Të nderuar vëllezër e motra,

Në fshatin e tij të lindjes, në Bardhaj të Hotit, gjendet Shtëpia-Muze e heroit Dedë Gjon Lulit. Ajo qe ngritur e rindërtuar mbi të njëjtat themele të asaj kulle origjinale, të djegur e të rrënuar disa herë nga armiqtë. Që nga inaugurimi i saj në vitin 2006, kanë kaluar shumë vite dhe ende nuk është kompletuar që të mund të konsiderohet si një objekt i mirëfilltë muzeor. Megjithëse fillimisht ideja ishte që të kompletohet me sende të nevojshme e të domosdoshme për të përmbushur standardet e një shtëpie muze, për fat të keq kjo nuk ka ndodhur dhe mund të themi se prej atëherë e deri më sot nuk është ndërmarrë ndonjë veprim tjetër serioz për ta çuar kompletimin e saj deri në fund. Kohëve të fundit ka pasur biseda e kontakte të shpeshta rreth nevojës së vazhdimit të punës aty ku ka mbetur 13 vjet me parë. Ka pasur edhe shkrime e diskutime në rrjetet sociale, sidomos në facebook, të cilat janë pritur shumë mirë nga publiku.
Si rrjedhim, ndërkohë është themeluar një bërthamë aktivistesh në New York, e cila do ta menaxhonte realizimin e kësaj ideje dhe të përgatiste terrenin për publikimin sa më të mirë të saj. Me kalimin e kohës kjo bërthamë është zgjeruar dhe shndërruar në një këshill të gjerë, me persona të cilët do të drejtonin te gjitha aktivitetet përkatëse deri me realizimin e veprës. Këshilli, që ka për qellim realizimin e këtyre punimeve, ka kontaktuar pesë skulptorë nga Shqipëria e Kosova, për të gjetur zgjidhjen më të mirë dhe më të volitshme. Këshilli, pas shumë bisedave dhe analizave, është përcaktuar për skulptorin nga Malësia e Madhe, zotin Pjerin Kolnikaj. Skulptori Kolnikaj është një emër i njohur mirë edhe në trevën e Malësisë me qendër Tuzin, ku janë të vendosura rreth dhjetë punime të tij.

Lexo po ashtu:  Qëndrimet e paligjshme dhe kërkesat e larta për azil – Rikthimi i vizave për vendet e Ballkanit në diskutim nga Franca, Gjermania dhe Italia

Është fakt se shtëpitë muze u dedikohen figurave të njohura e të rëndësishme historike, shoqërore, shkencore etj. dhe se aty ku ata kanë jetuar e punuar, ato, si rregull, kanë në kuadrin e vet edhe punime të ndryshme skulpturore, si buste, shtatore, etj. Mirëpo, po ashtu, është fakt se Shtëpisë Muze “Dede Gjon Luli” këto i mungojnë, ashtu si edhe shumë gjëra e sende tjera të domosdoshme për një objekt të tillë muzeor. Duke ditur se kjo familje e gjerë nuk ka dhënë vetëm trimin dhe heroin Dede Gjon Luli, por edhe shumë figura të tjera të njohura, që kanë bërë histori të lavdishme, jemi kujdesur që të sjellim një projekt të zgjeruar për tʼi nderuar te gjitha ato figura të ndritura, duke iu bërë nga një monument përkatës në bronz. Për figurën e Dedë Gjon Lulit, njëkohësisht si kryefigurë të kësaj kulle, dhe si babai më i madh i pavarësisë së Shqipërisë nga Malësia e Madhe, është vendosur tʼi behet një shtatore nga bronzi, që do pasqyronte realitetin më të mirë artistik në kuadër të këtij objekti. Sa u përket figurave tjera, siç janë dy të bijtë e Dedës (Kola e Gjergji), Nore Kola (e reja e Dedës), Nikë Gjelosh Luli, Lucë Nishi dhe Gjelosh Luli, ata do të përkujtohen me vepra artistike të ashtuquajtura medaljone- relief, po ashtu nga bronzi.

Sa i takon çmimit të punimeve nga bronzi, të një shtatoreje të Dedës dhe të 6 medaljoneve për figurat tjera, jemi përcaktuar për një çmim të mesëm nga të pesë ofertat që kemi marrë nga skulptorët e kontaktuar. Çmimi total i monumenteve ne fjalë është € 26,000, përfshirë këtu edhe transportin dhe instalimin- vendosjen e tyre. Skulptori Kolnikaj ka filluar punën dhe fillimisht, për hir të zhvillimit të fushatës, na ka dërguar modelet në miniaturë të shtatores së Dedës dhe të një medaljoni, të Kolës së Dedës (Ilustrimet e bashkangjitura). Mirëpo, duke u nisur nga fakti se objektit në fjalë i mungojnë edhe shumë elemente tjera të nevojshme, sikurse janë: ndriçimi artistik i eksponateve, riorganizimi i përgjithshëm i brendshëm, pasurimi me inventar kulturor, historik, etnografik, etj. projekti i kompletimit te saj në këtë fazë, që tashmë e kemi konsideruar si fazë të dyte të punimeve, imponon nevojën për më shumë mjete financiare.

Lexo po ashtu:  Mali i Zi miraton një paketë masash kundër Rusisë, Tirana po pret...!

Gjithashtu konsiderojmë se janë të nevojshme edhe riparime të ndryshme, për shkak të amortizimit të godinës gjatë periudhës së shkuar, si dhe e marrjes së masave të sigurisë, mirëmbajtjes së objektit etj. Kemi pasur parasysh edhe shpenzimet e pashmangshme rreth përurimit të shtatores dhe të objekteve tjera. Andaj Këshilli për ndërtimin e objekteve në fjalë vlerëson se për kompletimin e këtyre punimeve është i nevojshëm një fond prej të paktën $50,000.

Inaugurimi solemn i punimeve ne fjalë do të behet midis datave 17 dhe 25 gusht të vitit 2019.

Duke qenë të vetëdijshëm për vlerën historike, kulturore e etnografike të Shtëpisë Muze “Dede Gjon Luli” dhe për dimensionet që kapin figurat që ka dhënë kjo kullë heronjsh e heroinash për të gjithë shqiptaret anë e mbanë trojeve etnike dhe në diasporë, jemi përcaktuar që mundësia e kontributit financiar tʼi ofrohet çdo shqiptari kudo dhe ngado qoftë, varësisht nga dëshira dhe mundësia e çdonjërit, për realizimin e kësaj vepre që e konsiderojmë madhore. Duke u nisur edhe nga fakti se objekti në fjalë është një shtëpi e rindërtuar familjare, e kthyer ne muze, qe graviton në Bashkësinë Lokale të Hotit dhe se nuk është një muze qendror i trevës, kemi konsideruar se një këshill vendor, me anëtarë nga ajo trevë, është i mjaftueshëm për tʼu marre me këtë çështje. Gjithashtu, në kuadër të këshillit janë përfshirë përfaqësues të dy shoqatave kulturore- artistike nga Bashkësia Lokale, të afërm të familjes së Dedë Gjon Lulit dhe bashkëvendës nga Shteti i Nju Jorkut dhe shteti i Miçigenit. Këshilli nuk do te punojë sipas sistemit derë-për-derë, por vetëm sipas qasjes së lirë që ofron ky njoftim, nëpërmjet portaleve elektronike lokale, rrjeteve sociale dhe formave tjera te komunikimit me miq, me të njohur dhe me secilin që dëshiron tʼi kontribuojë realizimit të kësaj vepre. Tash për tash kemi menduar se nuk është e nevojshme të aktivizojmë edhe mënyrën online të dhënies se kontributeve, sikurse ndodhe shpesh në fushata të ngritjes së fondeve, por në rast nevoje, edhe kjo rrugë do të përfshihet.
Më poshtë keni listën e emrave të anëtarëve të këshillit punues, që mund tʼi kontaktoni për informata më të hollësishme dhe për të dhuruar kontributet tuaja:
Në New York:
Gjon Dedvukaj (koordinator i KËSHILLIT) +1 718 496 7710
Fran Camaj, +1 203 970 9383
Nikollë Junçaj, +1 646 242 7163
Gjokë Gojçaj, +1 646 261 4873

Lexo po ashtu:  Izraeli dhe SHBA testojnë me sukses sistemin raketor Arrow 3 (Video)

Në Malësi:
Pal Dreshaj (koordinator i grupit), +382 67 487 148
Dede Dedvukaj, +382 69 858 929
Gjon Dushaj, +382 69 230 450
Lucë Junçaj, +382 69 866 879

Në Miçigen:
Dodë Gojçaj (koordinator i grupit), +1 810 642 4243
Kolë Dedvukaj, +1 248 880 6581
Zef Gjonaj, + 1 586 604 4973
Kolë Junçaj, +1 586 258 6685

Këshilli punues ka plote besim ne mbështetjen tuaj te këtij projekti dhe u falënderon paraprakisht të gjithëve për kontributet tuaja të çmuara e me domethënie kombëtare.

KËSHILLI PUNUES
New York- Tuz- Detroit, mars 2019

/MekuliPress.com/

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *