Bedri Islami

Kuvendi i sotëm i opozitës është në fakt ai i strukturave qendrore dhe i njerëzve që kanë vulat zyrtare, stemat, logot, godinën, bravat që ndërrohen, të drejtën e shkarkimit të kundërshtarëve brenda llojit, e në fund të fundit, i një brezi të ri të politikës që kërkojnë tashmë hisen e tyre, pasi të kenë zbuar të djeshmit.

Megjithëse në të drejtën e tyre për një politikë ndryshe, dëbimin e Berishës – molla e sherrit- nga grupi parlamentar, të strukturave deri tani në vorbullën e tyre dhe pa asnjë ide të lakmueshme që mund të përcjellë një vizion ndryshe, të mbledhur rreth kryetarit aktual që ka pas vetes të paktën 6 ambasadorë të fuqishëm, një shpallje “non grata” të mentorit të tij të deritanishëm politik, besimin se ai nuk do të jetë në këtë listë, për deri sa është “i urtë” dhe “ i lakueshëm”, ata kanë para vetes disa enigma të mëdha, që, më shumë se me të djeshmen, kanë të bëjnë me të ardhmen e opozitës – le ta quajmë opozita zyrtare, të liderëve të saj, përgjithësisht grup mediokër, i zgjedhur nga radha e brezit të dytë të opozitës së deri djeshme, me të ardhmen e drejtimit të saj, që ka para vetes dy rrugë: ose reformimin duke u shndërruar më në fund në një forcë politike e skajuar drejt së djathtës evropiane, ose të shuhet dhe të jetë pjesë e një historie të dështuar.

Nuk ka asnjë forcë tjetër politike, jo vetëm në vendet e Lindjes, por kudo ku njihet pluralizmi si ide dhe praktikë, që një parti politike, e fuqishme deri në skaj në fillimet e saj, në 30 vite ekzistencë të jetë ndarë në 12 pjesë dhe të rrezikojë një rindarje të saj, skizmën e madhe, ashtu si nuk njihet një tjetër që, nga 335 themeluesit e saj , sot, të jetë vetëm njëri ende në strukturat e saj, Berisha. Të terët janë larguar, kanë heshtur, janë shtypur, janë kërcënuar, në fund janë dëbuar. Madhështia e emrave të dikurshëm sot është zënë nga mediokriteti, pasioni i dikurshëm për të bërë Shqipërinë si gjithë Evropa, medet, është kthyer në sloganin më të palogjikshëm, pasi askush nuk beson se kjo klasë politike mund të bëjë diçka evropiane.

Kuvendi i sotëm i opozitës zyrtare është një javë pas atij të 11 dhjetorit, që, duhet pranuar, bëri diçka ndryshe në statutin e supozuar, duke lejuar edhe fraksionet në partinë e tyre, çka duhej të ishte bërë para 30 viteve, por edhe në të njëjtën ditë kur bëhet një referendum – kështu e quan opozita e foltoreve, për shkarkimin e Lulzim Bashës.

Në mos qoftë e gjitha tragjedi, është komedi e paparë ndonjëherë. Të duket sikur po ndajnë sahanët, lugët, pirunjtë, gotat, pjatat, tenxheret, zahiretë e dimrit, por , përtej saj, është shumë më e trishtueshme.

Sidoqoftë , sot është dita e Kuvendit të Lulzim Bashës. Me bujë të pazakontë është proklamuar se do të jetë Kuvendi i ndryshmit, i ndarjes nga e kaluara, i të ardhmes, kundër regjimit të Edi Ramës dhe, është bërë kujdes të theksohet, se interesi i demokratëve dhe PD, sakrifica e tyre është mbi interesin përsonal të cilitdo.

Lexo po ashtu:  Unë jam me Zanën si qenje e si njeri i lirë

Vërtet do të ndodhë kjo?

Janë disa enigma para secilit.

Enigma e parë: A do të jetë Kuvendi i ndryshimit?

Të ndryshosh është gjë e natyrshme, do të thoja njerëzore. E kam shkruar edhe në raste të tjera një thënie të Adem Demaçit, sipas të cilit, “ Vetëm i vdekuri dhe i marri nuk ndryshon”.

Lulzim Basha nuk është i vdekur, e , nuk është as i marrë. Në tetë vitet e qeverisjes së opozitës ka treguar se e ka kallandisur krejt mirë pasurinë e tij, e ka fshehur të vërtetën përmes heshtjes dhe, kur i është dashur, përmes britmave.

Sidoqoftë, koha është e tij, nëse do të ketë një kohë të tillë. A është i aftë ai të ndryshojë diçka në tërë politikën që ka mbizotëruar në PD?

Tetë vitet e shkuara kanë sjellë mosbesimin e njohur ndaj tij. Në të gjithë sondazhet ai mbetet lideri më pak i votuar , sidomos për besimin ndaj tij. Pak vetë e besojnë atë, e, edhe më pak kanë shpresë në ndryshimin e tij.

Për të bërë ndryshimin e duhur atij i duhen tri gjëra të mëdha: kauza – që nuk është vetëm mposhtja e regjimit të Edi Ramës, vizioni – që në tetë vite nuk ka pasur asnjë gjurmë, dhe, e treta, ekipi që duhet të bëjë ndryshimin.

Edi Rama është drejtuesi i së majtës, duke qenë vetë, në bindje dhe përcaktime më shumë i së djathtës. Pragmatik , që e di se pushteti nuk mbahet duke luajtur gurët një muaj a dy, por i futur në betejë , ashtu si ai vetë i ka përcaktuar rregullat e lojës. Shpesh herë, duke qenë në pushtet, ai sillet si në opozitë, ndryshe nga Basha që, duke qenë në opozitë, flet sikur të jetë në pushtet.

Për të mposhtur Edi Ramën duhet të fitosh mbi veten. Duhet të ndryshosh. Lulzim Basha nuk e ka bërë dot këtë, pasi, mbi të gjitha, i dashuruar me pushtetin, ai, si Kupidi i lashtësisë, gjuan me shigjeta vetëm zyrën kryeministrore, ku synon të jetë. Nëse njerëzit nuk të ndjekin gjithë vitin, e jo vetëm në dy tre muaj fushate, nuk mund të mposhtësh askënd. Mund të bëhesh më i pasur, si ka ndodhur me Bashën dhe ekpin e tij, mund të ligjërosh më tepër, por Edi Rama vazhdon të qeverisë dhe, si duket, përmes skizmës së tanishme, do të qeverisë edhe më tej.

Për të mposhtur Edi Ramën , ose për të vënë atë nën kontrollin e opozitës dhe diktatin e saj, duhet të gjesh rrugën te njerëzit, gjë që as Basha e as grupi rreth tij nuk e kanë bërë asnjëherë. Në tre muaj lëvizje foltoresh kishte vetëm heshtje nga selia e vulave.

Lexo po ashtu:  Mbi kohën që po vjen - Fundi i demokracive borgjeze

Kjo ka qenë sëmundja foshnjore e opozitës që pas 22 marsit 1992. Të mësuar me Njëshin brenda selisë së tyre nuk u bënë kurrë forcë e parë dhe asnjëherë më pas nuk kishin besimin e duhur të votuesve të tyre.

A mundet Basha të tërheqë pas vetes të djathtën shqiptare, kur, as ai vetë, as grupi rreth tij, nuk kanë pasur asnjë koncept të drejtë për këtë të djathtë, duke e përdorur si slogan, si objekt të politikës, kurrë si subjekt. A mundet Basha, megjithë përrallat se ka qenë disident që kur ka lerë, të bëjë të mundur që pronarët të gjejnë veten tek ai, kur, në fakt, ai vetë sot është pronar i padeshifrueshëm, kur ata, realët, janë ende të varfër. Vështirë të besohet. Në vitet e para pluraliste, më shumë për inerci dhe shpresë, se sa nga idetë dhe besimi, ish të përndjekurit politikë, ish të burgosur politikë, ish pronarë kanë ndjekur opozitën e tanishme, duke besuar se do të bëhet më mirë. Të ndryshosh këtë kurs të politikës duhet të përmbysësh shumë gjëra brenda opozitës, mbi të gjitha vizionin, çka mungon e , si duket, do të mungojë.

Lëvizja e tanishme, vetë ky kuvend, është një lëvizje nga halli, kuvend i detyruar nga foltoret, jo si ndjesi e brendshme e lidershipit të saj.

Enigma e dytë , pas këtij kuvendi, a do të reformohet Partia Demokratike, a do të kemi një forcë të re politike , apo gjithçka do të jetë e njëjtë, zvarritëse, pa frut dhe shterpë?

Opozita e tanishme zyrtare e jo zyrtare nuk është e reformuar, ajo është e deformuar. E deformuar në bindje, në qëndrime, në ecurinë e saj, në perceptimin e liderit, në krijimin e ngjarjeve tragjike pikërisht nga nënshtrimi ndaj Njëshit, e çoroditur në ide dhe e mpleksur me afera të ndjeshme. Në çështjet e mëdha politike ajo ka qenë e paqëndrueshme, kokëfortë, lehtësisht e korruptueshme. Për ngjarjet ttragjike që kanë ndodhur në Shqipëri, nën qeverisjen e tyre, liderin e kohës, Berisha as nuk e brente ndërgjegjja dhe as që ishte i shqetësuar. Edhe në një dalje të fundit në emisionin “Opinion”, në beniaminin e tij, Fevziu, Berisha i qëndroi vrasjeve të 21 janarit, duke ndryshuar rrethanat, por jo thelbin, i bindur se përsëri do të vriste 300 të tjerë, nëse shkelej bari jeshil brenda gardhit kryeministror.

PD, dhe as Basha nuk mund të reformohen nëse nuk ndahen përfundimisht nga e shkuara jo shumë e largët e krijesës së tyre. Ata, të dy, Berisha e Basha, më tepër se një qenie normale politike, e kanë shndërruar PD-në , shpesh herë në një përbindësh politik, ku të mençurit dhe të ndershmit gjenden jashtë; mjedisi i mbytur ka krijuar premisën e dekompozimit të forcës politike, ka ndrydhur gjithçka të aftë për të bërë reformimin.

Enigma e tretë, ekipi që Basha ka mbledhur rreth vetes është më mediokri që ka pasur ndonjëherë rreth vetes Partia Demokratike. Një grup vasalësh të Berishës që papritmas u bënë dishepujt e Bashës. Nëse ai mendon se mund të bëjë ndryshimin e madh me këtë ekip, Bardhi, Salianji, Duma, Alibeaj , etj, me turmën amorfe dhe pa identitet të spikatur politik, ai shumë shpejt do të ndjejë dështimin e rradhës.

Lexo po ashtu:  Shqiptarët e Krahinës së Preshevës duhet të kenë vende të rezervuara për Parlament të Serbisë

Bardhi i ngjarjes së Elbasanit dhe i teorisë së ngritjes të grupeve të gatshme për mbrojtjen e votës, një detashment paramilitar, Salianji i “babales”, personifikimi i meskinitetit në politikë, Duma e shitblerjeve të apartamenteve , çku humbi edhe gjyqin me Veliaj, Alibeaj, që mendohet se ishte pikërisht juristi që hartoi gjithë legjislacionin sui generis për Gërdecin, ndaj u bë ministër i Drejtësisë; përgjithësisht njerëz që nuk ishin në gjendje të ndërtojnë as familjet e tyre e jo më të ndërtojnë Shqipërinë, ordinerë në shpifje dhe të babëzitur në pasuri – këto nuk mund të bëjnë as reformim, as kthim nga e mbara e as shkëputje nga e djeshmja.

Nëse dje kishte ministra e funksionarë të lartë të PD-së që i urdhëronte Shkëlzeni i Berishës, disa prej tyre janë në trupën drejtuese të tanishme, kush mund të garantojë se këto të sotmit nuk do i urdhërojë nesër “ kunati” i njohur, për të cilin katër vite më parë Genc Ruli bën thirrje të merrej prej prapanice dhe të nxirrej me shqelma jashtë selisë së PD-së, që sot e ka uzurpuar koncepti i tij?

Vetë liderllëku i Bashës është defektoz dhe, në të shumtën e rasteve , i dështuar. Tetë vite pa lëvizur asgjë dhe pa sjellë asnjë ndryshim thelbësor. Basha nuk besoj se do të jetë njëri nga kryetarët e rrahur të PD-së, por edhe trim nuk ka qenë. Deklaratat e tij të tanishme se mbi kokë ka pasur Berishën dhe se Tjetri ka vendosur për çdo gjë, e kështu mund të ketë ndodhur, dëshmojnë se, në fund të fundit, kemi një kryetar “ të rrahur” politikisht, të nënshtruar, t paaftë për të vendosur, vetëm në rastet kur shpërblimi ka qenë për të dhe familjen e tij.

Së fundi: sot, në Kuvendin e “ vulave dhe bravave” mund të merret vendimi për përjashtimin e Berishës nga Partia Demokratike. Në fakt, do të ishte i vetmi vendim që do të ishte legjitim, sidomos që, edhe në ndryshimet që mund të ndodhin sot, nuk do të lejohen fraksionet në parti.

Berisha mund të largohet, berishizmi do të jetë e vështirë. Në mos e pamundur nga ky grup drejtuesish që e kanë pasur idhullin e tyre.

Mes dy ngastrave të PD nuk ka më paqe dhe, si duket, nuk do të ketë.

Kuvendi i sotëm, për të cilin askush nuk e di numrin e saktë të delegatëve, mund të ketë shumë gjëra, fjalime të bujshme, përbetime, përshëndetje, mallkime, shfryrje nervash, dëshmi të krimit të kaluar, protesta, por mendim nuk do të ketë. Gjakrat janë nxehur pikërisht për të mos pasur mendim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *