Libri, që prej pak kohe ka dalë në treg, vjen në gjuhën rumune, nga përkthyesi i njohur Marius Dobresku, si botim i shtëpisë botuese “Humanitas”. “Kalorësi me skifter”, i shkrimtarit të shquar Ismail Kadare, është promovuar në Bukuresht. Rreth veprës së Kadaresë, folën shkrimtarja Ana Barton, kritikja letrare Simona Preda, përkthyesi Marius Dobresku dhe shkrimtari dhe dramaturgu Vlad Zografi, njëherazi pasues i një familjeje të njohur shqiptare.

Në cilësinë e përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar, i ftuar në këtë mbrëmje ambasadori Ilir Tepelena, iu drejtua të pranishmëve në gjuhën shqipe. “Do të flas në shqip, në atë gjuhë të bukur në të cilën shkruan Ismail Kadare. Kjo është e dyta herë, gjatë detyrës sime si diplomat, që jam në një aktivitet që mbahet këtu dhe të dyja herët, ka qenë për Kadarenë. Kjo tregon për mbështetjen që gëzon shkrimtari. Kadareja e ka çuar gjuhën shqipe në lartësi të mëdha, duke qenë në këtë mënyrë ambasadori më i mirë i vendit tonë në botë”.

Në fjalën e saj Drejtorja e shtëpisë botuese Denisa Komënesku u shpreh: “Ismail Kadare është nga të rrallët shkrimtarët evropianë që meriton prej kohësh të nderohet me cmimin “Nobel”. Është i kandiduar prej vitesh të tëra edhe në listat e basteve letrare, ndaj shpresojmë që ai të marrë këtë çmim, ndoshta vitin që vjen në 85-vjetorin e tij”.

Lexo po ashtu:  Kur gazeta franceze njoftonte për shfaqjen e filmit “Skënderbeu” në kinema

Në fjalën e saj znj. Komënesku foli edhe për projektin e afërt të kësaj shtëpie botuese, që në pranverë do të sjellë për lexuesit rumunë, një nga veprat më të shquara të Kadaresë.

“Kadareja”tha Komënesku”- pushtoi” botën me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”… Këtë vit, kur mbushen 30 vjet nga themelimi i shtëpisë botuese “Humanitas” do të sjellim për lexuesit tanë, “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, që shënon edhe veprën e 13-të të Kadaresë. Ju ftoj, ta festojmë bashkë këtë ngjarje”, – janë shprehur drejtuesit e “Humanitas Fiction”.

“Kalorësi me skifter” përmban katër 4 tregime dhe hapet pikërisht me tregimin që i ka dhënë dhe titullin veprës. Në përshkrimin që enti botues i bënte botimit të ri, thuhej: “Ky libër është një udhëtim në botën e absurdit totalitar, një botim që të mbërthen me instrumentet e sakta të një shkrimtari të madh”. Në kopertinën e librit ndodhet Hans Holbein, i riu në një portret-ikonë, i njohur ndërkombëtarisht.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *