Konsumatorët shqiptarë shpenzojnë pothuajse gjysmën e parave që kanë në dispozicion për t’u ushqyer. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2019, rreth 41.1% e shpenzimeve shkuan për ushqime. Kjo peshë është më e larta në rajon dhe në Europë dhe është një tregues direkt i të ardhurave të ulëta dhe i çmimeve relativisht të larta. Kosova shpenzon 34% për ushqime, Maqedonia e Veriut 33%, Bosnja 29%, Mali i Zi 23.5, Serbia 23.6%, sipas Eurostat.

Eurostat ka publikuar së fundmi edhe të dhënat e reja për strukturën e shpenzimeve për familjarët për vitin 2019. Ndryshe nga rajoni, familjet europiane shpenzojnë më pak për t’u ushqyer. Për vitin 2019, kjo peshë është 13%, ndonëse në rritje me 1 pikë përqindje në krahasim me vitin e mëparshëm. Shteti europian që shpenzon më shumë për ushqime është Rumania (26%) dhe më pak Mbretëria e Bashkuar (vetëm 8%). Buxhetin më të madh familjet europiane e kanë për “Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar”, me 23.5% të totalit, përkundrejt 10.1% në Shqipëri.

Lexo po ashtu:  Sveçla: Serbia synon të arrijë qëllimet e veta dhe merr mbështetje të plotë dhe tashmë publike nga Moska

Duke shpenzuar më pak për ushqime, familjeve në Europë u mbeten më shumë të ardhura për t’u argëtuar dhe për të udhëtuar. Europianët shpenzojnë më shumë për t’u argëtuar dhe kulturë, me 8.7% të totalit, përkundrejt 3.8% në Shqipëri, edhe për transport Europa shpenzon 13% të buxhetit, ndërsa Shqipëria më pak sesa 6%. Edhe për restorante raporti është 8.7% për Europën dhe 4.9% për Shqipërinë. Por, nëse ka një shpenzim për të cilin shqiptarët nuk kursehen ato janë veshjet, me 5.2% të totalit, përkundrejt 4.6% të mesatares europiane. Shteti që shpenzon më shumë për veshje në Europë është Rumania (6.8%) e totalit, i ndjekur nga Estonia (6.3%), Italia (5.9%) dhe më pak Islanda (3.3%).

Për shëndet, shpenzimet janë pothuajse të ngjashme (4.3% dhe 4.4%), ndërkohë që një vit më parë ishin shqiptarët ata që shpenzonin më shumë për shëndet, por në 2019-n, kjo kategori është rritur dhe për europianët.

Arsimi u kushton shumë më shtrenjtë shqiptarëve se europianëve. Një familjeje i duhet të shpenzojë 3.1% të totalit për të arsimuar fëmijët, ndërsa për një familje europiane, kjo peshë është më pak se 1% (0.9%). Edhe për komunikim, shqiptarët shpenzojnë më shumë (3.7%, kundrejt 2.4%)./ Monitor/

Lexo po ashtu:  Kryeministri: “Shtetin e kemi gjetur për toke, por do ta ngrisim në këmbë, Ata që na kan sjellë këtu, le të skuqen me situatën ku na kanë sjellur”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *