– PARANOJA E PASANIKUT TË RI

Në vitrinën e shitores “Dolce & Gabbanna” ka ca kuleta lëkure, që kushtojnë nga 800 euro. Ca metra më tej, në trotuar, një maroken shet kuleta identike, 15 euro njëra. Duke qenë se kuletat në vitrinë dhe kuletat në trotuar kanë të njëjtën pamje dhe të njëjtën markë, aty nga pasditja vjen policia. Në një botë me mend në kokë, do ta fusnin brenda shitësin e paskrupullt. Por, përkundrazi, në këtë botë i hedhin prangat marokenit, për shkak se po i bezdis pasanikët e rinj, me një fakt ulëritës: çmimi i vërtetë i kuletave.

Milionerëve të përjetshëm nuk u lëviz as qimja që njerëzit që ecin në këmbë, njerëzit e zakonshëm, blejnë “Rolex” e “Ray Ban” fals dhe produkte fals “Armani”. Ata jetojnë mbi një re tjetër, jetojnë në qiellin e atyre që konsumojnë produkte të pamundura për t’u falsifikuar. Për sa kohë nuk do të ketë pramatarë të zotët për të kopjuar një jaht, një vilë me katërmbëdhjetë banja, në “Costa Azul”, pasanikët e vërtetë do të flenë rehat. Nuk janë këta, ata që thërrasin policinë për ta prangosur marokenin që shet kuletat.
Po atëherë, kush e thërret policinë?

Në Spanjë po ndodh një fenomen i veçantë (thonë se edhe në Rusi gjithashtu, por unë jetoj vetëm në Spanjë). Këtu, në Spanjë, ka shumë njerëz, të cilët po pasurohen sa hap e mbyll sytë. Bëhet fjalë për pasanikë që nuk janë të racës, për milionerë të beftë, njerëz që nuk kanë pasur as familje të fuqishme në të shkuarën dhe as arsimim të kripur qysh në djep. Pasanikët e rinj, mbi të gjitha, janë pasanikë të trembur se mos humbasin busullën e një statusi, të cilin kurrë nuk e merituan.
Statusi është një çmim prestigji, pothuaj përherë i rremë, që jepet në të gjitha klasat shoqërore. Im atë ende tregon me krenari se, në epokën e Alfonsinit, vidhte plehrat e të tjerëve dhe, fshehurazi, i sillte në shtëpi, me qëllim që, më pas, të dilte në rrugë me qeset e veta të plehrave dhe ta shihte lagjja. Të kishe plehra për të hedhur, asokohe dhe në atë vend, ishte simptomë statusi.

Lexo po ashtu:  Shqiptarja e cila nuk don ta mesoj gjuhen gjermane per pike te qejfit, rrezikon te largohet nga Zvicra?

Ashtu siç, im atë, falsifikonte plehra, kohët e sotme, tregu i falsifikimeve i përkushtohet imitimit të produkteve që quhen “marka”. Kjo praktikë, e cila ndodh në gjithë botën, falë aftësisë së kinezëve, po e nxjerr në pah paranojën e pasanikëve të rinj, të cilët e kanë tejet të vështirë të pranojnë se ka njerëz të varfër dhe të pafat që blejnë po të njëjtat lodra fantazie, si ato të tyret.
Pasaniku i ri e blen një kuletë prej 800 eurosh, jo ngaqë i pëlqen aq shumë produkti në vetvete, as ngaqë i duhet, por ngaqë kuleta ka një kod të njohur: markën. Ky simbol tregon vlerën e tij komerciale në tregun e gjërave. Bëhet fjalë për një kod jo sekret, jo të fshehtë; një kod, të cilin e gjithë bota do ta kuptojë thjesht me një vështrim. Është sikur produkti ta kishte çmimin të gdhendur me zjarr dhe, kësisoj, ata do të ngjallnin zilinë e budallenjve.

Për një çështje rregullash të brendshme, pasanikët e rinj nuk mund të thonë se i blejnë gjërat vetëm e vetëm për çmimet e paarritshme. Kështu që thonë se i blejnë për cilësinë. Sigurojnë se e kanë blerë jashtëzakonisht shtrenjtë një kuletë marke, ngaqë ka qepje më të mirë, ose ngaqë rron një jetë të tërë. Sidoqoftë, dhe gjithashtu për faj të rregullave të brendshme, pas katër javësh nuk mund ta përdorin më, epo ka dalë një kuletë tjetër më e mirë, ose ngaqë tashmë të gjithë ia kanë këqyrur kuletën e parë.

Lexo po ashtu:  Vetmia, psikologjia dhe pleqëria…

Pra, tregu i falsifikimeve është ferri i të cekëtëve. Më e keqja që mund të ndodhë në jetën e një sipërfaqësori, është që një tjetër, për shumë e shumë më pak, mund të mbajë tërë kapardisje, të njëjtat kode madhështie si edhe ai dhe të tregojë po të njëjtën krekosje, edhe në qofshin imitime të rëndomta të kodeve të vërteta, edhe në qofshin si mos më keq qepjet dhe lëkura të çngjyroset që në larjen e dytë.
Në të vërtetë, pasanikëve të rinj nuk u intereson cilësia e sendeve që zotërojnë: u intereson vetëm siguria e të diturit se askush tjetër veç tyre nuk mund t’i ketë ato sende. Për ta, një “markë” tregon sigurinë e mbijetesës si pasanikë, humnerën që i ndanë nga jeta e hershme e vdekatarëve të zakonshëm.

Duhet të kemi parasysh se jo gjithmonë kanë qenë të pasur: janë të saponisur dhe të ngathët në akrobacinë e kamjes. Jo para shumë kohësh, ishin ziliqarë ndaj pasanikëve të vërtetë, ishin mllefqarë që fusnin hundët në jetën e të tjerëve. Prandaj, tani i kap ankthi se mos bien sërish në mjerim.
Prandaj, kur ndeshet me një maroken, i cili, në trotuarin përballë, ofron kode statusi për gjithë botën dhe me një çmim jashtëzakonisht të vogël e të arritshëm, pasaniku i ri ndihet sikur i kanë vjedhur mirëbesimin.

– Unë dua të më rrjepë “Dolce & Gabbanna”, – duket se thërret, – unë dua që një kuletë muti të më kushtoj një thes me para, kam nevojë të tregoj se mund t’i shpërdoroj ato, të mburrem dhe të krekosem, por nuk mund ta duroj dot që të më vjedhin të tjerë. Më mirë të më marrin paratë, të cilat më teprojnë, ama jo vetëvlerësimin, pasi nga ky kam pak!
Është arritur në një shkallë të tillë cektësie, saqë edhe ai që ta fut duhet të jetë dikush me status, pasi në këtë mënyrë mund ta tregosh si trofe, bythën e shqyer. Kufirin mes pasurisë dhe varfërisë, shpesh herë, e vendos rastësia. Nëse ato vajzat, të cilat vdiqën nga anoreksia, këtë javë në Brazil, do të kishin lindur 400 kilometra më në jugperëndim, do të ishin vajzat që vdiqën nga uria, në Bolivi.

Lexo po ashtu:  "Babi ju manë. Qikat e vogla t'mia" – Dy drerë të vegjël shpëtohen në Deçan

Pasaniku i ri e di. E di se është rastësia, dhe jo mundi, shkaktarja e hovit të tij ekonomik. E di se jeta mund t’ia marrë gjithçka, po aq shpejtë sa edhe ç’ia dha. Pasaniku i ri ka nevojë të shkëputet nga njerëzit e thjeshtë. Sepse statusi – duket se thonë pasanikët e rinj – është të zgjedhësh, kush mund të të vjedhë dhe kush jo.
Duket se thonë këtë, por në të vërtetë thonë tjetër gjë. Ajo çka thonë është se i duhet dhënë fund tregut të falsifikimit, pasi ky përfshin shfrytëzimin e kinezëve (të gjorët), të cilët mbahen mbyllur nëpër anije dhe punojnë për një pjatë oriz; thonë se tregu i zi është i dëmshëm, pasi detyron të punojnë fëmijët filipinas dhe kjo gjë, atyre (pasanikëve), u këput shpirtin; thonë se mafiet e markave false, një ditë, do ta shkatërrojnë të mirën e tregut të lirë.

Ja ç’thonë ata, kur thërrasin policinë, që nga celularët e tyre, të fshehur pas një peme:
– Policia? Ejani shpejt në qoshen ku jam unë tani, pasi ka një keqbërës me një çarçaf, në rrugë, i cili po u shet njerëzve gjëra të pavlefshme me çmim të arsyeshëm. Nxitoni, pasi ka shumë të varfër që janë gati të kthehen në pasanikë të rremë!

Hernan Casciari

(Përktheu Erion Karabolli)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *