Me anë të një rezolute të miratuar nga parlamenti, Franca e ka cilësuar gjenocid trajtimin që Kina i bën pakicës myslimane ujgore. Vendimi pritet të tensionojë marrëdhëniet midis Parisit dhe Pekinit dy javë përpara Olimpiadës Dimërore.

Denoncimi përmes kësaj rezolute u propozua nga socialistët opozitarë dhe u mbështet edhe nga partia e presidentit Macron, Republique en Marche.

Në rezolutë thohet se Asambleja Kombëtare “njeh zyrtarisht dhunën e ushtruar nga Republika Popullore e Kinës kundër ujgurëve si krime kundër njerëzimit dhe gjenocid”.

Parlamenti i bën thirrje qeverisë franceze të ndërmarrë “masat e nevojshme brenda komunitetit ndërkombëtar dhe në politikën e saj të jashtme ndaj Republikës Popullore të Kinës” për të mbrojtur grupin e pakicave në rajonin e Xinjiang.

“Kina është fuqi e madhe. Ne e duam popullin kinez. Por refuzojmë t’i nënshtrohemi propagandës nga një regjim që përfiton nga hezitimi ynë për të kryer haptas gjenocid”, citon France 24 kreun e Partisë Socialiste, Olivier Faure.

Gjatë fjalës së tij në Parlament, Faure solli dëshmi të ujgurëve mbijetuar, të cilët rrëfejnë kushtet brenda kampeve të internimit, ku burrat dhe gratë nuk mund të rrinë shtrirë në qeli, përdhunohen, torturohen dhe u nënshtrohen transplantimeve të detyruara të organeve.

Lexo po ashtu:  Rama mesazh shqiptarëve: Kemi hyrë në një fazë delikate - Çdo familje, ndërmarrje, familje, qeveria është në hall.

Rezoluta pason një lëvizje të ngjashme në Britani në prill të vitit të kaluar, që solli reagimin e Kinës.

Në shkurt të vitit të kaluar, edhe parlamenti holandez dhe ai kanadez e cilësuan gjenocid dhunën e ushtruar mbi ujgurët. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe qeveria amerikane nën ish-presidentin Donald Trump.

Shtetet e Bashkuara, Britania, Australia dhe Kanadaja kanë njoftuar bojkotimin diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, të cilat fillojnë më 4 shkurt.

Kina mohon gjenocidin ose ekzistencën e kampeve të punës së detyruar në Xinjiang dhe ka akuzuar ujgurët se gënjejnë për atë që ndodh brenda rajonit veriperëndimor.

Rezoluta parlamentare franceze vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian po peshon se si t’i përgjigjet një bllokade kineze të eksporteve të Lituanisë, si dhe shtypjes së lirive demokratike nga Pekini në Hong Kong.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *