Mbrëmë në orët e vona të mesnatës, ka ndërruar jetë shkrimtari, lektori shumëvjeçar i gazetarisë shqipe, gazetari, mbledhësi dhe studijuesi i folklorit, pedagogu i njohur, etnografi, vuthjani, malësori e humanisti i pashoq, Idriz Ulaj. 

Idriz (Xhemë) ULAJ u lind më 10.08.1942 në Vuthaj, Guci. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, shkollën normale në Prizren, fakultetin filozofik (dega gjuhë e letërsi shqipe) në Prishtinë (1970). Një kohë (1967 – 1971) punoi mësimdhënës në Prishtinë, e pastaj lektor – gazetar në revistën javore “Zani i rinisë”.

Idriz Ulaj është krijues që ka bërë emër në letërsinë shqipe. Ai kaherë (1962) ka filluar të botojë vjersha për të rritur dhe për fëmijë nëpër revista e gazeta.

Krahas poezisë, ka shkruar edhe prozë dhe satirë (në satirë me pseudonimet: Grethzori, Shokzori etj.) Poezitë e tija janë përkthyer e botuar në gazeta e revista në gjuhët: kroatisht, turqisht, sllovenisht, serbisht, rumanisht, suedisht etj.

Idriz Ulaj është marrë edhe me studime etnografike. Ka botuar disa artikuj mbi gjenezën e shqiptarëve të Plavës e Gucisë. Nga ky lëmë, nga gjuha malazeze ka shqipëruar, përgatitur dhe botuar dy libra etnografikë-historikë për Malësinë e Madhe dhe për Krahinën e Plavës dhe Gucisë, materiale të regjistruara, të sistemuara dhe të arkivuara në vitet 1915 – 1921 në arkivin e Cetinës etj.

Idriz Ulaj njihet edhe si shqipërues i poezisë së poetëve malazezë, sllovenë, boshnjakë etj.
Ka botuar librat: “Këngë popullore nga Gucia”, Prishtinë, 1978, “Prizma” (poezi), Redaksia e botime “Rilindja”, Prishtinë, 1980, “Edhe një orë dritë”, “Pobjeda” – KOHA, Podgoricë, 1980, “Zilet e gëzimit” (koautor) për klasën e dytë të shkollës fillore, ETMMZ, Podgoricë, 1983, “Mjekësi popullore botërore”, KOSOVARJA, Prishtinë, 1994, “Zilet e stinëve” (poezi për fëmijë të rritur), URA, Prishtinë, 2007, “Këngë dhe vajtime nga Krahina e Plavës dhe e Gucisë”, Instituti Albanologjik – Prishtinë, 2009, “Prozë popullore nga Krahina e Plavës dhe e Gucisë”, Instituti Albanologjik – Prishtinë, 2010 dhe “Vite me dy stinë”, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë, 2012.

Lexo po ashtu:  8 pyetje që tregojnë nëse jeni një lider që ja vlen të ndiqet

Idriz Ulaj ka shkruar edhe prozë (skica, reportazhe artistike, tregime etj.) dhe satirë.

I. Ulaj ka përkthyer vjersha të poetëve të shumë kombeve. Nga gjuha malazeze ka shqipëruar, përgatitur dhe botuar librat etnografiko-historikë të Andrija Joviqeviqit: “Nahija e Plavës dhe e Gucisë” (2009) dhe “Malësia” (“Ura”, Prishtinë, 2010).

Ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik në Prishtinë që në vitin 1966.

Është i përfshirë në disa antologji, monografi dhe leksikone të shkrimtarëve brenda dhe jashtë trevave shqiptare.

Që nga viti 1984 ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Idriz Ulaj është marrë edhe me studime të tjera – me etnogjenezë, etnografi etj. Ka botuar disa pjesë të studimeve etnografike mbi gjenezën e shqiptarëve të Plavës e Gucisë.

Ja disa nga poezitë e poetit të Vuthajve:

BARIU I NOKSHIQIT

Tym për tym
Tri bisha i zuri

Tym për tym
Tri bisha i lidhi

Tym për tym
Tri bisha i plasi

Tym për tym
Tre krerë në rrip

Tym për tym
Një malësor

Me sëpatë në dorë
Shpëtoi vathin prej bishave

(Nokshiq, 1978)

GURI I ALI PASHË GUCISË

S’e luan asnjë furtunë
nga vendtubimi i Malësisë

s’e mbulon asnjë dëborë
gurin e Ali Pashë Gucisë

Lexo po ashtu:  Ferrante: E urreva nënën time, por një mëngjes e shikova veten në pasqyrë dhe e pash atë…

s’e djeg asnjë vetëtimë
në zemër të Shqipërisë

(Guci, 1978)

JETË FENIKSI

Çdo ditë kam fjetur me gjarpërinj
dhe çdo natë kam takuar hiena
duke ecur nëpër rreth të kuq

Tashti si dragua ndjek kuçedrën
me vetëtimë deri te Kroi i Bardhë
dhe aspak nuk frikohem nga bishat.

(Prishtinë, 2008)

FJALËT E KRUSHKUT TË LIRISË

Pas një ore dritë
më varrosni ku të doni

krushkut të lirisë nuk i vdes varr.

(Prishtinë, 1968)

ZOGJTË

Fluturojnë deri në cep të këngës
Dalin para dasmorëve
Si pendlat e shpresës

Zogjtë e mi të bardhë
Me këtë vetull pylli
Fluturojnë përtej shtatë qiejve

Vrapi i tyre
Nuk u përngjanë erërave
Në werdhe të ëmbla

Zogjtë e mi të bukur
Fluturojnë deri në cep të këngës
Nëpër maje gëzimi.

 

BALLKANI

Gjeografi e brishtë
në shpirtrat e etërve të dërrmuar

shpirt i lodhur në maja heshtash

Fole murgjish e pashallarësh
me etje barbarësh

Qiell i rëndë
mbi horizonte të udhëkryqeve polare

Emër i egër
në shpirt të kykrenoreve të thinjura

Kështjellë hijenash
me përkrenare të vjewdhura

Në male të bardha e fusha
plot nektar e pelin.

(16 prill 1990)

NË SHTIGJE TË BARDHA

Te Krojet e Malësisë e kanë pa’
Dedë Gjo Lulin dhëmbujk n’gojë
Në shteg të dhive përmbi kala
Me lëkurën e gjarprit në rojë.

Shyshqiponjë mbi pishën pre
Në qyrkun e gjyshit trashëgim
Me tri stinë halle nëpër rrëfe
Nëpër rreze prilli në dyluftim

Në shtigje të bardha e kanë parë
Dedë Gjo Lulin me armë në shpinë
Në fusha e male me besë e fjalë
O liri e ndriqim o varr e perëndim!

Lexo po ashtu:  Jeta pas plastikës: Si do ta zvogëlojmë ndotjen me 80% deri në vitin 2040?

(Tuz, 30 korrik 2012)

POROSIA

Nuk di se kur
ku
dhe kah do të shkoj

si do ta kapërcej ylberin
kur
dhe ku do të ndalem

por amanet Kosovën!

(1999)

LETRA

Dje
Më ra ndërmend të shkruaj një letër
Fhe e adresova:
“Këmishkuqëve të të gjitha kombeve…”
Dhe ia vura tri pulla postare
Marksin
Engelsin
Leninin
Duke lënë vend edhe për ndonjë tjetër
Dhe postova shenjën
“Rekomande”
Kah Veriu
Kah Jugu
Kah Lindja
Kah Perëndimi…
Me të vetmen fjali:
“Në Evropë
Perëndoi Komunizmi
Ngushëllime!”

(“Zëri”, Prishtinë, 9 mars 1996)

TË JESH O TË MOS JESH

Kur sheh njerëz të dehur nga shovinizmi
kur bëhen shpifje akuza ditë për ditë
kur vëren fytyra të versha pa pikë gëzimi
kur dëgjon thirrje-sharje pa asnjë frikë

të jesh o të mos jesh!

Kur lexon shtypin e verdhë shtypin e zi
kur shpata e Demokleut të rri mbi kokë
kur sheh rrahje vrasje masakra në fëmii’
kur mortaja tmerruese vringëllon mbi tokë

të jesh o të mos jesh!

Kur në shtëpinë tënde tjetri është patron
kur gëzimet e fëmijëve janë gati n jë hiq
kur deshe s’deshe njerka të dikton
kur ballkanas je – pa fat n’ udhëkryq

të jesh o të mos jesh!

Kur dora me dorën s’ka lidhje miqësore
kur komshiu për komshiun s’ka njerëzi
kur si qengj për ujkun ende je kafshore
kur respekti për njeriun shtypet me tirani
të jesh o të mos jesh në Ballkan!

(Prishtinë, 1989)
__________

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *