Ish presidentja Atifete Jahjaga ka marr pjesë në edicionin e dytë të FemFest që po mbahet në Tiranë, dhe për herë të parë ka prezantuar përballjen me seksizmin, përgjatë mandatit të saj si presidente e Republikës së Kosovës. MekuliPress ju sjell të plotë fjalimin e ish presidentes Jahjaga.

E Dashur Iliriana Loxha-Basha,

Ambasadore Hastad,

Perfaqesues te UNWOMEN,

E dashur Elisa,

E Dashur Jorida,

E dashur Mirela,

E Dashur Igo,

E Dashur Linda Shala,

Paneliste te nderuar,

Mike te Dashura,

Kam një kënaqësi të vecantë të jem në mesin tuaj sot që së bashku të shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Ju falenderoj përzemërsisht për ftesën, e vecanërisht për temën për të cilën jam e ftuar të flas – Seksizmi në Politikë.

Kam shumë për të ndarë nga përvoja ime personale në shërbim publik, por edhe nga observimet e mia në lidhje me këtë temë përgjatë viteve.

Jam menduar shumë se si t’i çasem kësaj teme. Të zbukuroj realitetin, apo të tregohem e sinqertë? Edhe pse kam shërbyer në politikë nga një pozitë neutrale si Presidente e Republikës së Kosovës, vendosa të mos tregohem politikisht korrekte dhe të zgjedhë opsionin e dytë – të jem e sinqertë me ju.

Seksizmi në politikë është një fenomen edhe më i shprehur nga ç’duket. Është aq prezent dhe i përbrendësuar në sistem, sa që është i normalizuar, ç’është më e keqja. Atë e gjejmë brenda partive politike, në parlament, në analiza të ekspertëve, e në media.

Shërbimi im në Presidencë, si gruaja e parë që mban këtë titull në Kosovë dhe në rajon nuk ishte aspak i lehtë. Kur ju them që nuk ishte i lehtë, nuk e kam fjalën për vështirësinë e të drejtuarit një shtet, sepse për atë isha e pregaditur profesionalisht dhe psikologjikisht – e dija se cilat ishin detyrat, obligimet, e sfidat e detyrës. Por, ajo për të cilën nuk isha gati ishte seksizmi i shprehur kundrejt meje në shumë fronte, e nga pothuaj secili entitet i shoqërisë.

Lexo po ashtu:  E dashur mike, kjo letër është për ty që më tradhëtove

Debati që dominonte në diskursin publik ishte pamja ime. Ishin takat e mia, ngjyra e flokëve, thonjët e mi, madhësia e çantave të mia, e pesha ime. Sulmet seksiste ndaj meje janë shprehur në formë komentesh misogjene nga politikanë e politikane, në formë të mungesës së përkrahjes nga shoqëritë civile, me një përjashtim, kur seksizmi manifestohej kundrejt meje, e madje edhe në formë grafitesh me siluetë gjysmë të zhveshur në mure të ndërtesave në qytetet e Kosovës, për të cilat nuk kishte pothuajse fare reagime, përveq nga Rjeti Grave të Kosovës.

Do të isha shumë dakord nëse do analizohesha në linjat e punës simë – në mandatin për të cilin thirresha. Kritika konstruktive më kontribuonte edhe mua për të përmirësuar kualitetin e punës dhe shërbimit ndaj vendit e qytetarëve, por komentet mbi kilogramët e trupit tim, apo gjatësia e flokëve të mi nuk më kanë hyrë aspak në punë, e as nuk më kanë ndihmuar në udhëheqje më efikase. Ndjej keqardhje që e njëjta çasje jokonstruktive, misogjene, e seksiste është ende prezente pasi që e observoj në media, qëndrime politike, e qytetare ndaj Presidentes aktuale të Republikës së Kosovës. Më vjen shumë keq që 12 vite pas marrjes sime të mandatit, gjërat nuk kanë ndryshuar aspak!

Kuotat kanë bërë mrekulli në rritjen e numrit të grave në politikë. Ky mekanizëm ka ndihmuar në shumë aspekte, duke filluar nga inkurajimi i grave dhe vajzave të hyjnë në shërbimin publik, e deri tek perceptimi i qytetarëve për t’ju besuar këto pozita politike grave. Por, kuota nuk ka arritur që plotësisht ta ndryshojë mentalitetin ku pozitat e larta udhëheqëse iu besohen grave.

Gratë që udhëheqin parti në Kosovë e Shqipëri mund të numërohen me gishtat e një dore. Përveç kësaj, seksizmin brenda partive politike mund ta hasim edhe në mënyrën se si alokohen fondet për politikane dhe politikanë brenda partisë. Politikanëve iu sigurohen makina, çasje të shpejtë në resurse financiare dhe humane të partisë, dhe gatishmëri më e madhe e liderëve të partisë për t’ju vënë në ndihmë. Ndërsa politikaneve iu alokohen shumë më pak nga këto resurse. Në fakt, aq është dramatik ky dallim, sa që e dallon edhe garën politike mes dy gjinive. Kampanjat politike mes tyre dallojnë drastikisht.

Lexo po ashtu:  ‘Oh, sa shpejt gabohemi e gënjehemi ne femnat!’

Të mos flasim për seksizmin jashtë partiak gjatë diskutimeve në parlament, gjatë bashkëbisedimeve me komisione parlamentare, apo gjatë takimeve ndërpartiake. Talljet, fyerjet, misogjinia, e mentaliteti patriarkal janë gjithmonë aty. Janë pjesë e retorikës së përditshme në politikë duke i shtyrë gratë e vajzat në margjina të vendimarrjes, politikbërjes, e udhëheqjes së institucioneve.

Madje, shumë shpesh egziston edhe stereotipizimi i punëve edhe brenda politikës – politikanet mirren me punët e grave siq janë – e që s’do duhej të ishin – të drejtat e njeriut, dhuna në familje, dhuna ndaj grave; ndërsa punët e politikanëve ndahen mes tyre në siguri, rend dhe ligj, infrastrukturë e deri vonë edhe diplomaci.

Të dashura Mike,

Pa dashur të gjeneralizoj, por po e ndaj me ju pasi e kam vërejtur si një fenomen të shprehur, ka edhe burra që përforcojnë bindje seksiste ndaj grave në politikë e më pas flasin për seksizmin sikur një dukuri negative që duhet luftuar.

Mbaj mend që disa vite më herët, gjatë kohës sa unë isha duke shërbyer si Presidente e Republikës së Kosovës, Z. Erion Brace, njëri nga panelsitët tentativë të këtij diskutimi sot, emrin e të cilit e kam parë në draft agjendë por që fatkeqësisht nuk gjindet këtu sot, më ofendonte rëndë duke i kontribuuar klimës misogjiniste që tkurrë pjesëmarrjen e grave në sferën publike. Më vjen mirë nëse Z. Brace ka reflektuar dhe bindjet e tij janë transformuar.

Këtij diskursi seksist ndaj grave në politikë po i kontribojnë në mënyrë dramatike edhe mediat dhe analistët politikë. Casja e tyre ndaj politikaneve është, në të shumtën e rasteve, plotësisht e padrejtë, e pavend, jo etike, dhe aspak profesionale. Përderisa fokusi duhet të jetë tek kualiteti i punës dhe rezultatet konkrete të qeverisjes e politikbërjes së tyre, vëmendje e vecantë i vihet pamjes, sjelljes gjoja ‘agresive‘ dhe jo femërore, apo shumë femërore në disa raste, e deri tek jeta personale që nuk vihet ne diskutim në të njejtën masë tek politikanët burra.

Lexo po ashtu:  Këngëtarja shqiptare, Rita Ora, në pullat postare të Kosovës

Të dashura Mike,

Më duhet që patjetër të theksoj edhe seksizmin që e ushqejmë edhe ne si gra ndaj njëra-tjetrës. Numëroj raste të panumërta ku gratë politikane kanë qenë shumë më të ashpra e me të padrejta ndaj grave në politikë. Më ka ndodhur edhe mua, por besoj që secila këtu në sallë, ka rënë pre e një trajtimi të tillë të paktën një herë gjatë karrierës së tyre. Mungesa e solidaritetit po e ndalon progresin tonë kolektiv, të dashura mike. Ne po shndërrohemi në faktorë që e mirëmbajnë patriarkatin. Popullizmi feminist nuk na duhet. Deri diku pajtohem me Maisie Ëilliams e cila thotë që duhet të ndalojmë së thirruri veten feministë, dhe vetëm t‘i emërtojmë ata që nuk janë feministë si seksistë!

Uroj që vetëdijësimi ynë të jetë sa më i shpejtë e të jemi më kritikë ndaj këtij fenomeni sepse asnjë shoqëri nuk e posedon luksin për të humbur kapacitete e potencial që gratë kanë, e që si pasojë e kësaj misogjinie e përbrendësimi të vlerave negative, po stagnojmë. Nga seksizmi nuk përfiton askush, madje as burrat. Sa më parë të e pranojmë këtë fakt, aq më mirë do të jetë për të gjithë ne.

Në fund, dua të bëj thirrje për unitet e solidaritet mes grave në politikë. Dua që të ushqejmë një lidhje të shëndoshë me njëra tjetrën, edhe nëse nuk pajtohemi ideologjikisht apo politikisht – është plotësisht e pranueshme të kemi diversitet mendimesh. Por, e shoh rrënjësore që përkrahja ndaj njëra tjetrës të mos mungojë që ta luftojmë së bashku seksizmin e t’i zhdukim pabarazitë në shoqëri.

Ju faleminderit!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *