Arsen Zlaticanin

Zgjedhjet e 30 qershorit ishin zgjedhje pothuaj me një ngjyrë dhe numrat që prodhuan këto  zgjedhje (po të mbyllemi vetëm tek këto numra) japin pak hapësira për konkluzione. Vlen të  përmendet që koalicioni Aleanca për Shqipërinë Europiane (ASHE), dominoi në mënyrë  ekstreme mbi subjektet e tjera që konkuruan në këto zgjedhje lokale. Me detajisht, në bazë të  rezultateve paraprake që gjenden tek faqja zyrtare e KQZ nga 1619 këshillëtarë të këshillave  bashkiakë gjithsejt në Shqipëri, Aleanca për Shqipërinë Europiane do marrë rreth 1555 këshillëtarë (Partia Socialiste me rreth 1137 këshillëtarë) , partia Bindja Demokratike 23 këshilltarë, koalicioni  Shpresa për Ndryshim 12 këshilltarë, partitë që përfaqësojnë minoritetet  17 këshilltarë, partia Fryma e Re Demokratike 8 këshilltarë dhe Partia Komuniste me kandidatët e pavarur 4 këshilltarë.  Sikur të ishin zgjedhje parlamentare numrat e 30 qershorit do prodhonin një fitore absolute me 100%  të mandateve për Aleancën për Shqipërinë Europiane.  Kështu partia Bindja Demokratike edhe pse me mbështetjen e opozitës parlamentare nuk do  merrte asnjë mandat përballë koalicionit të PS-së.  Grafiku i mëposhtëm tregon edhe raportin  në mbështetje popullore, mes mazhorancës dhe opozitës që respekton institucionet e shtetit.

Siç shihet nga grafiku, pjesa opozitare në parlamentin aktual nuk ka mbështetje popullore as edhe për  një mandat parlamentar të vetëm.

Pjesa më interesante e këtyre zgjedhjeve është pjesëmarrja dhe krahasimi i numrave të ASHE me numra  nga zgjedhjet e kaluara ashtu që të konkludohet diçka në lidhje me opozitën joinstitucionale e cila fshihet pas pjesës bojkotuese të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Lexo po ashtu:  “Buzëfryrjet” paguajnë ndjekësit në Facebook dhe Instagram

Në total partitë e koalicionit ASHE në vitin 2017 kishin 786322 vota që përbën 22,78%  të zgjedhësve në  lista në vitin 2017. Tani ASHE ka 715 820 vota që përbën 20.24% të elektoratit në total. Pra ASHE ka  rënie prej rreth 70 mijë  votash, ose 2.54% të elektoratit në total që mund të përkthehet me afro 5% të  elektoratit aktiv (për arsye emigracioni etj., etj., elektorati aktiv në Shqipëri sillet rreth  45%-53%, 10 vitet e fundit).  Për më tepër mjafton të shihet grafiku i mëposhtëm në të cilin paraqitet mbështetja në  përqindje (në raport me elektoratin në total), e Aleancës për Shqipërinë Europiane në zgjedhjet e 30  qershorit dhe zgjedhjet e vitit 2017.  

Siç mund të shihet nga grafiku rënia dhe rritja e votuesve të koalicionit ASHE nuk ka uniformitet. Kështu  në zonat e Shkodrës e Durrësit ASHE ka rënie të fortë, kurse në zonën e Dibrës ka rritje të fortë (që  mund të shpjegohet me kalimin e votave “Çame“ të 2017 tek koalicioni ASHE. Në zonën e Tiranës  rënia  është më e vogël, por e theksuar në bastionet e PD-së, Kamëz e Kavajë. Në Elbasan ASHE ka stabilitet, kurse në Vlorë ka rënie.

Lexo po ashtu:  ‘Dyfytyrësia e shqiptarëve’

Tani në fund do bëj një analizë të pyetjes: Numrat e 30 qershorit, a i garantojnë mazhorancën koalicionit ASHE? Pra, sa mandate mund të merrte koalicioni ASHE sikur të kishim tani zgjedhje parlamentare të  parakohshme dhe pjesëmarrja të ishte gjithëpërfshirëse?

Përgjigja komplikohet pak duke patur parasysh që fshehja e opozitës pas afro 78% e atyre që nuk morën  pjesë nuk tregon fuqinë reale të bllokut opozitar të 13 partive të cilët braktisën rrugën institucionale të të bërit opozitë. Megjithatë përqindjet e votave të koalicionit ASHE në raport me elektoratin në total  tregojnë numrin e mandateve  që mund të marrë mazhoranca. Tabela e mëposhtme tregon se sa  mandate i garantojnë votat e 30 qershorit koalicionit ASHE në dy situatat sikur pjesëmarrja në votime të  ishte si e vitit 2015 dhe si e vitit 2017.

Për ilustrim do të shpjegoj rastin e zonës zgjedhore Elbasan. Zgjedhës tani ka 343 258 kurse  pjesëmarrjet në votime kanë qenë 47.69%  dhe 48.51% (votat e vlefshme në raport me elektoratin në  total në Elbasan) në vitet 2015 dhe 2017 respektivisht. 77 594 votat që ASHE mori me 30 qershor në  rastin e pjesëmarrjes të vitit 2015, do garantonin 7 mandate për ASHE pavarësisht konfiguracionit  opozitar (në një koalicion të gjitha partitë apo të ndara). Në këtë rast ASHE në Elbasan do kishte  47.4%  të votave të vlefshme dhe me një lëvizje prej 0.74% poshtë, garancia për mandatin e shtatë do  humbiste. Kështu ai mandat do i kalonte opozitës n.q.s ajo do dilte e gjitha në një koalicion të vetëm.  Sikur pjesëmarrja në Elbasan të ishte si në vitin 2017, atëherë ASHE do humbiste garancinë e mandatit  të shtatë (megjithëse do ishte shumë afër) dhe ky mandat do varej nga konfiguarcioni  opozitar.  Kolonat  -1M dhe +1M  paraqesin se cfarë lëvizjesh në përqindje duhet të ketë koalicioni ASHE ashtu që ky  koalicion të dalë nga siguria e mandatit që paraqitet tek tabela.

Lexo po ashtu:  Rreth debatit mbi zgjerimin e gjerësisë së detit territorial të Greqisë

Pra, pjesëmarrjet e zakonshme në zgjedhjet shqiptare i japin mazhorancës së sotme garanci vetëm për  60 mandate nga 140  gjithsejt, n.q.s  bazohemi tek rezultatet e zgjedhjeve të 30 qershorit. {Sa për  krahasim numrat e koalicionit ASHE të  vitit 2017 i jepnin këtij koalicion 67 mandate të sigurta. 7  mandatet e tjera i mori si pasojë e konfiguracionit të partive të tjera.

Normalisht që dalja e opozitës si një koalicion i vetëm i rrit shanset asaj, që të marrë sa më shumë  mandate nga pjesa e mbetur e 80 mandateve të tjera. Dalja e opozitës e ndarë do t’i jepte mazhorancës  disa mandate të pasigurta(që nuk varen direkt  nga votat e saj). Gjithsesi numrat e mazhorancës janë tregues se opozita momentalisht joinstitucionale mund të jetë faktor deçiziv në të ardhmen politike të vendit.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *