Opozita është shprehur e shqetësuar me çështjet brenda draft-statutit të Asociacionit që krijojnë kuptime të ndryshme, të cilat i ngriti presidentja Vjosa Osmani. 

Nga Presidenca, shqetësimi për çështjet me dy kuptime brenda draft-statutit të Asociacionit është bartur edhe te partitë opozitare.

Pas presidentes Vjosa Osmani e cila kërkoi që ato çështje të eliminohen, për aspekte shqetësuese ka folur edhe kryetari i AAK-së.

Sipas Ramush Haradinajt i cili thotë se e ka lexuar draftin, qytetarëve u nevojitet transparencë, e jo fshehje të informacioneve prej tij.

“Një shqetësim është në preambulën vet, thirrja në rezolutën 1244, shqetësim është një lloj ndarje e pushtetit në shëndetësi, pastaj është shqetësuese edhe situata e një mekanizmi, trupe ndërmjetësuese në rast të kontesteve mes Asociacionit dhe institucioneve tjera”, ka thënë Haradinaj.

Udhëheqësja e shtetit foli për 2-3 çështje që duhet të sqarohen, mirëpo në LDK thonë se i tërë dokumenti është i ndërtuar mbi dykuptimësi.

Atë, nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri e quan ambiguitet konstruktiv, kundër të cilit thotë se presidentja është dashur të reagojë qysh në kohën e marrëveshjes së shkurtit dhe asaj të marsit. Kjo pasi, Haziri vlerëson se përmbajtja e draftit është produkt i këtyre marrëveshjeve.

Lexo po ashtu:  Refuzimi i Kurtit sjell Lajçakun sërish në Prishtinë

“Ne kemi pritur që marrëveshja por edhe draft-dokumenti me qenë kristal i qartë që nuk është natyrisht, që duhet në përmbajtje, në formë, organizim, të mos ketë kamuflim, dykuptimësi dhe çështje që i kemi gjetë aty në këtë dokument, dhe e treta, jo më pak e rëndësishme reagimet e vonshme mund të ndikojnë vetëm në mbjelljen e frikës të qytetarëve”, ka thënë Haziri.

Aktualisht, Haziri e sheh vështirë të arritshëm përmirësimin e draftit në të mirë të Kosovës.

Ndërsa, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, Enver Hoxhaj, vlerëson se negociatat ndërtohet në parimin e dykuptimësisë, por sipas tij, realiteti nuk mund të jetë i tillë.

“Nuk ka proces politik, prandaj edhe unë nuk dua që të lëshohem dhe të them pajtohem apo s’pajtohem me shqetësimet e presidentes për këto dy-tri paragrafe sepse ne nuk kemi të bëjmë me ndonjë shkrim të shenjtë i cili ka humbur para dy vjetësh. Znj. Osmani do të duhej t’u tregojë qytetarëve të Kosovës çfarë ka pranuar, z. Kurti duhet t’u tregojë qytetarëve të Kosovës çfarë kanë pranuar”, ka thënë Hoxhaj.

Lexo po ashtu:  DW/ Mungesë dramatike infermierësh në Gjermani

Çështjet me dy kuptime brenda draft-statutit, presidentja Osmani ka kërkuar që të eliminohen tani ose pasi dokumenti të shkojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese./RTV Dukagjini/