Eriona Hajdari

E çuditshme me i pa burrat kaq të organizum për me folë, e për me realizu një të drejtë të grave. Kjo nuk ka ndodhë ndonjëherë në vendin tonë, në asnjë situatë, edhe në ato më të vështirat për gratë.
Vesçse në tërë këtë diskutim për të drejta, duhet me pasë parasysh që standardet e dyfishta janë të padrejta. Nuk mundesh me u thirrë në të drejta për disa grupe, e me i kundërshtu me zell e fanatizëm për grupet tjera. Nuk mundesh për disa prej tyre me mohu çdo nen e dispozitë të cilitdo dokument shtetëror, e për disa të tjera me i citu ato. Nuk mundesh për një të drejtë të grave me e ngritë zërin, e për të drejtat e tjera që u takojnë atyre, por që në ndonjë mënyrë i cënojnë interesat e disave, me heshtë, e mos me i shty përpara.
Janë të ulëta përpjekjet e pasinqerta, ndërsa është për keqardhje që në tërë këtë diskutim kinse për gratë, ato vazhdojnë të nënçmohen e të ofendohen, ndoshta nga padituria, më tepër nga dashakeqësia.
Do ishte mirë, që secili me kuptu që nuk janë burrat ata që përcaktojnë se cilat të drejta duhet gratë me i gëzu apo se cilat prej tyre janë më të rëndësishme se të tjerat.
Çdo grua duhet ta gëzoj të drejtën që veten me e prezantu në mënyrën që ajo dëshiron, qoftë me mbulesë, apo edhe pa të, dhe asnjëra prej tyre nuk duhet të gjykohet për cilëndo zgjedhje. Çka është e rëndësishme këtu, është që njëri grup duke u thirrur në mbulesë, të mos i ofendoj gratë pa të. Dhe që grupi i dytë, t’i respektoj njësoj, e pa dallim, si gratë pa mbulesë, ashtu edhe ato të mbuluara.
Por akoma edhe më e rëndësishme është që të bëhet dallimi mes grave, si persona madhorë, të përgjegjshme e të afta për me i marrë vendimet për jetën e tyre, dhe vajzave të mitura, për të cilat botëkuptimet fetare janë vështirë të kuptueshme në atë moshë.
Lërini ato të rriten, e t’i marrin vendimet e tyre të pavarura, jashta çdo presioni e ndikimi.
Ky do ishte respekti që ato meritojnë, kjo do duhej të ishte sjellja që tregoni ndaj tyre, asgjë më pak se kaq!
Lexo po ashtu:  Çfarë është 8 Marsi ? Dita e nënës apo dita e gruas?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *