Gjermania kërkon në Bashkimin Evropian gjithnjë e më shumë masa të ashpra kundër hakerëve rusë për shkak të sulmit virtual ndaj Bundestagut.

Berlini fajëson shërbimin ushtarak rus dhe flet për “zhvillim të luftës hibride”.

Angela Merkel është e njohur për mënyrën e saj të ftohtë dhe pragmatike. Më 13 maj kancelarja gjermane në mënyrë të pazakontë u shfaq emocionale në pultin e fjalimit para Bundestagut. Një politikane e opozitës e pyeti, se çfarë të dhënash ka për sulmin e hakerëve ndaj Bundestagut në vitin 2015, ku u vodhën të dhëna nga zyra e Merkelit si deputete.

Kancelarja foli për “evidenca të forta” që qendra ruse ndodhen pas vjedhjes të të paktën 16 gigabyte dokumente dhe e-maile nga rrjeti i Bundestagut, mes tyre mijëra e-maile të zyrave të deputetëve. Ajo e lidhi këtë sulm kibernetik me një “strategji të zhvillimit hibrid të luftës, që përmban zhvillim të luftës për desorientim kibernetik dhe shtrembërim të fakteve”.

“Ta them shumë hapur, më dhemb kjo, sepse përpiqem për një marrëdhënie më të mirë me Rusinë”, tha Merkel.

Lexo po ashtu:  Bomba tymi dhe topa gome mbi protestuesit jashtë Shtëpisë së Bardhë – Trump paditet në Gjykatën Kushtetuese

Fajësimi publik

Ky pozicionim i kancelares shënon një kthesë në pozicionimin publik ndaj sulmeve kibernetike ruse. Një pikë kthese, që u iniciua ditë më parë nga Prokuroria e Përgjithshme. Peter Frank kishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar kundër Dmitrij Badin. Hetuesit janë të bindur. 29-vjeçari rus qëndron pas sulmit spektakolar të sistemeve të IT-së të Bundestagut në pranverën e vitit 2015. Softwari dëmtues kishte depërtuar kaq thellë në rrjet, saqë ai duhej të stakohej i gjithi dhe të ringrihej nga e para.

Masa politike e pasuan këtë urdhërarresti. Në fund të majit u thirr në Ministrinë e Jashtme në Berlin, ambasadori rus, Sergej J. Netshajev.

Atij iu bë e ditur se, “Berlini do të angazhohet në Bruksel për përdorimin e regjimit të sanksioneve kibernetike të BE kundër përgjegjësve për sulmin ndaj Bundestagut, mes tyre edhe Herr Badin”.

Ky mekanizëm sanksionesh në raste sulmesh kibernetike u miratua nga Këshilli i Evropës më 17 maj 2019. Në rast sulmesh kibernetike që kanë “pasoja të rënda”, BE mund të vendosë sanksione kundër personave dhe institucioneve që janë përgjegjës. Sanksionet parashikojnë ndalimin e udhëtimit në BE ose ngrirje të pasurive.

Lexo po ashtu:  Vuçiq: Për Kosovën do të na bëjnë presion që të humbim

Julia Schütze, menaxhere e projektit për Politikën e Sigurisë Kibernetike në Institutin “Fondacioni për Përgjegjësi të Re”, e quan këtë masë para së gjithash një “simbolikë politike strategjike”.

Nga muaji korrik, Gjermania mban presidencën e radhës në BE. Ministria e Jashtme i konfirmon Deutsche Welles, se qeveria gjermane ka përgatitur “propozime për një listë sanksionesh në lidhje me sulmin e hakerëve dhe është në shkëmbim me partnerët e BE për procedurat e parashikuara”.

Adresë banimi në shërbimin sekret

Edhe FBI ngre akuza të rënda kundër hakerit Dmitrij Badin, lindur në Kursk, 500 kilometra larg Moskës. Ai me gjasë ndodhet në listën e personave që në vitin 2016 vodhën e-mailet e kandidates Hillary Clinton dhe Partisë Demokratike dhe në fund i publikuan ato, për të manipuluar zgjedhjet në favor të Donald Trumpit.

Edhe platforma hulumtuese Bellingcat e lidh Badin me shërbimin ushtarak rus GRU.

Hulumtuesit kanë gjetur se adresa zyrtare e tij është identike me adresen e njësisë GRU, 26165. Kjo njësi njihet si një “kërcënim i vazhdueshëm i zhvilluar”, (Advanced Persistent Threat). Ky grupim akuzohet edhe për sulme të tjera, edhe ndaj agjencisë së antidopingut, WADA, OSBE apo NATO-së.

Lexo po ashtu:  Ja sa para u mblodhen vetëm për një orë e gjysmë nga diaspora

Megjithatë sigurimi i provave për sulmet kibernetike është i vështirë. Në hapësirën virtuale gjurmët fshihen ose vendosen qëllimisht shtigje dezorientuese. Ka momente dyshimi dhe të dhëna teknike që u mjaftojnë shërbimeve sekrete, kurse gjykatat duan prova të qarta. Për hetuesit gjermanë pati rëndësi ndihma nga Holanda. Kundërspiunazhi i këtij vendi në vitin 2018 zbuloi një sulm ndaj Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW).

“Holandezët patën në dorë kështu një numër të dhënash që vlenin për Prokurorinë e Përgjithshme gjermane”, thotë Julia Schütze.

Të dhëna të qarta që të çonin tek rusi Badin. Gjermania nuk do ta lerë pa shfrytëzuar presidencën e radhës nga 1 korriku, në mënyrë që sulmi ndaj Bundestagut të mos mbetet pa pasoja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *