Gazetaria shqipe është e varur nga lajmi serb dhe grek

Lajmi politik “greko-serb” është lajm i ndërtuar nga perspektiva gjeopolitike greko-serbe. Të jem i qartë, lajmi politik greko-serb, sheh shqiptarët nga perspektiva politike, ekonomike serbe, si dhe nga qëllimet kulturore-etnike serbe.

Të dashur lexues,

Ndërtimi i lajmit dhe informacionit duhet të fillojë nga perspektiva kulturore, historike e sociale. Sepse përpos vlerave tjera, përcaktuese që ka lajmi politik, ai ka edhe vlerat sociale, nacionale e kulturore. Nisur nga kjo perspektivë kuptojmë se shumë (pa)kryeredaktorë shqiptarë të Prishtinës dhe të Tiranës, nuk kanë guximin, që në mënyrë të mosvarur, të lejojnë të kritikohet, të debatohet dhe të “skenohet” rrjedha e politikave serbe në hapësirat shqiptare.

Dy Televizionet shqiptare publike, TVSH dhe RTK, duan që media shqipe të përkthejë, dhe të citojë besnikërisht, agjencitë informative serbe dhe gazetarinë serbe. Por kjo është e rrezikshme dhe e dëmshme, të nderuar lexues.

Pse është e dëmshme kjo gazetari kopjuese?

Është e dëmshme sepse përmes “lajmit politik” serb, parë nga perspektiva serbe, ne keqinformohemi, keqndikohemi dhe përforcojmë idenë se politika serbe e Beogradit është e drejtë, e pamposhtur dhe fituese. Përpos tjerash, lajmi politik serb është i mbështjellë me përbërës të propagandës dhe të retorikës së luftës. E ky marifet në shkencat e medias dhe të retorikës njihet edhe si “public diplomacy”. Njësoj siç është e mundur të ndërtohet e të lançohet lajmi përmes argëtimit (infotainment = information + etnertainmet), po ashtu mund ta ndërtojmë e ta lançojmë lajmin politik përmes gjuhës së propagandës.

Lexo po ashtu:  A e di Papa Françesku që Nënë Tereza ishte shqiptare?

Gjuha politike dhe gazetareske e “lajmit serb”, si për shembull: “e ashtuquajtura Kosovë”, “femra kosovare” (nuk ceket shqiptare), “këngëtarja kosovare” (nuk ceket shqiptare), “nuk do të lejojmë vrasjen e serbëve”, “Kosovo je Srbija”, “Kosovo i Metohija” etj, dëshiron të krijojë një realitet të ri politik në Ballkan.

Kush i prodhoi këto fjalë?

Duhet të kuptojmë se këto fjalë e shprehje, në lajmin politik serb, i bëri redaktori, gazetari dhe politikëbërësi serb. Kësisoj gjuha e lajmit serb ka “ndërtuar” një konstruksion i cili sajon fotografi të cilat “shpjegojnë realitetin historik, kulturorë, e të rëndë, të serbëve” në Kosovë. Shprehjet gjuhësore kanë forcë të madhe që të ndërtojnë realitete. Shembull: “Kosovo je Srbija”, “çamët ishin bashkëpunëtorë të nazizmit”, “Epiri verior”, “pakti me detin”, pastaj fjalët si “serbët ruajnë qetësinë”, “të mos tentojnë t’i sulmojnë serbët me armë”, “Shqipëria e madhe”, “Prishtina po luan lojëra lufte”, etj., etj.

Përmes gjuhës së lajmit politik serb, bindemi se “ky lajm” nuk reflekton realitetin politik. Lajmi politik serb tenton të ndërtoj “fotografi tjetër” përmes përzgjedhjes së fjalëve, figurave retorike, siç është rasti me krahasimin -apo ndërtimin sintaksor të fjalisë.

Lexo po ashtu:  Kush ishte gjeografi i parë që shkruajti për Ilirinë…

Moment tjetër i rëndësishëm për gjuhën e këtij “lajmi”, e i përkthyer në shqipe nga gazetarët shqiptarë, – është se ndërmjetësimi i realitetit ndërtohet nga një perspektivë e caktuar sociale, kulturore e politike. Parë nga lajmi i Beogradit është Prishtina agresive dhe pushtuese!

Shtrohet pyetja; si po informohet publiku shqiptar përmes lajmit serb?

Momenti tjetër e i rëndësishëm, që mund të nxjerrim nga citatet e mësipërme të lajmit serb, është se gjuha nuk bartë vetëm informacione dhe njohuri të padjallëzuara mbi botën, por kjo, gjithashtu, shpreh emocione dhe qëndrime ndaj ndodhive që na rrethojnë. Për shembull: Fjalitë e lajmit serb: “e ashtuquajtura Kosovë”, “Kosovo je Srbija”, janë pushtuese dhe na kthen në luftën e vitit 1999.

Gjuha pra nuk është mjet me vlera neutrale. Ajo është e mbushur me konotacione pozitive dhe negative. Edhe vetë zgjedhja në mes fjalës “kosovare” dhe “shqiptare”, “luftë” dhe “mbrojtje”, shpreh po ashtu një ndryshim vlerash, pasiqë fjala “luftë” zgjon konotacione negative, ndërsa fjala “mbrojtje” nuk e ka një kuptueshmëri të tillë. Poashtu fjala”kosovare” apo “kosovar” ka konotacione politike dhe qëllime ideologjike, ndarjen e “kombit kosovar” nga kombi shqiptar.

Lexo po ashtu:  Di kush gjë: cili ishte misioni i Ballkanit të Hapur?

Gjuha e lajmit nuk është jashtë realitetit, por është pjesë e saj dhe ndikon në të. Kur përdorim gjuhën, ne definojmë dhe “prodhojmë realitetin”. Përzgjedhja e shprehjeve gjuhësore në ndërtimin e lajmit, është çdo herë veprim politik-diplomatik dhe asesi një veprim i pafajshëm dhe “engjëllor”.

Pyetja e madhe: Kush po ndërton lajmin politik shqiptar për shqiptarët?

Nga cila perspektivë kulturore, politike dhe gjuhësore po ndërtohet ky lajm e kjo fotografi politike?

(Shkruar në vitin 2016)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *