Më poshtë do të mund të lexoni historinë e një femre, e cila kaloi nëpër shumë vuajtje, por sot ka arritur të jetë e suksesshme dhe të frymëzojë mjaft njerëz nëpër botë.

Një femër është si një vazo perfekte prej qelqi. Nëse ajo thyhet, nuk mund të kthehet kurrë si në fillim, por përherë do të duket e thyer…

Edhe mua më ra fati i femrave paraardhëse në familjen time. Edhe unë duhet të martohesha me mblesëri dhe sipas tyre, duhet të isha një grua perfekte për burrin tim të ardhshëm në çdo aspekt. Ky parim është trashëguar që nga stërgjyshja ime e deri tek mamaja ime. Sipas tyre, femra duhet të ishte perfekte, ashtu si vazoja e qelqit…

Prezantimin tonë e bëri mamaja e tij. Më thanë se duhet të isha e lumtur që po martohesha me beqarin më të dëshiruar në zonën ku jetonte ai… Gjërat rrodhën shumë shpejt. Ne u fejuam, pastaj u martuam dhe pas martesës, u zhvendosëm në San Diego të Kalifornisë për të ndjekur aspiratat e tij.

Në atë kohë, unë mendoja se kjo zhvendosje për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të më ndihmonte të kuptoja identitetin tim të vërtetë dhe të kuptoja se çfarë dëshiroja të arrija vërtet në jetë. Për fatin tim të keq, nuk ndodhi kështu. Dëshirat e mia vinin duke u rritur dhe përherë e detyroja veten të jepja imazhin perfekt në shoqëri. Edhe jetesa në familjen e tij u bë e pamundur për mua. Isha si një shërbëtore që i shërbeja atij dhe prindërve të tij, nuk më lejonin të flisja më tepër se 20 minuta me familjen time, dhe për më tepër, unë nuk isha e lejuar të shprehja mendimet e mia në atë familje. Shumë shpejt u lodha në atë marrëdhënie, por njëkohësisht isha e frikësuar nga largimi im prej asaj shtëpie.

Lexo po ashtu:  Shqiptarja fiton garën për fustanin më të bukur me letër higjienike

Isha 25 vjeçe dhe mendoja se jeta ime kishte përfunduar në një moshë aq të re. Derisa një ditë vendosa të gjeja guximin brenda vetes dhe të merrja vendime për ta ndryshuar gjendjen, në të cilën gjendesha. Paketova gjërat e mia dhe u largova. Atë natë u shtriva në krevat e qetë, si kurrë ndonjëherë më parë në atë vite martese, por pasojat ishin të rënda për mua. Familja ime e mori vesh dhe më mohoi në mënyrë kategorike si vajzën e asaj shtëpie. Sot jam 41 vjeçe dhe prindërit e mi nuk më duan më, madje babai im është përpjekur të më vrasë në këto 16 vite që kanë kaluar, sepse sipas tij unë solla turpin në atë familje dhe e vetmja mënyrë për t’i rikthyer asaj familje nderin, është vrasja ime.

Për mjaft kohë u mendova gjatë se çfarë doja të arrija në jetën time. E dija se doja të përmirësohesha sa më shumë dhe të bëhesha një burim frymëzimi për të tjerët, por nuk e dija se si. Derisa një ditë e kuptova se ngado që të nisja, do të ngecja në të njëjtën pikë. Tek arsimimi. Më duhet të arsimohesha me patjetër, ose gjërat do të çalonin përherë, kur të mbërrinin tek edukimi. Atë vit u regjistrova në Universitetin e San Diegos. Pas një viti arsimimi në atë universitet, fillova të aplikoja për punë. Doja të përmirësoja edhe aftësitë e mia si intervistuese me këtë rast.

Lexo po ashtu:  "Nuk mund të dua asnjë person tjetër, siç të dua ty. E kam provuar, por nuk ia kam dalë." Fragment fantastik nga një roman prekës për dashurinë…

Shumë kompani më pranuan. Madje edhe IBM, njëra prej tyre. Ata më ftuan të punoja për një program zhvillimi që kishin hapur, por kjo do të thoshte të lija San Diegon dhe kjo nënkuptonte edhe lënien pas një herë e përgjithmonë të së shkuarës. Unë isha e frikësuar. Ndihesha kështu sepse do të lija të shkuarën pas, por edhe sepse mund të ndodhte që mund të mos ia dilja dot mbanë në atë kompani. Por një zë i brendshëm më thoshte, “Ndieje frikën brenda vetes, por gjithsesi merr vendimet e duhura”. Dhe ashtu bëra…

Me IBM kam punuar për shumë kohë. Kam udhëtuar në mbarë botën, e madje kam jetuar për më shumë se një vit edhe në Japoni. Çdo ditë unë zgjohem me parimin, se duhet ta ndiej frikën dhe ta tejkaloj atë. Kam marrë mesazhe nga shumë njerëz në mbarë botën, me të cilët kam pasur kënaqësinë të punoj. Të gjithë më kanë shkruar se janë ndjerë të frymëzuar nga historia ime dhe më falenderojnë për motivimin që u kam dhënë.

Lexo po ashtu:  Heroinë e luftës, 2 herë Nobeliste, faktet që ndoshta nuk i dinit mbi Mari Kyrin

Ndaj sot që jam një femër e realizuar, dua t’ju them se një vazo perfekte prej qelqi, ashtu siç supozohet të jetë një femër, nënkupton disa kritere të paarritshme të vendosura nga shoqëria jonë. Por sot, dua të të pyes ty, si po e jeton jetën tënde? Kush të tha të mos i ndjekësh ëndrrat e tua? Kush të tha se nuk duhet të jesh vetvetja? Çfarë po të mban larg ëndrrave që ke? Ne mund të jetojmë me frikë dhe ta mbajmë vazon e qelqit në formë perfekte, ose të ndiejmë frikën dhe gjithsesi të veprojmë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *