Vala e katërt e pandemisë e Covid-19 po ushtron jo pak presion mbi rrjetet spitalore, duke mërzitur shumë njerëz, dhe duke i bërë të duken një marrëzi refuzimet e vaksinave nga disa njerëz. Për të kuptuar më mirë se çfarë e bën dikë që të refuzojë ose vonojë vaksinimin, është e rëndësishme identifikimi i barrierave psikologjike që qëndrojnë në themel të kësaj sjelljeje.

Si një psikologe klinike që punon kryesisht me të rriturit që vuajnë nga problemet me personalitetin, ankthin dhe çrregullimet e humorit, unë kam vëzhguar me shumë vëmendje frustrimin dhe shqetësimin e atyre që janë në zemër të kësaj pandemie. Pas refuzimit për t’u vaksinuar, ekziston një spektër kompleks emocional që dikton sjelljen dhe zgjedhjet e secilit person. Ja cilët janë 9 faktorët kryesorë:

Keqkuptimi dhe mungesa e informacionit

Një pengesë e parë është moskuptimi i vaksinës ose keqkuptimi i nevojës së vaksinimit.

Përballë opinioneve kontradiktore dhe mungesës së informacionit, disa njerëz janë të hutuar: E pse duhet të vaksinohen, kur sërish mund të preken nga virusi dhe ta transmetojnë atë? Pse duhet të vaksinohen të rinjtë, nëse ata janë më pak të prekshëm ndaj virusit? Mos-gjetja e përgjigjeve të kënaqshme për këto pyetje, mund të zvogëlojë gatishmërinë e dikujt për t’u vaksinuar.

Frika nga gjilpërat… dhe vaksinat

Disa njerëz kanë një frikë të madhe nga gjilpërat apo dhimbjet që lidhen me vaksinimin.

Edhe pse kjo frikë mund të duket e paarsyeshme për të tjerët, është diçka që personi që e mbart vuan shumë. Frika nga gjilpërat apo dhimbjet është ndonjëherë aq shqetësuese sa mund të bëjë një person të shmangë çdo situatë që përfshin vaksinimin. Ndonjëherë edhe vetëm shikimi i imazheve të vaksinimit mund të provokojë ankth.

Lexo po ashtu:  PAPA KRISTO NEGOVANI, Martiri i shqiptarizmës shkruar me gjak

Në raste të tjera, frika lidhet me efektet anësore të mundshme të vaksinës. Disa njerëz mund të mos refuzojnë të vaksinohen, por do të presin derisa të jenë vaksinuar më shumë njerëz, në mënyrë që të shohin nëse ka ndonjë efekt anësor afatgjatë.

Ndjenja e pafuqisë

Një pengesë tjetër psikologjike vjen nga ndjenjat e pafuqisë dhe dekurajimit në raport me mundësinë që pandemia të vazhdojë gjatë, pavarësisht fushatës së vaksinimit, sidomos duke pasur parasysh zbulimin e varianteve të reja.

Termi “lodhja pandemike”, pasqyron ndjenjën e lodhjes dhe demotivimit që lind gjatë një kohe krize kur ngjarjet duket sikur përsëriten. Dorëheqja dhe humbja e shpresës, mund të çojë në zvogëlimin e motivimit dhe mosgatishmërinë për të ndjekur rekomandimet e autoriteteve, përfshirë vaksinimin.

I ndërgjegjshëm, por jo i shqetësuar për situatën

Shumë njerëz janë të vetëdijshëm për ndikimin e pandemisë, por nuk ndihen të shqetësuar personalisht. Ata mendojnë:“Unë jam i shëndetshëm, ndaj jam i mbrojtur”. Shpesh këta individë nuk kanë njohuri për sëmundjen dhe vaksinimin, ndaj nuk janë veçanërisht të shqetësuar për efektet e dëmshme të virusit në shëndetin e tyre apo rreziqet e transmetimit tek të tjerët. Në fakt vlen të theksohet se këta njerëz nuk janë kundër vaksinës.

Lexo po ashtu:  Kufomat politike që po sëmurin një shtet foshnjë, - Ju ftojmë të lexoni trajtesën larghedhëse të z. Çipa!

Mosbesimi ndaj përbërësve të vaksinës

Disa njerëz i kushtojnë vëmendje të madhe asaj që hyn në trupin e tyre, dhe mund të shqetësohen për përbërësit e vaksinës ndaj Covid-19. Ata përjetojnë një farë sikleti të fshehtë nga ideja e marrjes së një vaksine dhe mund ta perceptojnë vaksinën anti-Covid si një ndërhyrje, ndotje apo agresion. Duke mos ditur për përbërësit e vaksinës, ata mund të jenë ngurrues apo edhe kundër marrjes së saj.

Ankthi dhe mohimi

Të gjithë reagojmë ndryshe ndaj situatave që provokojnë ankth. Disa hidhen në veprim dhe kërkojnë zgjidhje, të tjerët do t’i besojnë njeriut të tyre të zemrës ose do të ndihen emocionalisht të mbingarkuar. Të tjerët do ta mohojnë realitetin.

Mohimi është një refleks automatik, i pavetëdijshëm që punon si një mekanizëm për të kontrolluar ankthin. Në kontekstin e pandemisë, kjo mund të shprehet si mohim i seriozitetit të sëmundjes, mohim i cënueshmërisë personale nga virusi, apo edhe mohim të ekzistencës së vetë virusit.

Ndjenja e refuzimit dhe përjashtimit

Si qenie shoqërore, ne jemi jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj refuzimit. Refuzimi mund të jetë më i zakonshëm dhe i dhimbshëm për disa sesa për të tjerët. Këta njerëz ndihen më të përjashtuar nga shoqëria dhe nuk e njohin veten në ligjërimin zyrtar apo normat që propozohen në përgjigje të pandemisë.

Lexo po ashtu:  Serbia përballë tapive të Sanxhakut të Nishit

Kur shpallen masat shëndetësore, këta njerëz mund t’i cilësojnë ato si kontrolluese. Kur dikush nuk ndihet as i përfaqësuar dhe as i dëgjuar nga autoritetet, apo kur tallet dhe kritikohet nga grupe të tjera në shoqëri, ka më pak të ngjarë të ndjekë rekomandimet.

Varësia dhe shmangia e konflikteve

Disa njerëz varen më shumë nga opinionet e atyre që qëndrojnë më pranë tyre. Dinamika e marrëdhënies është e tillë që personi dyshon tek vetja e tij, ndaj mbështetet tek personi që ka pranë që të marrë vendime të përditshme në emër të tij, dhe e idealizon këtë të fundit ose kërkon të minimizojë konfliktet me të. Në këto raste, pozicioni dhe zgjedhja e këtij personi do të ndikohet nga fakti që bashkëmoshatari i tij nuk e konsideron vaksinimin si të rëndësishëm.

Kriza e besimit

Faktorët e lartpërmendur si mosbesimi ndaj asaj që hyn në trup, mohimi dhe refuzimi, mund të kristalizohen në një mosbesim më të madh ndaj burimeve qeveritare, autoriteteve shëndetësore dhe industrisë farmaceutike. Nga ana tjetër kjo mund të kthehet në një krizë besimi dhe mosbesimi ndaj rekomandimeve të autoriteteve të shëndetit publik. Besimi tek teoritë e komplotit dhe refuzimi i autoritetit mund të diktojnë të menduarit dhe identitetin e dikujt. Nga ana tjetër, kjo krijon rrezikun e sjelljes së polarizuar. / “The Conversation” – Bota.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *