1. Është pozicion prej sadisti e prej vrasësi mizor ta lësh vendin tënd pa spitale të mjaftueshme, pa mjekë, barna e laboratorë, e me rezerva të harxhuara, e pastaj të kritikosh pse ai vend pranon materialet e dhuruara mjekësore. Do të duhej fillimisht të mos vidhej brutalisht nëna prej bijve të saj “komandantë”, që pastaj të mos detyrohej të lypte apo të pranonte lëmoshë.

2. Ne nuk kemi thënë ndonjëherë “se do të ngremë mur kinez”. Ne kemi folur për drejtësi dhe reciprocitet. Dhe jo, kjo drejtësi e ky reciprocitet nuk është gjakmarrja mesjetare e cila synon të marrë haqe e të lajë gjaqe në histori që nuk përfundojnë kurrë. Ata që kanë dashur ta shohin kështu Vetëvendosjen thjesht kanë ndërtuar një dordolec në kokën e tyre, të cilin mund ta kritikojnë lehtë e të ndihen të mençur. Drejtësia është kërkesa e pandalur gjer në ndëshkim të kriminelëve, shpërblim të dëmeve, pranim të fajit e kërkimfalje për viktimat, kurrë nuk kemi thënë se do t’ua bëjmë “njëjtë” siç na e kanë bërë. Kur kërkohet drejtësi kundër kriminelëve nuk nënkupton të bëhesh vetë kriminel e të kesh dëshira të atilla kundër tyre. Ndërsa reciprociteti është politikë diplomatike e tregtare, e jo sy për sy e dhëmb për dhëmb në terrenin e historisë. Kush nuk ka dashur ta kuptojë mesazhin e qartë, progresist, emancipues e konsistent të Lëvizjes, le të mos na shesë keqkuptimet e veta si fakte që dihen.

3. Aktivistët e Vetëvendosjes nga Shqipëria, që media e Kosovës shpesh i quan “nga Tirana”, duke imituar zakonin e medias serbe që i referohet Kosovës si “Prishtina”, nuk janë importues problemesh e nxitës trazirash. As nuk janë ngjitës virusësh e as “izmash” primitivë. Skena politike dhe realiteti shoqëror në Kosovë është e stërmbushur me padrejtësi, të vogla e të mëdha, do prej tyre krime. Të cilat jo rrallë heshten, ose justifikohen, ose normalizohen. Këto janë baza e revoltës, së bashku me një popull të mirë që nuk i do dhe nuk i duron padrejtësitë. Ata që kërkojnë scapegoat, që kërkojnë “hebreun fajtor” nga Tirana, shpesh kanë interes të drejtpërdrejtë të mbyllin sytë përballë problemeve të caktuara (ashtu siç i hapin sytë, projektorët dhe një mijë lupa zmadhuese, kur gjejnë ndonjë problem që u intereson).

4. Përballë qeverisë Kurti po bashkohen gjithë partitë e tjera, me akronimin PLAN. Ky është hap pozitiv. Më nē fund e Reja kundër të Vjetrës, dhe e Vjetra nuk ka mundësi të mashtrojë duke nxjerrë klone apo marioneta të vetat. Vetëm pasi të mposhtet e Vjetra, që i ka duart me gjak e me llom e xhepat plot para të vjedhura prej popullit më të varfër të Evropës, do të krijohen kushtet për një skenë politike normale, me të majtë e të djathtë, liberalë e konservatorë e progresistë. Tash kjo nuk është e mundur. Tash polarizimi është mes të ndershmëve dhe të pandershmëve.
A.Z.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *