-Djalit –

… Pra, bir, mos qaj: ky është ligji e qënies
Të vijë rrotull dhe të kthehet rishtaz
Përbrenda gjirit të amës së amëshuar
Të mosqënies.

Ku janë ata që patën qënë? Shkuan
Atje ku qenë ? lanë prapa tyre
Një tingull në erë, shuar dalngadalë,
Si çdo qënie.

Nga shtati i tyre ngjizet rishmë jeta
Që duhet rrojtur: mbajtur, vojtur, falur
Kur çasti i madh troket në derën tonë
Urdhëronjës.

Koprace është jeta në të mira
Dhe dorëhapur gjëmash dhe mënxyrash ?
Të gjitha duhen hequr dhe duruar
Zemërkthjellët.

Unë rrethin tim e mbylla keq a mirë,
Si vdekëtar i thjeshtë hallkë e lidhur
Dhe shkoj i velur hojesh dhe sherbelesh
Pa keqardhje.

Do rroj, shpresoj, ca kohë, brenda teje
Se kjo ka qënë ëndrra ime shpirtin
Tim trashëgim të ta le pas vdekjes
Siç e mora.

Vazhdo dhe ti të jetës shteg, të shkruar:
Të larta mos lakmo se shtypës bëhesh
As poshtë shumë mos rrëshqit, se shtypesh,
Qofsh i lumtur!

Tiranë, 2 mars 1967

Lexo po ashtu:  Dostoevsky: Shumëkush e tregon veten si në pëllëmbë të dorës kur qesh

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *