Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka prezantuar buxhetin për vitin 2024.

Kurti ka bërë të ditur se buxheti i shtetit për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

“Do të jetë buxhet i mbrojtjes dhe sigurisë ku kemi ndarë 370 milionë euro ose 22% më shumë sesa aktualisht. 153 milionë euro për ministrinë e Mbrojtjes dhe 216 milionë euro për MPB-në”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka shtuar se ushtrisë dhe policisë në vitin e ardhshëm do t’i shtohen 600 ushtarë dhe 500 rekrutë të rinj.

“Ushtrisë tonë të cilës ia kemi rritur buxhetin për më shumë se dyfishi që kur kemi ardhur në qeverisje dhe numrin e ushtarëve për më shumë se 2/3 do t’ia shtojmë 600 ushtarë më shumë në vitin e ardhshëm. Policia jonë që ka 850 policë të rinj gjatë qeverisjes tonë, vitin tjetër do t’i ketë edhe 500 rekrutë të tjerë dhe 21.7 milionë euro për investime kapitale ose 9 milionë euro më shumë sesa këtë vit”, tha Kurti.

Lexo po ashtu:  Pakti i Mynihut është zero - marrëveshjet negociohen  nga qeveria dhe jo nga të tjerë

Ai shtoi se buxheti i vitit 2024 do të jetë prioritet po ashtu edhe për nevojat e qytetarëve për një ekonomi të fortë, me ma shumë vende të punës, shëndetësi gjithëpërfshirëse, arsim të zhvilluar e sundim të ligjit.

“Gjatë 32 muajve të mandatit tonë ekonomisë iu shtuan 60 mijë vende pune ku gjysma e të punësuarave janë të rinj e të reja nën moshën 25 vjeçare. Vetëm përmes superpunës për 8 muaj janë punësuar mbi 7 mijë 700 të rinj mes moshës 18-25 vjeç. Për të nxitur punësimin në sektorin privat në buxhetin e ardhshëm kemi ndarë 29 milionë euro për masat e punësimit. Në sektorin publik koeficienti i pagave për vitin e ardhshëm do të jetë 110 euro”, u shpreh Kurti.

Ai shtoi se ShSKUK-së i është shtuar buxheti për 25 % kurse për shëndetësinë si sektor në tërësi kanë ndarë mbi 340 milionë euro, përfshirë edhe grantin për komunat.

“Sektorin e arsimit do ta mbështesim me 370 milionë euro apo 20% më shumë sesa vitin 2023. Ministrisë së Drejtësisë ia kemi ndarë 31% më shumë buxhet. 95 milionë euro kemi paraparë për mbështetjen nënave lehona dhe fëmijët nën 16 vjeç. Për vitin tjetër gjithashtu ndamë 14 milionë euro për banimin social, 11 milionë euro për blerjen e objekteve të ambasadave dhe 65 milionë euro për bujqësi”, tha Kurti.

Lexo po ashtu:  “Nëse mendon se askujt nuk i intereson nëse je gjallë, provo të mos paguash dy muaj fatura”. - Shprehjet për paranë nga politikanë, filozofë, aktore e milionerë

Kryeministri theksoi se 860 milionë euro do të shkojnë vetëm për investime infrastrukturore.

“Vetëm për MKRS kemi ndarë 58 milionë euro për investime kapitale për vitin që po vjen. Buxheti i komunave do të jetë 742 milionë euro. Gjithashtu edhe Luginës së Preshevës ia kemi shtuar 1 milionë euro, pra nga 2 milionë sa ka qenë buxheti për ta tashmë do të jetë 3 milionë euro”, tha Kurti.