Ky ishte njeriu pas bombës atomike. Por pas Hiroshimës dhe Nagasakit, qeveria amerikane e trajtoi në një mënyrë që askush nuk do ta kishte imagjinuar…

Historia e J. Robert Oppenheimer-it, gjeniut që krijoi bombën atomike, është një histori dramatike e tradhtisë, dyshimit dhe pendesës.

I lindur në New York më 1904 nga një familje e pasur emigrantësh hebrenj gjermanë, Oppenheimeri ishte i jashtëzakonshëm që në rini. Ai zotëronte rrjedhshëm 8 gjuhë dhe përfundoi universitetin në Harvard për vetëm 3 vjet. Në moshën 23-vjeçare, fitoi doktoraturën në fizikë, duke e vendosur veten në radhët e shkencëtarëve më premtues të kohës.

Në vitet 1930, Oppenheimeri u bë profesor në Caltech dhe UC Berkeley, duke shndërruar këto institucione në qendra kërkimore të nivelit të lartë. Studimet e tij mbi grimcat nënatomike e çuan drejt projektit që do të ndryshonte botën dhe jetën e tij përgjithmonë…

Në 1942, në moshën 38 vjeç, Oppenheimer mori drejtimin e Projektit Manhattan – përpjekjen sekrete të SHBA për të krijuar bombën e parë atomike. Me një ekip prej mbi 3000 shkencëtarësh dhe një buxhet prej 2 miliardë dollarësh, ai udhëhoqi punën në laboratorin e Los Alamosit, në New Mexico.

Lexo po ashtu:  Friedrich Engels mbi marrdhëniet romantike!

Më 16 korrik 1945, ai pa testin e parë bërthamor, Trinity, dhe mbeti i tmerruar. Me mendje iu rikthye një varg nga shkrimet hindu: “Tani unë jam bërë Vdekja, shkatërruesi i botëve.” E kuptoi se kishte krijuar një përbindësh.

Vetëm tri javë më vonë, bombat atomike shkatërruan Hiroshimën dhe Nagasakin, duke vrarë mbi 200,000 njerëz.

Pas luftës, Oppenheimer vazhdoi të këshillonte qeverinë për politikat bërthamore, por ndikimi i tij filloi të venitej në fillim të Luftës së Ftohtë. Ndërsa për shumëkënd ishte hero, dikush në qeveri mendonte ndryshe…

Në vitin 1947, ai u takua me Lewis Strauss, një komisioner konservator i Komisionit të Energjisë Atomike (AEC), që e shihte me dyshim. Rivaliteti mes tyre u përkeqësua kur Oppenheimer e kritikoi publikisht politikën bërthamore të Straussit dhe kundërshtoi zhvillimin e bombës me hidrogjen, duke kërkuar më shumë transparencë për fuqinë bërthamore të Amerikës. Kjo krijoi një armiqësi të thellë.

Në vitin 1953, kur Strauss u bë kryetar i AEC, ai filloi një fushatë për të dëmtuar Oppenheimerin. Ai kërkoi nga FBI të mbante nën mbikëqyrje shkencëtarin e famshëm, duke kërkuar çdo fakt të mundshëm për ta diskredituar.

Lexo po ashtu:  Google integron aplikacionet Google Tasks dhe Calendar

Në vitin 1954, Strauss organizoi një seancë dëgjimore që e përjashtoi Oppenheimerin nga çdo rol në qeveri, duke përdorur si provë një lidhje të tij të mëparshme me Jean Tatlock, një grua e njohur për lidhjet e saj me Partinë Komuniste. Megjithëse nuk kishte prova për mungesë besnikërie, reputacioni i tij u shkatërrua.

I larguar dhe i njollosur, Oppenheimer i kaloi vitet e fundit në heshtje në Princeton, i përjashtuar nga qeveria që dikur i besoi një projekt kaq madhor.

Në vitin 1963, presidenti Johnson i dha Çmimin Fermi, një përpjekje për të rehabilituar figurën e tij dhe për të njohur kontributin e tij shkencor. Në ditët e fundit, Oppenheimer reflektoi mbi përgjegjësinë morale të shkencëtarit në epokën bërthamore:

“Fizikanët e kanë njohur mëkatin dhe kjo është një njohuri që nuk mund ta humbasin,” – tha ai.

J. Robert Oppenheimer ndërroi jetë nga kanceri i fytit në vitin 1967, në moshën 62-vjeçare. Ai la pas një trashëgimi që do të ngjallte debat mbi shkencën, moralin dhe pasojat e luftës bërthamore për breza me radhë.

Lexo po ashtu:  Gates thotë se Musk mund ta bëjë Twitter-in më keq