Këndvështrimi i psikologut lidhur me shkaqet dhe pasojat e ndjenjës së frikës në zhvillimin e personalitetit të njeriut. Çfarë këshillon libri “Sekreti i fëmijëve të lumtur” nga autori Steve Biddulph?

Entela Bineri

Që në nisje të rrugës së jetës individi shoqërohet nga ndjesia e frikës, e cila nuk është e njëjtë te çdokush dhe po ashtu nuk zhvillohet njësoj te gjithsecili. Kështu, nëse takon një gjysh 65-vjeçar, siç është rasti i Ali Kardashit teksa ai përkujdeset për nipin e vet, mëson se qëndrimi i tij lidhur me edukimin e fëmijëve bazohet fort te disiplina e rreptë, te nxitja e ndjenjës së frikës nga autoriteti i lartë prindëror, i cili, ndonëse ushtrohej edhe përmes goditjes së fëmijës, sipas tij, ishte i përligjur. Kjo sillte rezultat pozitiv në ndërtimin e një individi të shëndetshëm, gjithnjë sipas tij. Në kundërshti me të vjen Fatmira Shkira, 49-vjeçare, nënë e një vajze 21-vjeçare, e cila e përcakton tejet të ulët dhe çedukues frymëzimin e frikës dhe ushtrimin e dhunës.

Në rastin e Ali Kardashit, tashmë gjysh, ai pohon se është goditur nga prindi i tij, ka goditur po ashtu fëmijët e vet, sigurisht për të mirën e tyre dhe shfaqet i pakënaqur që “dajaku” paska dalë mënjanë. Nga ana tjetër, Fatmira Shkira, ndonëse e divorcuar, edhe pse ka përjetuar ndjesinë e të qenit refugjate, dëshmon se kundrejt saj nuk është nxitur ndjenja e frikës, edhe pse ka qenë fëmija i katërt në familjen e saj të mëparshme. Për rrjedhojë, edhe ajo me të bijën ka ecur në të njëjtën vijimësi. Teksa pyet fëmijët dhe adoleshentët lidhur me ndjenjën e frikës, përgjithësisht, ata nuk e njohin këtë ndjesi. Ata kanë frikë nga errësira, ndoshta pak edhe nga qentë, por jo nga prindërit, jo nga mësuesit, jo nga kafshët dhe kjo është pozitive.

Por habia e tyre kur u përmend frikën dhe mosnjohja e saj është dëshmi e një mungese parapërgatitjeje për jetën. Duket se shoqëria shqiptare, e lodhur nga frikat e fëmijërisë së dikurshme, për të shprehur mendimin, për të pyetur mbi të rejat që e ngacmojnë një fëmijë ka kaluar tashmë në skajin e kundërt, atë të lirisë pa kufi. Ali Kardashi, sot gjysh, dëshmon se edhe në moshë madhore ndaj tij është nxitur frikë prej eprorëve. Ai gjithashtu ka bërë të njëjtën gjë ndaj vartësve, sepse kjo e çonte “para” punën. Edhe tani, ndaj më të vegjëlve “që nuk ia dëgjojnë fjalën”, prapë godet, sigurisht për të ushtruar autoritet dhe disiplinë. Natyrisht as vetë, as tani nuk ka shpëtuar nga ndjenja e frikës.

Lexo po ashtu:  Në nderim të të gjitha nënave që i rrisin fëmijet pa burrin e tyre dhe babanë e fëmijëve

Frika e tij aktuale është thënia e së vërtetës për shumë probleme, pasi tani shumëkush është i armatosur dhe logjika e njerëzve ka humbur, respekti ndaj familjarëve, po ashtu. Në këtë realitet, Fatmira, e ardhur nga emigrimi në Greqi së bashku me të bijën, mezi po pret të largohet sërish për të shkuar në Vjenë, aty ku vajza e saj do të vazhdojë studimet e larta. Në gjithë këtë ajo që na shqetëson është se sa ndikon në formimin e personalitetit të individit ndjenja e frikës dhe mënyra si administrohet ajo.

Cilat janë frikat që lindin me ne dhe cilat ato që kultivohen falë edukimit në periudha të ndryshme moshore dhe gjendje të caktuara në jetë?

Silvana Loka, psikologe klinike/psikoterapiste, shtjellon konceptin e frikës, shkaqet që e prodhojnë atë dhe pasojat në jetën e individit, duke zënë fill si ndjenjë që prej fëmijërisë.

Çfarë është frika si emocion?

Frika përfshin ndjenjën e ankthit dhe mospranimit/refuzimit të një personi apo një situate të caktuar dhe që shpesh shoqërohet me sjellje shmangëse nga vetë personi apo situata që e ka shkaktuar këtë ndjenjë. Frika është një emocion që është i pranishëm te çdo njeri, sidomos në moshën e fëmijërisë. Si fillim, do të duhet të qartësojmë diçka të rëndësishme. Frika, jo gjithmonë, nuk është një emocion i keq, që duhet shmangur apo që duhet luftuar. Frika, sidomos në stade të ndryshme të zhvillimi te fëmijët, është një tregues i zhvillimit të vetë fëmijës. Ajo mund të jetë tregues i nivelit në të cilin një fëmijë arrin ose nuk arrin të njohë një njeri apo të kuptojë një situatë ose fenomen. Gjithashtu frika mund të tregojë lehtësisht se cilët janë kufijtë e duresës së një fëmije.

Lexo po ashtu:  Mos e merrni edhe aq shtruar, këto 12 shenja janë kambana e alarmit që po rrisni fëmijët të llastuar

Kur nis frika te fëmija?

Frika mund të përjetohet qysh në moshë të hershme të fonjshës. Foshnjat deri 5-6 muajshe përjetojnë frikë nga njerëzit e panjohur. Deri nga fundi i viti të parë të jetës foshnjat përjetojnë elemente të fuqishme të frikës dhe ankthit, sa herë që prindërit apo njerëzit e njohur për ta largohen dhe foshnjat ndihen vetëm. Përgjatë moshës 3-6 vjeçare fëmijët, për shkak të vështirësisë për të bërë dallimin midis realitetit dhe imagjinatës, përjetojnë frikëra të ndryshme nga koncepte ose feneomene që janë përgjithësisht fryt i imagjinatës, të tilla si përbindëshat, fantazmat, etj. Përgjatë viteve të para të shkollës, me pjekjen e mendimit realist për botën, tentojnë të kenë frikëra nga sëmnudjet e ndryshme, vdekja ose dukuritë natyrore si vetëtimat, tërmetet, etj.

A përcillet te fëmija në barkun e nënës frika e vetë nënës?

Ka studiues që janë të mendimit se frika mund të përjetohet nga foshnja ende e palindur, për shkak të natyrës tejet të ngushtë të lidhjes midis reagimeve trupore të tij dhe nënës. Në parapërgatitjet e nënës për shtatzëninë, si dhe në mbështetjen përgjatë shtatzënisë, ne, psikologët, vazhdimisht theksojmë ndikimin që kanë sjellja dhe reagimet emocionale të nënës në zhvillimin e foshnjës. Ka disa teoricienë që vitet e fundit kanë folur edhe për mundësinë e ekzistencës së kujtesës të tranferueshme nga nëna te foshnja, por këto mendime janë ende subjekt i kërkimeve shkencore. Sidoqoftë, vlen të theksohet fakti se reagimet fiziologjike të trupit të nënës në situata frike, sidomos të frikës ekstreme dhe të përsëritur, lënë gjurmë në funksionimin e fiziologjisë së foshnjës.

Lexo po ashtu:  Të disiplinosh një fëmijë në mënyrën e duhur, kjo është pjesa më e vështirë e prindërimit.

A mund të klasifikohen frikërat?

Përgjithësisht, në praktikën tonë klinike, ne psikologët kemi nevojë të bëjmë një përcaktim të intensitetit të frikës. Frikërat e ndryshme përgjatë fëmijërisë, nëse janë të vazhdueshme dhe nëse prindërit apo edukatorët/mësuesit nuk bisedojnë me fëmijët për të shpjeguar fenomenet e ndryshme që shkaktojë frikërat dhe nëse nuk forcojnë te fëmijët besimin se frikërat mund të kuptohen dhe të menaxhohen, ato (frikërat) fillojnë të marrin natyrën e ankthit. Ankthi është një reagim shumë kompleks, i cili përfshin frikën e vazhdueshme, vështirësi në përqendrim dhe të menduar, pagjumësi, djersitje të duarve, ndjesi të vjelli, marrje mendsh, dhimbje koke, mungesë dëshirë për të ndjekur aktivitet e përditshme, etj.

Si ndikon ndjesia e frikës në formimin e personalitet dhe zhvillimit në të ardhmen?

Pa diskutim që frikërat ndikojnë në formimin e personalitetit të një fëmije. Ashtu sikurse ndikojnë dashuria, lumturia, zemërimi, neveria, urrejtja, etj. Emocionet luajnë një rol të jashtëzakonshëm në atë që fëmijët do të bëhen kur të rriten, edhe pse përgjithësisht prindërit dhe edukatorët/mësuesit kanë një vëmendje të posaçme ndaj forcimit të kapacitetit mendor dhe sjelljeve të mira. Praktika klinike më ka dhënë mundësinë që të punoj me fëmijët dhe, sidomos, me prindërit e tyre për rëndësinë që ka rritja e fëmijës pa frikën nga e panjohura, pa frikën e gjërave që nuk i kuptojnë, pa frikën e dështimit të mundshëm, për shkak të padijes dhe mungesës së guimit, pa frikën e të besuarit te vetja. Sado shumë të investohet dashuri, kohë dhe pará për ta kthyer një fëmijë në një të rritur të suksesshëm, ky investim mund të minohet në çdo çast nga reagimi: “Unë e di që mund ta bëj, por kam shumë frikë!”.

A ka frikëra që na shoqërojnë që prej fëmijërisë përgjatë gjithë jetës? VIJON NESËR! /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *