Leximi të zgjat jetën. Ky është mësimi më i madh që na ka lënë Umberto Eco në një rubrikë që nisi në faqen e fundit të “L’Espresso“ në marsin e vitit 1985, dhe vazhdoi çdo javë deri në marsin e vitit 1998. Ajo u quajt “Zaefi i Minervës”, dhe reflektimet që ka bërë intelektuali i famshëm janë përmbledhur në një libër me të njëjtin emër të botuar në vitin 2002.

Ja cilat janë fjalët e Umberto Eco-s mbi fuqinë e leximit:

“Është e vërtetë që kur nuk ndodh asgjë, ne themi që koha nuk kalon kurrë. Kur kemi kaluar orë apo ditë emocionuese themi se koha ka ikur sa hap e mbyll sytë. Por kjo na ndodh vetëm kur jemi të mërzitur apo emocionuar. Ndërkohë, përpiquni tani të mendoni për një ditë ose javë të mërzitshme që keni pasur disa kohë më parë.

Ju do të mbani mend shumë pak prej tyre, dhe ato orë apo ditë që janë të gjitha të njëjta do të krijojnë një hapësirë ​​shumë të shkurtër në kujtesën tuaj. Ka njerëz që pasi kanë arritur në fundin e jetës së tyre, pasi kanë bërë çdo ditë të njëjtat gjëra, kthejnë kokën pas dhe as që u duket sikur kanë qenë edhe ata në këtë botë.

Gjithë jeta u iku tepër shpejt. Ndërkohë mendoni për një dite apo një jave në të cilën ju kanë ndodhur shumë gjëra emocionuese, njëra pas tjetrës, (qofshin gëzime, gjëra të bezdisshme, apo dhimbje): do të mbani mend orë apo ditë të plota, do të keni përshtypjen se keni jetuar shumë.

Lexo po ashtu:  Cila është e vërteta rreth rrezatimit 5G?

Unë besoj se kjo është një nga arsyet se përse njerëzit i janë përkushtuar gjithmonë rindërtimit të së kaluarës, si përmes tregimeve gojore të më të moshuarve që na rrëfenin histori rreth vatrës së zjarrit, po ashtu edhe përmes historive të shkruara në libra.

Dikush që së bashku me kujtimet e tij personale, ka edhe kujtimin e asaj dite kur u vra Jul Cezari, ose të betejës së Vaterlosë, kujton më shumë gjëra sesa dikush që nuk di asgjë mbi atë që u ka ndodhur të tjerëve. Ndër kujtimet e mia, unë kam disa tejet emocionale, për gjëra që nuk më kanë ndodhur mua, por babait, nënës ose gjyshes, që m’i kanë treguar (madje shumë herë) ndaj ato janë bërë pjesë e kujtesës time personale.

Duke kujtuar më shumë, mua më duket sikur kam jetuar më gjatë. Mendoj se kjo është një arsye e mirë për të lexuar libra, pavarësisht nga arsyet e tjera, estetike apo edukative, që thuhen zakonisht. Natyrisht, nëse dikush lexon i detyruar (siç ndodh ndonjëherë në shkollë), përvoja është e mërzitshme, dhe për rrjedhojë ajo nuk lë gjurmë në kujtesën e tij.

Por është ndryshe nëse lexon për pasion. Botuesi i madh Valentino Bompiani tha dikur: një njeri që lexon vlen sa për dy. Kjo thënie ka kuptimin që lexuesi është më i kulturuar, di më shumë gjëra se të tjerët, dhe mund të jetë më i suksesshëm në jetë.

Lexo po ashtu:  Si vërtitet bota

Por ne e dimë shumë mirë që ndonjëherë kanë sukses edhe njerëz pa shumë vlera dhe që nuk kanë lexuar asgjë. Jo, nuk duhet lexuar për të pasur sukses, por për të jetuar më gjatë. Gjatë fëmijërisë time më kanë ndodhur shumë gjëra, ashtu si gjithë të tjerëve.

Madje edhe kujtimi i shumë netëve të kaluara në vendstrehime gjatë luftës, ndërsa atje lart dëgjoheshin shpërthime, ne luanim me djemtë e tjerë, janë një pjesë emocionuese e së shkuarës sime. E megjithatë kam ndjesinë se kam pasur një fëmijëri shumë të gjatë dhe të plotë, pikërisht sepse është plot me kujtime që kam vjedhur nga të tjerët.

I kam vjedhur nga Sandokan dhe Yanez teksa ata lundronin në detet e Malajzisë me anijen e tyre, nga d’Artagnan që zhvilloi duelin me baronin de Winter, nga Njeriu me Maskë që ndoqi pa asnjë shpresë Diana Palmer, madje edhe me Renzo dhe Lucia që arratisen në liqenin e Komos.

Megjithatë, mos u shantazhoni nga ata që ju thonë se duhet të lexoni vetëm libra të rëndësishëm. Unë kam kujtime të forta dhe të bukura nga librat ndoshta të pakuptimtë, por që më kanë dhënë pasdite të gjata shumë emocionuese.

Unë i jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që duke shkruar për mua, më kanë dhënë një jetë kaq të gjatë, saqë nuk mund t’i kujtoj të gjitha përnjëherë. Për këtë shpresoj të jetoj gjatë për të kujtuar gjithçka që më thanë. Ndoshta kur je shumë i ri nuk mendon se ia vlen të jetosh shumë, por ju siguroj që edhe pas të 30-ave apo 40-ave, të jetuarit më shumë nuk është diçka që duhet neglizhuar.

Lexo po ashtu:  Kjo pajisje e çuditshme do të zëvendësojë celularët shumë shpejt

Prandaj leximi tani është garanci e mirë, nuk e them për pleqërinë, por për një moshë të pjekur e cila nuk do të vonojë të vijë. Përveç argëtimit të tanishëm. Nëse çdo transmetim televiziv është i njëjtë me atë të javës së kaluar, çdo libër, edhe më idioti, është i ndryshëm nga një tjetër”.

Kush ishte Umberto Eco?

I lindur në Alessandria në vitin 1932, Umberto Eco ndoqi Liceun Klasik dhe më pas Universitetin e Torinos, ku u diplomua për filozofinë mesjetare në moshën 22 vjeçare me një tezë mbi estetikën e Shën Thoma Akuinit. Deri në vitin 1959 punoi në programet kulturore të RAI dhe në shtëpinë botuese Bompiani.

Nga viti 1971 u bë profesor i Semiotikës në Universitetin e Bolonjës. Ka bashkëpunuar me gazeta dhe revista italiane dhe të huaja. Në Itali ishte ndër të parët që studioi mekanizmat e artit bashkëkohor dhe kulturës masive. Në vitin 1980 botoi kryeveprën e tij, romanin “Emri i trëndafilit”, ndërsa në vitin 1999 mori çmimin e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Letrave. Vdiq në vitin 2016. Gjatë jetës së tij, mori 40 grada nderi për kërkimet dhe studimet e tij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *