Në listën e fshatrave më të bukur të Shqipërisë, është pa dyshim Vunoi.

Vunoi i fton vizitorët jo vetëm me bukurinë që ofron për sytë e për shpirtin, por edhe me historinë, kishat, njerëzit dhe kulinarinë. Mikpritja e kalldrëmeve të këtij vendi është ende dominuese. Njerëzit janë të ngrohtë dhe janë ata që bëjnë lidhjen mes detit të kaltër dhe gurëve të fshatit ku janë vendosur shtëpitë shekullore.

Pamja që të shpaloset nga Vunoi është mahnitëse dhe e pakohë. Ajo të magjeps si nën temperaturat e larta, kur vërshojnë turistët, ashtu edhe në kohë dimri ku duket se gjithkush e gjithçka struket në meditim. Edhe në këto ditë dhjetori, Vunoi nuk mbetet pa miq të ardhur enkas për këtë kënd parajse.

Çdo hap në Vuno, mban erë Jon dhe çdo drejtim që mund të marrësh të çon në një plazh të mahnitshëm ngjyrë blu.

Vunoi është një vendbanim i hershëm, vërtetuar kjo nga fortifikime paraurbane si dhe qeramika të periudhës së Bronzit. Për fshatin ekzistojnë dokumente në arkivat osmane, ku thuhet se në shekullin e 16-të kishte më shumë se 80 shtëpi.

Lexo po ashtu:  Muzikantët spiunë - Si mblidhej informacioni nga shërbimet e fshehta

Shenjti mbrojtës i Vunoit është Shën Spiridhoni që festohet më 12 dhjetor dhe i kushtohet një manastir në jug të fshatit. Manastiri i Shën Spiridhonit është kisha më e madhe e fshatit. Në një mbishkrim shkruhet se kjo kishë u rindërtua në vitin 1778 dhe u pikturua e gjitha në vitin 1784, financuar nga vetë banorët. Kisha është e tipit bazilikë e përbëhet nga hajati i mbështetur në arkada e kolonada, nga naosi i ndarë në tre nefe, altari dhe apsida. E gjithë kisha ruan vlerat arkitekturore dhe është e pasur me piktura murale. Por janë të shumta kishat që mund të vizitohen në këtë fshat, të cilat dëshmojnë për një kujdes të veçantë ndaj besimit dhe arkitekturës.

Vunoi përveç bukurisë së natyrës, shquhet edhe për një numër të madh intelektualësh të dalë nga kjo tokë. Disa prej tyre janë: Dhimitër Anagnosti, Odhise Grillo, Robert Ndrenika, Spiro Çomora, Anastas Kristofori e shumë të tjerë./atsh/