– PLESHTI

1.
Pleshti me xixëllonjën,
ra në dashuri,
Pleshti xhuxh,
dhe i zi.
Dhe filloi akoma të ligej,
Dhe filloi akoma të nxihej.
I ati e shihte,
e bëhej vrer:
– Pse djalit shëndeti s’i merr ?

2.
Një natë i tha
ngadalë në vesh:
– Ç’të dhemb,
o djali im plesht?
Nuk fliste
pleshti-bir,
Nga xhami bënte sehir….
Bënte sehir,
xixëllonjën e bukur,
Mërzia në gjoks i ish futur.
I ati pranë – në bisht,
I biri pranë – në bisht ,
Hiç!
-Oi, më lojti menç djali,
Po tretet së gjalli!
Folë një fjalë,
o bir,
Eh, vuan e bën sehir!
Ai hiç,
Në bisht!
– Ç’ke?!
O biri im plesht,
Pse hesht?

3.
Dhe biri-plesht
me sy nga xhami tha :
– Baba,
o baba!
– T’u bëftë babai,
o biri im plesht,
Thuaja babait në vesh!
– Baba,
o baba,
Pa shih
atje lá !
Pleshti-baba,
e kuptoi menjëherë
Dhe hop në derë
-A, ti dashke xixëllonjën,
Ta sjell,
sa të hapësh gojën!

4.
Dhe pleshti-baba,
shkoi,
në dyzet shtëpi,
– Im bir ka rënë me xixëllonjën
në dashuri,
Të mblidhemi,
të bëjmë kuvend,
Im bir për nuse,
po mbetet pa mend !

5.
Dhe dolën
nga vrima e postiqe e tesha
Treqind pleshta e pleshtesha
Dhe thane:
-Oi, o më i miri i pleshtave,
Do shkojmë,
Ta gjejmë nusen,
vreshtave.
Ne,
mblesët-pleshta,
s’të lëmë të vuash ,
Mjaft që nuse të duash.
Ku gjen ajo një djalë,
si ti topolak,
Që hidhet,
hop në prak;
Ku gjen ajo një burrë,
aq namusqar,
Akrobat,
kërcimtar!
Ku gjen ajo një burrë,
që di kaq valle,
që ka fituar
në tri festivale,
Që ka marrë
Tri herë çmimin e parë!…

Lexo po ashtu:  Pse në ditët e sotme nuk po lexohet? Çfarë po ndodh me ne?

6.
Dhe u nisën
në vreshta
Treqind mblesë-pleshta!
Hopa,
Hopa,
Në driza, në shqopa!
Hopa,
Hopa ,
Në brazda,
në gropa,
Në sheshe,
në vreshta
Treqind mblesë-pleshta!
Merrja këngës,
plesht,
Mos hesht!
Të hapet kënga pleshtore
Në lugje,
bregore:
“Ne jemi pleshta
Ne s’kemi eshtra;
Përpara!
Ne-elastikë
Ne s’kemi frikë
Përpara!
Për kërcimtarin,
Nusen ta marrim.
Përpara!
Një xixëllonjë
Gosti do shtrojë,
Përpara!
Ne jemi mblesë,
Ta shohim nesër,
Përpara!
Një xixellojë
Do bëhet zonjë,
Përpara!”

7.
Dhe u takuan
me treqind xixo e xixëllonja
– Plesht,
thoja!
Dhe tha
më i vjetri nga pleshtat:
– E dini pse erdhëm
në vreshtat?
Ne duam
të bëjmë krushqi,
Më i miri i pleshtave ka rënë
në dashuri,
Ka rënë në dashuri,
e nuk ha
e nuk pi.
Ka rënë në dashuri,
me çupën tuaj
E hop vuaj!
Ai është më i miri i pleshtave,
Ai është armik i gënjeshtrave
Na thanë
se çupa juaj
është e ndershme.
Dhe ruan
ca zakone të hershme
Ne djalin e kemi xhevahir
dhe shumë nikoqir,
Dhe di kaq valle,
Dhe ka fituar,
në tri festivale,
Dhe ka marrë
tri herë çmimin e parë
E dimë
se çupa juaj,
e rritur në bregore,
Do jetë e denjë
për vatrën pleshtore,
Do jetë më ngrohtë në postiqe
se sa në vreshta,
Gëzim do ketë,
se ne jemi pleshta
Dhe hidhemi,
hop
Bromp.
S’më bie të mburrem,
se jam modest,
Po ju e dini,
se ç’domethënë
plesht.
Kështu tha më i vjetri i pleshtave
Dhe hop,
kërcyen treqind pleshta
vreshtave
Dhe përr-përr-përr,
fletët
Në vreshtët…

Lexo po ashtu:  Shpella e Dragobisë

8.
Treqind xixo e xixëllonja
dëgjonin
Dhe treqind mblesët-pleshta
përgjonin.
Atëherë u ngrit e tha
më i vjetri xixo
në vreshta:
-Falemi nderit,
o pleshta !
Besoj
se djalin e keni topolak,
Por pi gjak!
Më mirë ju pyesni nusen,
se ç’thotë,
Se fjala ime,
do jetë e kotë.
Ne s’japim,
e s’marrim
me mblesëri,
Ne japim,
e marrim,
Me dashuri!…
Më i vjetri xixo
thirri nusen
e tha:
– Më i miri i pleshtave,
me ty ka shtënë
sevda,
Dhe treqind mblesët-pleshta
e mbajtën vesh
Xixëllonjën..
– Plesht?
S’dua t’ia shoh
bojën!
Unë kam xixon tim
Në fluturim!
Dhe xixon tim,
E dua,
Një plesht,
s’i vjen gjer në thua!
More vesht,
Plesht?

9.
Treqind mblesët-pleshta
Në vreshta,
Me treqind xixot,
u zunë me fjalë
– Na falni,
po qenki imoralë;
Ju s’paski,
zakone me kripë,
Se s’paski cipë!
Dhe ikën,
mblesët-pleshta
Nga vreshta
Hopa,
Hopa,
Në driza,
në shqopa,
Hopa,
Hopa,
Në brazda
në gropa!
Dhe këngë s’këndonin,
po shanin
Dhe nganin:
Hopa
Hopa
Në sheshe,
Në vreshta
Treqind mblesë-pleshta !

Lexo po ashtu:  Nëse e keni këtë bimë në shtëpi, gëzohuni…shëron plot sëmundje

10.
Dhe erdhën te dhëndri,
tym
Të zinj,
si gjym.
Të treqindët u shtruan
në postiqe,
I thanë të parit
Hiqe!
Hiqe llafin
nga goja
Ç’na tha xixëllonja!
Dhe tha i pari:
-Oi, o më i miri i pleshtave
Mos u marto me atë
që bredh vreshtave,
Ajo njëzet e ca burra
ka ndarë
Ajo njëzet e ca burra,
Ka marrë
Ajo farmak e ka gojën
Dhe tha se pleshtit s’ja shoh dot bojën!
Kur dëgjoi pleshti – baba u nxeh:
– Deh!
Një zuskë
që bredh vreshtave
Të shajë sojin e pleshtave?
Kur dëgjoi pleshti-bir
– Firr!
Baba-plesht,
Mos hesht!
Ta kapim,
Barkun t’ja hapim!
Tha pleshti-bir
Dhe hop
Në shkop!
– Plesht-bir
Bëj sehir!
Tha pleshti-baba
Dhe hop në tra!

11.
Dhe u nisën
Të kapnin xixëllonjën
Që s’donte t’ua shihte,
bojën,
Që shau
në vreshta
Treqind mblesë-pleshta !
Plesht-bir,
Plesht-baba
Nga!
Ndërkohë,
ra një shkëndijë
nga një oxhak
Dhe hop
pleshti-bir
Topolak
– Baba-plesht,
e kapëm xixëllonjën
Që tha se s’donte
të na shihte bojën…
Baba-plesht.
Bir-plesht.
Hop
Në shesh!
Plesht,
Qesh!…
Por ajo s’ish xixëllonjë,
po shkëndijë oxhaku,
U dogjën pleshtat,
biri dhe plaku
Plesht,
Hesht!
Hop,
Top!

Dritëro Agolli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *