Donald Trump Jr., djali i kandidatit republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka organizuar një darkë pune me biznesmenë nga Serbia më 23 shtator në Beograd, është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë.

Sllavko Cariq, ish-kryetari i bordit ekzekutiv të Erste Bank, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka marrë pjesë në darkë, ku, sipas tij, temë ishin “investimet dhe atraktiviteti i mjedisit të biznesit në rajon dhe në Serbi nga perspektiva e investitorëve nga Shtetet e Bashkuara”.

Sipas tij, u diskutua lidhur me atë se “cilat janë ngjashmëritë dhe dallimet e investimit në rajonin e Evropës Juglindore dhe në SHBA, cilat janë avantazhet e këtij rajoni dhe si të realizohet potenciali i plotë në bashkëpunimin e ndërsjellë biznesor”.

Partnerja e Donald Trumpit Jr, Kimberly Guilfoyle, publikoi në Instagram një fotografi të tyre nga darka në Beograd.

Trump Jr., është nënkryetar ekzekutiv në Trump Organization.

Në këtë kompani përfshihen qindra firma dhe partneritete që zotërojnë ose menaxhojnë ndërtesa biznesi, hotele, kulla rezidenciale, klube golfi, të drejta të markës, marrëveshje të licencimit dhe pasuri të tjera në mbarë botën.

Lexo po ashtu:  9 fjalë të përdorimit të zakonshëm që ua dedikojmë 9 shkrimtarëve

Trump Jr. gjithashtu merr pjesë dhe mbështet babanë e tij në fushatën presidenciale për zgjedhjet e nëntorit.

Ai dëshmoi në një gjykim më 2023 kur familja Trump u akuzua për vepra penale të lidhura me tatimet. Akuzat përfshijnë edhe mashtrimin tatimor dhe falsifikimin e dokumenteve të biznesit.

“Trump Organization”, sipas aktakuzës, kishte ekzagjeruar pasurinë e tij dhe ka falsifikuar të dhënat e biznesit.

Në gjykim, Trump Jr. tha se nuk kishte punuar në raportet financiare të fushatës, ka raportuar BBC.

Djali më i madh i Donald Trumpit kishte marrë pjesë edhe në fushatën presidenciale të babait të tij më 2016.

Ai u mor në pyetje nga Senati amerikan lidhur me hetimin e përfshirjes së supozuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Trump Jr. u takua në qershor të vitit 2016 me avokaten ruse, Natalia Veselnitskaya, pasi iu tha se ajo mund t’i ofronte informacione komprometuese për kundërshtaren e atëhershme të babait të tij, Hillary Clinton./Radio Evropa e Lirë