Themelimi i një shtypshkronje që shtypte libra në gjuhën shqipe, në kohën kur Shqipëria ishte ende nën zgjedhën e Perandorisë Osmane, është një thesar i vyer që vendi ka trashëguar

“Salve veritate” ishte fryma që studiuesi dhe historiani gjerman Markus W.E. Peters përcolli në Shqipëri me librin “Shtëpia botuese më e vjetër e Shqipërisë dhe kontributi i saj për Lëvizjen Kombëtare, arsimin dhe kulturën: “Tipografia e Zojës së Papërlyeme” në Shkodër (1870- 1945)”, promovuar kohët e fundit në Tiranë.

Puna voluminoze kërkimore shtatë vjeçare në arkivat italiane e shqiptare e Dom Markus Peters është një dëshmi e plotë për aktivitetin patriotik, rëndësinë në traditën e historisë së shkrimit shqip dhe vlerat kombëtare të shtypshkronjës së parë në Shqipëri, ku botoheshin libra në gjuhën amtare.

“Tipografia e Zonjës së Papërlyeme” u themelua në vitin 1869 nga Urdhëri i Jezuitëve dhe publikimet e para e panë dritën në vitin 1870. Misioni fillestar i saj ishte misionar dhe teologjik, por shumë shpejt aktiviteti i “Tipografisë së Zonjës së Papërlyeme” u zgjerua në favor të zhvillimit të kombit, të letërsisë, të fjalorit të gjuhës shqipe etj.

Lexo po ashtu:  Kur Pashko Vasa organizoi festë për nder të shkollave të aleancës izraelite në Liban

Shtypshkronja e parë shqiptare ka lënë gjurmë të pashlyera në pastrimin e gjuhës shqipe nga turqizmat, nga ndikimet e huaja, zhvillimin e semantikës, mbledhjen e folklorit dhe hartimin e fjalorëve. Falë “Tipografisë së Zonjës së Papërlyeme” janë rizbuluar shumë fjalë e frazeologji shqipe “të harruara”.

Ajo ka dhënë një ndihmesë të madhe edhe në fushën e letërsisë. Në të u botuan veprat e At Gjergj Fishtës apo At Zef Valentinit, i cili konsiderohej si “një prijës në lëmin e letërsisë”. Nga kjo shtypshkronjë dolën krijimet letrare më të përparuara të kohës dhe ajo u shqua veçanërisht për kontributin me revistën jezuite “Leka”.

Themelimi i një shtypshkronje që shtypte libra në gjuhën shqipe, në kohën kur Shqipëria ishte ende nën zgjedhën e Perandorisë Osmane, është një thesar i vyer që vendi ka trashëguar deri në vitin 1945, kur shtypshkronja u mbyll për shkak të regjimit komunist.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *