Sot e kam ndjekur me vullnet dhe deri në fund farsën që një pjesë e rëndësishme e Partisë Demokratike zhvilloi në Pallatin e Kongreseve.

Vullneti duhej për të përballuar atë paradë falsiteti, ndërsa kohëzgjatja për të parë se kush do të ishin aktorët e saj.

I armatosur me këtë këmbëngulje kurioze për të vëzhguar se deri ku mund të shkojë zhbërja e dinjitetit njerëzor, i pashë fjalimet një e nga një.

Shumë nga ata që u ngjitën në tribunë thoshin gjëra të vërteta, për menyrën sesi Berisha e ka sunduar me dorë të hekurt partinë, se si ai ka eleminuar kundërshtarët, madje edhe se si ua ka bërë peshqesh me metoda antidemokratike Lulzim Bashën.

Po të ishe dikush që nuk i njihje rethanat dhe sfondin e kësaj ngjarjeje mund të entuziazmoheshe nga aftësia e një force politike për të bërë katharsis apo ndjenja e përgjegjësisë për të parë me sy kritik të shkuarën.

Edhe qëndrimet pro-Basha, sado që personalisht nuk besoj më se ai ka më një të ardhme politike, mund të justifikoheshin. Askush nuk ka pse i paragjykon ata që besojnë se Luli mund të ndryshojë, se tani që i dha fund dualizmit, mund të bëhet vërtet udhëheqës, se pas ndarjes nga mëkatet e së shkuarës, ai ka shansin të imagjinohet si fitues i mundshëm.

Lexo po ashtu:  Policia është e Kosovës

Pra, thënë shkurt edhe ata që numëronin mëkatet, hipokrizinë dhe krimet e Berishës ishin në të drejtën e tyre edhe të tjerët që donin të ëndërronin një Lulzim të rilindur, nuk kishte arsye pse të paragjykoheshin.

Por, të dyja këto flukse kishin një problem të madh. Jo për atë që thonin, por për mënyrën se si silleshin. Jo për hosanatë apo kritikat, por thjesht për numrat.

Sepse të gjithë së bashku, ata që qenë në atë sallë, aktruan rolin qesharak të të qenit shumicë. Të ndërgjegjshëm se nuk bësheshin bashkë më tepër se dy mijë vetë, ata ngrinin si bagëti kartonat e tyre jeshilë, pa drojen se po merrnin pjesë në një manipulim. Të vetëdijshëm se partia reale po votonte në qendër dhe provincë kundër prijësit të kësaj tragji-komedie, ata pranonin të shkelnin mbi dinjitetein e tyre duke u bërë thërmija të një realiteti virtual.

Nuk kishte gjë më qesharake të shikoje se me ç’lehtësisht ata demokratë e trefishonin unin e tyre. Nuk kishte skenë me komike sesa të vëzhgoje të vetëndjerin e tyre si një mazhorancë prej 5004 vetësh.

Lexo po ashtu:  Ganimete Musliu, si s’të vjen turp ta ofendosh vajzën 7 vjeçare të Albinit?!

Por aty nga mbarimi i këtij ekspertimenti vetë torturues, që më shtynte të duroja për të kuptuar deri në fund, se deri në ç’humnerë mund të degradojë dinjiteti njerëzor, papritmas më kapi një trishtim i madh. Ata njerëz që po vëzhgoja si kavie sociale të veseve më të këqia të shoqërisë sonë, ishin në fakt shumë më tepër sesa kaq. Shumë prej tyre qenë opozitarë të kahmotshëm. Një pjesë deputetë të porsazgjedhur që edhe për katër vite me radhë do të duhej të mbanin mbi supe peshën e rëndë të betejës me regjimin kleptokratik.

Pasi i kishin parë si aktorë të kësaj farse kush mund ti besonte më këtej e tutje atyre? Pasi i kishin ndjekur se qenë të aftë ta shumëzonin veten me tre, kush nga publiku do bindjej nga shifrat që ata do të jepnin për grabitjet e Edi Ramës në tendera dhe koncesione?

Pasi i kishin përqeshur duke u hequr si shumicë kush do i vinte veshin kur të thërrisnin se Rilindja qenkësh minorancë në këtë vend?

Lexo po ashtu:  Opsioni i “paqes” apo “guri i varrit” në Ballkanin Perëndimor

Kjo pra qe drama e vërtetë e asaj që ndodhi këtë të shtunë në Pallatin e Kongreseve. Jo ajo çfarë u tha, por pafytyrësia për tu hequr ajo çka nuk je. Lulëzimi i kësaj hipokrizie demokratikase qe goditja me e rëndë që iu dha opozitarizmit./LAPSI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *