatshkurtra si fitorja e luftës, por edhe afatgjata si bashkimi bismarkian që në analizë të fundit i rezistoi edhe presioneve ndarëse të shekujve pasardhës.

Anglia nuk mund të reduktohej në spektatore të thjeshtë, e pikërisht në ato vite ministri britanik, Forsteri i drejtohej parlamentit duke thënë “komunitetet e qytetëruara po bashkohen e masa e secilës prej tyre matet nga fuqia; pra nëse duam ta ruajmë pozitën tonë mes kombeve të botës duhet të balancojmë vogëlsinë e numrave tanë (demografikë e territorialë) duke rritur fuqinë intelektuale të individëve tanë”. Kësisoj Anglia në fund të shek. XIX shpenzonte për arsimin publik po aq sa për flotën e saj detare, gjë që do kishte qenë e pamendueshme ca dekada më parë.

Lexo po ashtu:  Deklaratë publike nga 'VLEN': Historia e Kosovës nuk rishkruhet me akuza, shpresojmë në lirinë e ish ushtarëve të UÇK-së!

Shpërthimi masiv i leximit e alfabetizimit pollën industrializimin dhe teknologjitë që vijnë me të. Në rrafshin ushtarak ndikoi në krijimin e doktrinës së ushtrisë kombëtare dhe zhdukjen e ushtrive mercenare. Në rrafshin politik solli dominimin e shtresës së mesme (borgjezisë) dhe muzgun e aristokracisë. Solli rënien e manastirit dhe ngritjen e universitetit, rënien e përvojës mistike e vizioneve iluzive a deluzive dhe ngritjen e eksperimentit dhe faktit.

Sot leximi është shpallur i paleverdisshëm. Letërsia, filozofia, humanitetet – dokrra hini. Teknologji të tjera duket se mundësojnë prodhim masiv pa pjesëmarrjen e njeriut – kjo shpjegon rishfaqjen dhe rivlerësimin e artizanatit (handmade). Luftë dronash, pa nevojë për pjesëmarrje masive ushtarësh të rekrutuar e të indoktrinuar nga gjiri i kombit, kjo shpjegon rishfaqjen e mercenarizmit si biznes i korporatizuar i luftës. Teksa shtresa e mesme po bie në demografi e në peshë politike, nuk po kthehet aristokracia e vjetër, por një klasë e re dhe e pakushtetuar super-të pasurish ushqen publikun me gossip teksa ndërton kala nëntokësore në ishuj e male ndoshta për t’i rezistuar ndonjë lufte a trazire a katastrofe klimatike. Fakti e eksperimenti po izolohen në qarqe të përzgjedhura dijetarësh, teksa masat po jepen pas iluzioneve psikosensuale të krijuara nga AI e të përforcuara nga tregtimi i substancave të llojllojshme. Mesatarizimi e rënia e universitetit nuk po zëvendësohet nga rikthimi i feve të kushtetuara e të reformuara, por nga propagandistë konfliktesh qytetërimore. Shtypi, shpërndarja e informacionit të redaktuar e të standardizuar nuk është më asgjëkundi, në Shqipëri e Kosovë nuk ka më gazeta. Ka vetëm portale, ku botohen tekste të paredaktuara jo vetëm në sensin gjuhësor por sidomos në sensin kuptimor, qytetërimor e politik. Lajmet zëvendësohen nga titujt, informimi nga sensacioni, vetëdija qytetare sloganizohet. Libri ende shtypet, por gjithnjë e më shumë si mobilje ornamentale.

Lexo po ashtu:  Në kujtim të 174-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit

A është kështu kudo në botë dhe a është oraliteti realiteti i ri e i pashmangshëm? Jo.