Mesazhi i sotshëm i Kaja Kallas për pjesëmarrjen në festimet e 9 majit në Moskë, praktikisht ka kërkuar bojkot nga çdo nivel përfaqësimi. Thënë kjo, do të duhet të pritet që edhe ambasadorët e akredituar në Moskë të respektojnë kërkesën e bërë nga Brukseli, çka i vendos një sërë vendesh në pozitë të sikletshme. Por edhe i vendos BE-së një bast të madh për eventualitetin e thyerjes së kësaj politike p.sh nga vende si Hungaria, Çekia, apo edhe Sllovakia, ndonëse Orban ka mohuar pjesëmarrjen.
Megjithatë theksimi për vendet kandidate shkon menjëherë për një adresë: Serbinë dhe Republikën Srpska.
Një pjesëmarrje e Dodik në Paradë përfaqëson një moment përcaktues divorci mes tij dhe BE-së çka do të vendoste rolin e tij në një kontekst të ri dhe shumë të diskutueshëm. Ndërkohë është objektive të supozohet se shmangia e Aleksander Vulin nga qeveria e re serbe e propozuar nga Djuro Macut, lidhet qoftë me faktin se autonomia e tij ndaj Vuçiç dhe identifikimi si një ministër serb që raportonte në Kremlin më shumë sesa në Beograd, ishte e ekzagjeruar për t’u injoruar, aq edhe me këtë fakt simbolik që do ta vinte presidentin serb në pozitën e pakëndshme të atij që sqaron dhe sqarohet duke mbrojtur një vartës që nuk i duhet më.
Dhe duket se me qeverinë e re, Vuçiç ka spostuar një personazh që bezdis këdo me praninë e tij aq lart, për më tepër që më 11 prill ai u vendos edhe nën sanksione nga BE për deklaratat e bëra në Parlamentin Europian. Megjithatë ka një problem me kërkesën europiane. Askush nuk e di mirë se çfarë do të bëjë SHBA me pjesëmarrjen në paradë, pasi një prani e saj në të, do ta zbehte shumë forcën e qëndrimit europiane, edhe pse tashmë BE-ja ka nisur rrugën e të menduarit vetëm për sigurinë e saj.
s.zaimi