Fjala e kryeministrit Albin Kurti në seancën e veçantë të Kuvendit të Kosovës, të shënimit të 23-vjetorit të bombardimeve të NATO-s

Prishtinë, 24 mars 2022

I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca,
Të nderuar deputetë të Kuvendit, zëvendëskryeministra e ministra,
Të nderuar qytetarë, shkëlqesi ambasadorë,
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,

23 vjet më parë, 19 vende të NATO-s u bashkuan për të ndalur gjenocidin që pati nisur në Kosovë regjimi i Beogradit. Ishte gjenocidi i dytë në Evropën kontinentale që nga Lufta e Dytë Botërore. 19 shtete arritën konsensus për të bombarduar të ashtuquajturën Republikë Federale të Jugosllavisë së Sllobodan Millosheviqit, i cili veçse kishte kryer gjenocid në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Intervenimi ushtarak i NATO-s në Kosovë ishte i drejtë dhe i domosdoshëm. Në fund të viteve të ’90-ta populli shqiptar po përmbyllte një dekadë terrori e diskriminimi nga aparatura e instaluar shtetërore e Serbisë.

Kur dhuna nisi të marrë përmasa gjenocidi rezistenca paqësore ishte e pamjaftueshme. Shqiptarët iu përgjigjën agresorit me gjuhën e vetme që e kuptonte. Çmimi ishte i lartë, por rrugë tjetër nuk kishte.

Ndërsa dështonin një pas një përpjekjet diplomatike evropiane dhe amerikane për gjetjen e një zgjidhje paqësore, në Kosovë pothuajse çdo ditë hapeshin dhjetëra varre për fëmijë, pleq, gra e burra të paarmatosur të cilët vriteshin, masakroheshin e digjeshin në pronat e në shtëpitë e veta.
Qindra masakra janë kryer në Kosovë në periudhën 1998-1999.

Vuajtjet dhe mizoritë që shkaktonin kudo që shkelnin forcat policore, ushtarake e paraushtarake të regjimit serb, në fund të vitit 1998 e në fillim të vitit 1999, e alarmuan bashkësinë ndërkombëtare.

Dhe falë ndërhyrjes së aleancës veriatlantike gjenocidi serb në Kosovë u ndal.

Në pranverën e vitit 1999 kemi pasur 20 mijë gra të dhunuara nga policët dhe ushtarët serbë. 860 mijë persona u deportuan jashtë vendit tonë, 80% e popullsisë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Sot ende i kemi 1600 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës. 12 mijë civilë të paarmatosur janë vrarë, mbi 10% të tyre fëmijë dhe ende nuk ka drejtësi për të gjitha këto mizori.

23 vjet pas përfundimit të luftës, fqinji ynë verior as nuk kërkon falje, as nuk do që t’i kuptojë e t’i pranoj përmasat e krimeve të veta në Kosovë.

Në vend se të hap arkivat shtetërore që do të mund të ndriçonin fatin e të zhdukurve me dhunë dhe të zbuloheshin ekzekutorët e krimeve, pushtetarët e Serbisë, arsyetojnë veprimet gjenocidale të Millosheviqit dhe e fajësojnë NATO-n për bombardimet.

Pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë, së bashku me Rusinë po e keqinterpretojnë edhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, duke aluduar në ngjashmëri të rasteve, si përpjekje për ta justifikuar imperializmin dhe aspiratat e tyre hegjemoniste.

NATO-ja ndërhyri në Kosovë për arsye e me qëllime humanitare, për të shpëtuar një popull nga shfarosja. Ishte ndërhyrje legjitime për shkak se Millosheviqi nuk shprehte gatishmëri për të përmbushur kërkesat dhe detyrimet që buronin nga rezolutat e miratuara në OKB dhe as nuk hiqte dorë nga operacionet ushtarake dhe nga politika e spastrimit etnik në Kosovë.

Në prononcimet dhe intervistat me mediat e huaja po na pyesin vazhdimisht për ndjesitë që ka zgjuar agresioni dhe invazioni rus në Ukrainë te populli ynë, që ende i ka të freskëta kujtimet e të hapura plagët e luftës. Si dhe për ndërlidhjen mes rezistencës sonë kundër pushtuesit serb dhe të ukrainasve kundër atij rus.

Lexo po ashtu:  Kurti, takim kokë më kokë me Lulzim Bashën

Ne kishim në njërën anë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila e nisi rezistencën dhe luftën për çlirim e për liri dhe kjo e ndërgjegjësoi opinionin publik ndërkombëtar, diplomacinë botërore për të na mbështetur.

Askush sikurse populli i Kosovës nuk e sheh ngjashmërinë e asaj çfarë na ka ndodhur neve me kontekstin aktual në Ukrainë, ku lufta mbrojtëse dhe çlirimtare e popullit të Ukrainës, po gjen një solidaritet dhe admirim të jashtëzakonshëm në botën perëndimore demokratike, sikurse tek ne në vitet 1998 dhe 1999.

Ne që nga fillimi kemi shprehur solidaritetin tonë me luftën çlirimtare të popullit ukrainas dhe kemi dënuar ashpër agresionin e invazionin e Federatës Ruse.

NATO-ja, shtetet e NATO-s, popujt e Evropës duhet ta ndihmojnë popullin ukrainas sepse ata po e mbrojnë të gjithë kontinentin. Ne shqiptarët e dimë më së miri domethënien e veprimeve të unifikuara të shteteve të fuqishme për të ndihmuar popujt e shtypur e të rrezikuar nga apetitet territoriale të shteteve fqinje.

24 marsi 1999 pati sjellë shpresë, por edhe ankthe e tmerre në shtëpitë e shqiptarëve. Hakmarrja e Millosheviqit ishte e fuqishme. Dhjetëra shqiptarë u vranë vetëm në natën e parë të bombardimeve.
Sot i përkujtojmë me nderim veprimtarët, dëshmorët, martirët, luftëtarët e mbi të gjithë, dhe të gjithë ata të cilët ranë për liri.

Në përvjetorin e 23-të të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në anën e drejtësisë e kishim popullin dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e nga jashtë, në anën e drejtësisë, kishim një emër të përveçëm, si asnjë tjetër, zonja sekretare, Madeleine Albright.

Pesë muaj para se të fillonin bombardimet e NATO-s, në një fjalim të saj më 27 tetor 1998, Madeleine Albright deklaronte në Departamentin e Shtetit në Washington që, po citoj: “Dy javë më parë, NATO ndërmori hapin historik për autorizimin e komandantit të NATO-s për të nisur sulme ajrore, vetëm për të dytën herë në historinë e saj 50-vjeçare. Duhet ta kemi parasysh historinë e Millosheviqit, mosgatishmërinë e tij të tejzgjatur për të negociuar seriozisht dhe barbarinë e akumuluar. Është jetike të kuptohet se edhe nëse kriza humanitare shmanget, kriza politike mbetet.

Kjo krizë mund të zgjidhet vetëm në tryezën e bisedimeve. Kjo është një pikë jetike, sepse as forca ushtarake e NATO-s nuk mund t’i zgjidhë tensionet, rivalitetet dhe mosmarrëveshjet që janë në qendër të problemeve të Kosovës. Millosheviqi nuk duhet të ketë iluzione. NATO do të jetë në ajër dhe poshtë. Jemi në një pikë kyçe vendimtare në historinë e Ballkanit dhe të NATO-s. Siç reflektojnë ngjarjet e dy javëve të fundit, ne kemi filluar të ecim në rrugë të drejtë për të dyja këto. Për momentin është shmangur një katastrofë humanitare. Por kriza do të mbetet deri sa të ketë një zgjidhje politike që garanton respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne duhet dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për të parë që progresi do të vazhdojë.” Mbaron citati i Sekretares Albright.

Dhe vërtet, historia i dha të drejtë zonjës Sekretare Madeleine Albright, sepse NATO u dha fund iluzioneve të Millosheviqit, kurse çlirimi i Kosovës dhe pavarësimi i saj më pas, i shtoi Evropës dhe botës një shtet të ri dhe demokratik, ku respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve: Republika e Kosovës.

Lexo po ashtu:  Lajm i shumëpritur - Në Kosovë prej tash, do të rimbushen shishet e plastikës dhe ato të qelqit

Ky përvjetor i 23-të i bombardimeve të NATO-s, fatkeqësisht u shënjua nga largimi i zonjës Madeleine Albright prej jetës, e cila na la dje, më 23 mars. Mirëpo ky emër është skalitur në historinë moderne të Kosovës, ashtu sikurse figura e Madeleine Albright që është monumentalizuar që në të gjallë të saj në një bust në qendër të Prishtinës. Këtë 24 mars, në ditën e parë të vitit të 24-të që nga bombardimet e NATO-s dhe në ditën e parë pa këtë protagoniste historike, nga këtu dua t’i themi: Faleminderit zonja Sekretare Madeleine Albright.

Më 1937, kur ajo lindi në një familje hebreje në Pragë dhe u pagëzua me emrin Marie Jana, babai i saj shërbente si atashe shtypi në ambasadën e Çekosllovakisë në Beograd. Më 1999, plot 62 vite më pas, Madeleine Albright ishte më këmbëngulësja për bombardimin edhe të Beogradit dhe vetë Serbisë së Millosheviqit.

Ajo ishte një nga dy zyrtarët e lartë të shtetit që më së shumti ndikoi në bindjen e Presidentit amerikan Bill Clinton, që ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte vendim i duhur dhe i domosdoshëm. Vetë Madeleine Albright, e konsideronte si një nga arritjet që më së shumti e bënte krenare, pikërisht ndihmën e dhënë për Kosovën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sa ajo ishte Sekretare e Shtetit, e para grua që mbajti këtë post të lartë. Për ne, arritja më e madhe ishte që në kohën më të vështirë dhe më vendimtare për Kosovën, ne patëm në anën tonë politikanë si Madeleine Albright, Bill Clinton, Tony Blair, Joschka Fischer, Jacques Chirac dhe të tjerë, që e kuptuan drejt historinë e luftës së shqiptarëve në Kosovë për liri dhe nevojën për angazhim ndërkombëtar në çështjen e Kosovës.

Më 2007, në librin e saj “Memo për Presidentin e zgjedhur: si mund ta rikthejmë reputacionin dhe lidershipin e Amerikës”, Madeleine Albright ka parashikuar me saktësi profetike rrezikun rus për Evropën dhe paqen në botë, duke shkruar se: “NATO-ja tejkaloi kundërshtimet e Boris Jelcinit në vitet 1990-ta kur u përball me Sllobodan Millosheviqin dhe shpërfilli paralajmërimet e Putinit në dekadën e tashme kur u pushtua Iraku. Putini vazhdoi të gjente gabime në politikat amerikane për mbrojtje nga raketat si dhe për Kosovën, pastaj vendosi t’i ngrisë përsëri në qiell bombarduesit bërthamorë të Rusisë për patrullime të rregullta. Kam frikë se një përvijim i ri që ndan Perëndimin nga Lindja, do të gdhendet në tokë, si një vijë që na përkujton Perden e Hekurt”.
Pra, lufta në Ukrainë po i jep sërish të drejtë Madeleine Albrightit dhe vetë politikave të dikurshme të saj për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Atë kohë, trupat ruse të ardhura nga Bosnja, patën dështuar në përpjekjen e tyre për të minuar vendosjen e trupave të NATO-s në Kosovë, në Aeroportin e Prishtinës.

Sytë e botës sërish janë kthyer kah NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mes tyre, edhe sytë e Kosovës që e rrezikuar nga Serbia proruse në fqinjësi, vëzhgon me vëmendje zhvillimet në Ukrainë dhe reflektimet e tyre në Ballkan, teksa vazhdon të kultivojë aleanca strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe vendet e tjera perëndimore.
Këtu e 23 vite më parë, më 24 mars 1999, kur avionët e NATO-s hodhën bombat e para mbi Jugosllavi, pak kush mund ta ketë imagjinuar që djem dhe vajza shqiptarë të Kosovës që atë kohë ishin fëmijë, pas vetëm dy dekadash, do të përbënin një forcë ushtarake profesionale që aspiron të bëhet pjesë e NATO-s dhe që krah ushtrisë amerikane, përfshihet në misione paqeruajtëse ndërkombëtare me simbolet e Republikës së Kosovës. Ashtu sikurse më 1999 NATO erdhi në Kosovë, tani është koha që Kosova të shkojë në NATO.

Lexo po ashtu:  Lëvizja Vetëvendosje: Partitë tjera po tentojnë manipulim në zgjedhje

Sot, Kosova ka ende nevojë për NATO-n, por sot dhe çdo ditë e më shumë, Kosova po bëhet secilën herë e më e gatshme dhe e aftë për t’iu bashkuar NATO-s. Andaj, Qeveria e Kosovës e ka dyfishuar buxhetin për Ministrinë e Mbrojtjes duke e përafruar në nivel me vendet e NATO-s, teksa po vazhdojmë me devotshmëri të zbatojmë planin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri moderne, profesionale dhe të aftë për të ndërvepruar në operacione ushtarake dhe paqeruajtëse me ushtritë e NATO-s. Kosova nuk do luftë. Por gjithashtu nuk është e pavëmendshme ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve të sigurisë në rajon dhe në botë.

Andaj ne jemi rreshtuar qartë që në vitin 1999: me NATO-n, me Bashkimin Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Britaninë e Madhe. Për një republikë demokratike dhe përparimtare, për një Kosovë të zhvilluar dhe të sigurt si dhe për një kontinent që mirëmban vlerat e tij të lirisë, siç po bëjnë sot ukrainasit përballë agresionit të Rusisë së Putinit.

Shqiptarët e Kosovës, mbase janë i vetmi popull që është vrarë e torturuar edhe për shkak të thirrjes për mbështetje NATO-s. “Ku është NATO? Ku e keni NATO-n?” – ishin disa prej frazave më të përsëritura nga ushtarët dhe policët serbë gjatë dëbimit dhe masakrave hakmarrëse të tyre mbi shqiptarët në Kosovë në pranverën e vitit 1999. NATO është këtu mes nesh në Kosovë për sigurinë tonë, bashkë me vajzat dhe djemtë ushtarë të FSK-së, të gatshëm për ta mbrojtur sovranitetin e Republikës së Kosovës nga çdo rrezik a cenim eventual.

Kosova dhe populli i saj, do t’u mbeten përherë mirënjohëse vendeve anëtare të NATO-s që më 1999 u përfshin në bombardimin e Serbisë, duke u dhënë fund masakrave më të mëdha në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore. Më 1999, bombat e NATO-s kanë rënë vetëm fare pak metra larg nga vendi ku jemi ne sot këtu, duke alarmuar botën demokratike për krimet e Serbisë. Sot, bartës të asaj trashëgimie politike vazhdojnë të udhëheqin me Serbinë, bashkë me synimet e tyre ndaj Kosovës e me lidhjet e tyre me Rusinë.

Në këtë pikë, Kosova mbetet e lidhur fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj, ndërkohë që ka maksimalizuar përpjekjet për anëtarësim në NATO. 23 vjet pas bombardimeve të NATO-s mbi Serbi, kjo histori u rikthye si alibi në diskursin ndërkombëtar nga Kremlini. Por është pikërisht lufta në Ukrainë, ajo që po e rikonfirmon se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte e drejtë dhe se vetëdija e popujve për liri, mbetet motori më i fuqishëm i historisë.

Ju faleminderit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *