Ja çka i shkruan Fan Noli Faik Konicës për Ahmed Zogun:

Ja tani pasqyra e qeverisë së sotme, në qoftë se munt të quhet qeveri një çetë e hurit dhe e litarit:

1) Janë tradhëtorë: Hipnë në fuqi me ndihmën e Pasiçit dhe, për të qëndruar në fuqi, i falën Serbisë, copra të tokës shqiptare, të fituara me një mijë mundime.

2 ) Janë kusarë të pasurive të shtetit: U shesin kapitalistëve të huaj pasurit’ e shtetit me ryshfete e me kondita skandalloze për të fituar simpathin e tyre.

3) Janë çkatëronjës: Çkallmojnë buxhetin duke ballancuar me kleçka për sy e faqe, e duke krijuar në realitet një deficit prej tre miliuansh të paktën, i cili do të rritet me kredite të pazakonshme.

4) Janë kriminelë: Me anën e veglave të tyre kanë asasinuar (vrarër me atentate) prapa kurrizit katër patriotë antiserbë si Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Elez Isufi dhe Zija Dibra dhe duzuina të tjerë, emrat e të cilëve ca i dimë dhe ca do t’i mësojmë më vonë.

Lexo po ashtu:  Përvjetori i Hasan Cekës, themeluesi i arkeologjisë shqiptare

5) Janë tiranë: Të gjitha lirit’ e popullit janë marrë nëpër këmbë. Liria e shtypit nuk ekziston. “Dielli” që mban një paanësi mirëdasëshme është ndaluar.

6) Janë armiq të kanunit: Çkatërruan ushtrinë dhe xhandarmërinë kombëtare dhe lëshuan bashipozukët për të shtypur, për të plaçkitur e për të terrorizuar popullin e mjerë.