Zufer Bajrami

Para ca muajsh në një ceremoni elegante në ambientet e reja të Kryeministrisë së Shqipërisë, u bë promovimi i përkthimit të librit të fundit të Henry Kissinger-it, të titulluar “Leadership”. Në këtë eveniment, të cilit kryeministri Edi Rama i dha një rëndësi të veçantë duke qenë edhe vetë moderator, ishte kujdesur që e gjithë elita politike, shoqërore e mediatike të ishte e pranishme si publik. Madje, promovimi kishte koinciduar me konferencën e ambasadorëve në Shqipëri kështu që të gjithë ambasadorët shqiptarë ishin në Shqipëri dhe të pranishëm në këtë ngjarje.
Duke parë madhështinë e eventit i cili transmetohej drejtpërdrejt në faqen zyrtare të Kryeministrit Rama në Facebook, mu krijua përshtypja se Rama dukej seriozisht i bindur për cilësitë e pamohueshme të librit, saqë modelet e lidershipit të Kissinger-it janë një rrugë për t’u mësuar, studiuar e pse jo edhe ndjekur.

Në panelin e diskutimit përveç kryeministrit që mbante pozitën qendrore, mori pjesë edhe botuesi i librit. Analisti Remzi Lani dukshëm i frymëzuar nga leximi i librit theksoi se kishte një mungesë të madhe burrash shteti (në një panel burrash, me dy “burra shteti” pjesëmarrës). Ai mes tjerash theksoi se në vend të realizmit politik shohim “liberalizëm dogmatik” dhe “populizëm iliberal” (për të qenë i sinqertë, e kam pak të vështirë të kuptoj se çfarë saktësisht deshi të thotë “autori”).
I ftuar nderi në panel ishte edhe ish-kryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme i Italisë Massimo D’Alema, i cili vetëm pak ditë par këtij eventi ishte kthyer nga Kina ku kishte marrë pjesë në paradën e shumëpërfolur ushtarake . Në atë ngjarje, përveç tij, të pranishëm ishin kuptohet nikoqiri president Xi, presidenti Putin, lideri i Koresë së Veriut, presidenti i Serbisë Vuçiç dhe shumë personalite tjera ekzotike.

Në fjalën e tij Rama dukej disi në siklet dhe dukej sikur e kishte të vështirë t’i gjente fjalët, por shumë shpejt u kuptua se madhështia siç e quante ai Kissinger-in, shkaktonte këtë efekt tek ai. Kjo duhet të ketë qenë edhe arsyeja e mungesës së ndonjë shpërthimi humoristik aq karakteristik për Ramën e vlerësuar nga skenografia me gjithë atë gjelbërim të bollshëm në sfond, shumë lehtë mund t’a imagjinojmë Zach Galifianakis-in udhëheqësin e serialit “Between Two Ferns” duke kompensuar Ramën në komponentin e humorit.

Ambasadori Ferit Hoxha nga krahu i panelit mes tjerash tha: “Nuk ka manual më të mirë për të mësuar si ushtrohet profesioni ynë (diplomatit). Ky libër është një shkollë për të gjithë ne që punojmë në diplomaci e politikë”.

Tani pak më seriozisht!
Dua të theksoj se nuk e kam lexuar librin për të cilin u bë ky promovim. Kam lexuar vepra të tjera të Kissinger-it por më shumë kam lexuar rreth mësimeve, filozofisë, pikënisjes teorike, diskursit dhe veprimtarisë së tij nga burime tjera të cilat besoj se janë po ashtu relevante. Prandaj, nuk jam duke e problematizuar librin por që ç’ke me të jam i motivuar të problematizoj eventin, mësimet dhe filozofinë që Kissinger përfaqëson të cilat mendoj se janë problematike për shtete të vogla si Shqipëria, gjë për të cilën ekziston edhe një fond i madh hulumtimesh.

Do të kishte qenë shumë më e pëlqyeshme sikur në panel të përfaqësohej edhe kritika e gjerë që e ka shoqëruar figurën e Kissinger-it ndër vite, ose të paktën të dëgjohej një zë apo qasje tjetër, siç mund të ishte liberalizmi, që shpesh shihet si antipod i pikënisjes teorike të Kissinger-it.
Në fjalët e tyre, si D’Alema ashtu edhe Lani e vendosnin Kissinger-in në kategorinë e “realistit”. Kam përshtypjen se në këtë pikë ka një paqartësi shumë thelbësore te publiku. Shumë shpesh sidomos në diskursin publik, “realizëm” përdoret thjesht si një fjalë që nënkupton pragmatizëm, shkëputje nga idealizmi ose shmangie nga turjet dogmatike. Ndërkaq, Realizmi në kuptimin teorik që shfaqet fund e krye në veprat e Kissinger-it është një nga drejtimet kryesore të teorive të marrëdhënieve ndërkombëtare, ku ai vetë është ndër përfaqësuesit më prominentë të fundit të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI.

Realizmi dhe Liberalizmi
Realizmi është një nga teoritë kryesore të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo shkollë mendimi së cilës i përket edhe Kissinger e sheh shtetin si aktorin kryesor në një sistem global anarkik ku fuqia dhe siguria dominojnë mbi çdo interes tjetër. Që nga Tukididi, i cili theksonte se “të fortët bëjnë atë që munden dhe të dobëtit vuajnë atë që u duhet”, ky është këndvështrimi që ushqen logjikën se shteti vepron për të garantuar mbijetesën e vet në një botë pa autoritet qendror që mund të kufizojë ambiciet e shtetit. Në këtë kornizë, sistemi i brendshëm politik (demokraci, autoritarizëm apo totalitarizëm) është krejtësisht i parëndësishëm për logjikën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Bashkëpunimi apo konflikti mes shteteve mbetet në thelb egoist dhe i udhëhequr nga balanca e fuqisë.

Lexo po ashtu:  Analiza në DW/ Brukselin apo Moskën? Vendos, zoti Vuçiç!

Në anën tjetër, liberalizmi është po ashtu një teori shumë e rëndësishme e marrëdhënieve ndërkombëtare e cila pranon ekzistencën e anarkisë ndërkombëtare por e sheh atë si një sfidë të menaxhueshme përmes bashkëpunimit. Për këtë shkollë mendimi, shtetet nuk janë
të izoluara. Interesat e tyre ndërthuren nga ekonomia, diplomacia dhe organizatat ndërkombëtare. Liberalizmi nuk është asgjë tjetër veçse një shtrirje e parimeve të brendshme liberale të shteteve (demokracia, të drejtave të njeriut, sundimi i ligjit) në objektiva mbi të cilat shtetet projektojnë dhe ndërtojnë politikën e tyre të jashtme. Kjo filozofi është temeli i krejt infrastrukturës ndërkombëtare të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore: OKB, NATO, BE, Banka Botërore, FMN dhe shumë të tjera. (Duhet theksuar se liberalizmi i përmendur këtu i referohet teorisë së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe është i dallueshëm nga format e liberalizmit që shpesh perceptohen me skepticizëm nga segmentet më radikale të së majtës në Evropë dhe të djathtës MAGA në SHBA)
Të dyja teoritë janë shumë të rëndësishme për të analizuar politikën e jashtme sepse na japin korniza për të kuptuar objektivat, motivet dhe pasojat e veprimeve eventuale të shteteve dhe aleancave. Pyetja është se cilat prej tyre kanë më shumë kuptim për një shtet të vogël si Shqipëria.
Shqipëria, shqiptarët dhe realizmi
Tre janë kundërshtimet kryesore që mund të identifikohen ndaj aplikimit të mësimeve të realizmit në kontekstin e Shqipërisë dhe interesit më të gjerë shqiptar. Sigurisht, ekzistojne edhe shumë të tjera që mund të diskutohen:

Shtetcentrizmi realist dhe kufizimet e tij për Shqipërinë.
Siç u përmend më lart, në thelb realizmi është shtetcentrik. Shteti vepron për të siguruar mbijetesën dhe forcimin e tij në një sistem anarkik duke përdorur çdo burim në dispozicion. Por për Shqipërinë, duke qenë se një pjesë e madhe e shqiptarëve jetojnë jashtë territorit të saj realiteti kombëtar është shumë më kompleks. Duke aplikuar logjikën realiste, Shqipëria, e ballafaquar me mungesën e fuqisë për t’i internalizuar këto territore dhe popullsi, rrezikon që, në emër të vetë-ruajtjes “self-preservation”, të fillojë t’i shohë këta njerëz jo si aset për të avancuar interesin e vet, por, në rastin më të mirë, si një telash i bezdisshmëm, dhe në rastin më të keq mall shkëmbimi e aset i sakrifikueshëm për të garantuar mbijetesën e vet.

Kjo dinamikë ilustrohet qartë nga qëndrimet e shtetit shqiptar ndaj shqiptarëve në ish Jugosllavi. Mjafton të kujtojmë heshtjen e Tiranës ndaj represionit sistematik ndaj shqiptarëve në Jugosllavi, marrëdhënien Berisha – Gligorov, ku Shqipëria u distancua nga aspiratat legjitime të shqiptarëve për barazi në Maqedoni apo episodin Nano – Millosheviq, ku i dyti u përpoq të portretizohej si një lider me të cilin mund të bisedohej. Në këtë pikë, dilema ime është nëse këto janë raste të nxitura nga instinkti realist për “selfpreservation” vetëruajtje të shtetit apo më tepër nga instinkti i vetëruajtjes së “lidershipit” i mbështjellë dhe justifikuar me argumente realiste.

Disonanca kognitive e Edi Ramës
Për të qenë korrekt duhet pranuar se edhe liberalizmi si qasje e politikës së jashtme ka shumë skeletë të fshehur në shkaf. Shpesh është vënë në pikëpyetje mënyra e trajtimit të shteteve joliberale në periferi dhe jashtë orbitës së saj. Megjithatë, përkundër këtyre kontradiktave ka shumë prova se liberalizmi din të krijojë mekanizma koekzistence dhe marrëdhënie të qëndrueshme bashkëpunimi me aktor joliberal (Kina, Rusia, Arabia Saudite…). Në raport me aktorët joliberal në zemër te Europes çështja është krejtesisht tjeter. Normalizimi i Serbisë (demokracia, liritë dhe të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave, sundimi i ligjit etj.) janë interes jo vetëm i shqiptarëve, por i gjithë Ballkanit dhe Europes, por ky normalizim asesi nuk guxon të ndodhë duke anashkaluar parimet liberale e në kënaqje të një balanci realist i cili është i paparishikueshëm dhe problematik për krejt Europën.

Lexo po ashtu:  Oda e avokatëve perversë

Disonanca kognitive është një koncept në psikologji që përshkruan tensionin mes bindjeve dhe veprimeve, apo mes dy bindjeve të kundërta që dikush tenton t’i racionalizojë e manifestojë njëkohësisht. Në politikë kjo shfaqet kur një lider artikulon një set parimesh si udhërrëfyes por në praktikë merr vendime që i kundërshtojnë ato. Kjo disonancë është e dukshme te Edi Rama. Nga njëra anë atlet i integrimin europian të Shqipërisë si qëllim kryesor të politikës së jashtme, e nga ana tjetër aktor kyç në procese në thelb jo liberale. Kjo dikotomi ka potencial të prodhojë (thënë butë) përfundime jooptimale për shqiptarët por edhe rajonin e Ballkanit perendimor. Rasti i Ballkanit të Hapur dhe iniciativa për “korigjim e kufirit” (lexo ndarjen e Kosovës) e ilustrojnë qartë këtë. Në të dy rastet, Rama shmangu kriteret liberale si bazë e bashkëpunimit në tentativën e tij të përafrimit me Vuçiçin dhe Serbinë autoritare e në fund përfundoi duke dobësuar pozicionet e shqiptarëve në Maqedoni dhe pasqyrimin e Kosovës si një faktor jo bashkëpunues.

Ballkani i Hapur”, një projekt paralel i Procesit të Berlinit u promovua me shumë zell nga kryeministri Rama pavarësisht kundërshtimit të gjerë të faktorit politik në Kosovë. Për të zgjeruar këtë iniciativë drejt Maqedonisë së Veriut ku opinioni publik shqiptar tradicionalisht është shumë alergjik ndaj çdo nisme të sponsorizuar nga Serbia dhe Vuçiç, Rama arriti të bindë faktorin politik shqiptar për “benefitet” e integrimit të Serbisë në këtë strukturë rajonale. Ky veprim, i paraqitur si gjest i vullnetit të mirë ndaj Serbisë, në praktikë i vendosi shqiptarët e Maqedonisë si kolateral “kapar” të pazarit të tij realist. Përmes kësaj lëvizjeje, Rama (dua të besoj pa qëllim) hapi portat e depërtimit të furishëm të Serbisë në punët e Maqedonisë së Veriut. Gjersa largimi i befasishëm i Ramës nga tavolina e “Ballkanit të Hapur” nuk i zhbëri pasojat e kësaj nisme.

Sot që flasim Maqedonia me ritme të përshpejtuara është duke u gllabëruar nga koncepti i ashtuquajtur “bota sërbe” ndërkohë që potenciali i shqiptarëve për të rezistuar ndaj këtij fenomeni është dëmtuar rëndë.
Iniciativa për “korrigjimin e kufijve” të Kosovës, ku Rama u pozicionua si një nga faktorët kyç fatmirësisht dështoi falë gjykimit të drejtë të opinionit publik dhe shumicës së elitave politike në Kosovë që u reshtuan kundër kësaj nisme. Normalizimi i marrëdhënies me Serbinë nuk mund të ndërtohej mbi ekulibrin realist të vijave të reja në hartë por në nivelin e internalizimit të parimeve liberale si udhërefyes i marrëdhines mes shteteve.


Perfundimi
Rënia e komunizmit mund të përshkruhet edhe si një “lojë e madhe” realiste ku liberalizmi doli fitues. Disa në Ballkan përpiqen ta portretizojnë këtë përmbysje (demolimin e Jugosllavisë) si një komplot liberal pro shqiptar ose edhe me teori të tjera absurde. Megjithatë, është e pamohueshme se përhapja dhe pranimi i parimeve universale të rendit liberal (demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit…) kanë përkuar në mënyrë natyrale me zhvillimin e Shqipërisë në një shtet më të suksesshëm si dhe avancim të pozitës së shqiptarëve në rajon në përgjithësi.

Prandaj, mendoj se Kryeministri Rama duhet të mendojë pak më thellë e më mirë. Nuk është rrezik promovimi i librave, rreziku lind kur një kryeministër me peshë të madhe përqafon dhe promovon një qasje problematike si modus operandi i “lidershipit” në ardhje. Promovimi i modeleve që nuk i përshtaten realitetit të Shqipërisë dhe elementit shqiptar në Ballkan ka pasoja të rrezikshme sot dhe për gjeneratat që vijnë nesër.

Shqipëria si shtet i vogël me kapacitete të kufizuara.
Kosova dhe ndërhyrja e NATO-s si sfidë ndaj realizmit.
Shtetcentrizmi realist dhe kufizimet e tij për Shqipërinë.

Shqipëria si shtet i vogël me kapacitete të limituara
Është një anekdotë shumë interesante që e tregon ministri i parë i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së pavarur Denko Maleski. Diku në korridoret e Konferencës së Sigurisë në Mynih, një ministër nga Maqedonia kalimthi i thotë Kissinger-it se ishte duke e lexuar librin e tij “Diplomacia”. Kissinger e pyet ministrin se nga vinte, dhe ky i përgjigjet se vjen nga Maqedonia. Atëherë Kissinger i thotë: “Mos e lexo, nuk është për ty”. Me fjalë të tjera, duke qenë se doktrina realiste është fund e krye e tretur në diskursin e veprave të Kissinger-it, leximi dhe, rrjedhimisht, inspirimi apo eventualisht zbatimi i këtyre mësimeve për një shtet të vogël, të dobët dhe të vendosur mes plasaritjeve të mëdha gjeopolitike, në rastin më të
mirë mund të duket si një humor i dobët e në rastin më të keq, mund të shndërrohet në një tërmet apokaliptik për shtetin.
Realizmi, si doktrinë dhe si politikë e jashtme e bazuar mbi këto parime, është mjet i shteteve të mëdha e të fuqishme si SHBA, Kina apo edhe Rusia. Të gjithë të tjerët, përfshirë edhe BE-në si një ekosistem sui generis nuk janë aktorë në kuptimin e plotë të fjalës. Në rastin më të mirë janë subjekte që herë pas here mund të konsultohen, në rastin më të keq, dhe shumë shpesh janë pacienti mbi tavolinën e operacionit.

Lexo po ashtu:  Ambivalenca shqiptare dhe kurthi i Ramës

Parë nga konteksti historik, Shqipëria dhe shqiptarët (pse jo që nga ilirët) duke qenë të vendosur në një hapësirë shumë dinamike gjeopolitike dhe të përballur me hegjemonë rajonalë por shpesh edhe globalë, rrallë kanë mundur të realizojnë ambicien e vet (çfarëdo qoftë ajo, në varësi të kontekstit).
Pas rënies së Perandorisë Osmane, Shqipëria si shtet u bë mall për kënaqje dhe pacifizim apetitesh të cilat në thelb ishin të frymëzuara nga anarkia, forca dhe egoizmi i justifikuar nga doktrina realiste. Duhej të shfaqej një SHBA me në krye me presidentin Wilson që si pionier i liberalizmit si doktrinë e politikës së jashtme të këmbëngul kundër copëtimit dhe zhdukjes së Shqipërisë nga harta politike në Konferencën e Paqes në Paris më 1919.
Shqipëria, edhe gjatë regjimit komunist, provoi të luante të fortin në një rend botëror që as ia hidhte sytë. Rezultati ishte izolimi, mjerimi dhe uria. Me fjalë tjera, Shqipëria asnjëherë deri tani nuk ka mundur të përmbushë asnjë nga kriteret për të qenë aktor në sensin realist të fjalës. Përkundrazi, ka filluar të mëkëmbet dhe të lulëzojë duke internalizuar parimet liberale si kusht kryesor për t’u bashkuar me klubin e shteteve dhe institucioneve liberale, gjë që kulmon me aspiratën për anëtarësim në BE.

Liberalizmi është një habitat më natyror për shtetet e vogla si Shqipëria sepse legjitimon atë që quhet “rendi global i bazuar në rregulla” të garantuara nga institucionet ndërkombëtare si mjet sigurie dhe zhvillimi. Shqipëria nuk mund të funksionojë si aktor realist autonom por si një aktor brenda strukturave multilaterale. Ose, Shqipëria nuk është peshkaqen e as një nga tre peshkaqenët që patrullojnë oqeanet e madh e të ftohta. Shqipëria është një nga peshqit në tufën e madhe të sardeleve.

Kosova dhe ndërhyrja e NATO-s si sfidë ndaj realizmit.
Në debatin publik, veçanërisht në hapësirën e helmuar te internetit ku përplasen nacionalizmat serbe dhe shqiptare shpesh përmenden emrat e Henry Kissinger, John Mearsheimer dhe Jeffrey Sachs si përfaqësuesit më të shquar të realizmit në shekullin XXI, të cilët bazuar në substratin e tyre teorik janë konsensual në skepticizmin e tyre ndaj ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë më 1999. Qasja e tyre nuk besoj se buron nga ndonjë urrejtje ndaj shqiptarëve te Kosoves, përkundrazi, ata kanë kritikuar shpesh politikat kriminale të Millosheviqit, por bindja e tyre se një krizë “lokale” si Kosova nuk duhej të behej shkak per destabilizimin e balancave te luftës se fothte është konkluzion tipik realist.

Shikuar në kontekstin historik, Kosova ndoqi fatin e Shqipërisë deri në momentin kur ky territor u bë skena e një prej tragjedive më të mëdha të Evropës. Kulmimi i brutalitetit të Millosheviqit ndodhi në një ambient global që John Mearsheimer shpesh e quan “momenti unipolar”, koha kur u krijua përshtypja se demokracitë liberale ishin fundi i historisë siç shkruante famshëm Francis Fukuyama. Në këtë kontekst spastrimi etnik dhe gjenocidi, sidomos pas Srebrenicës nuk mund të lejohej të përsëritej. Në këtë kuadër, ndërhyrja humanitare e NATO-s nuk u iniciua e as u mbështet nga shtetet liberale për shkak të ndonjë simpatie të veçantë për shqiptarët apo simpati për ambicien e tyre për pavarësi, por sepse parimet liberale informojnë një rezonim tjetër. Sovranitetet eventuale shtetërore nuk janë më të shenjta sesa mbrojtja e humanitetit të nëpërkëmbur.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com