Deputeti shqiptar Genc Nimanbegu dhe deputeti boshnjak Sulja Mustafic janë sulmuar gjatë protestave në Mal të Zi. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës. Kjo pasi Parlamenti i Malit të Zi, pavarësisht rekomandimeve të Komisionit të Venecias, miratoi Ligjin e ndryshuar për Presidentin. Me miratimin e këtij Ligji, shumica aktuale parlamentare do të marrë një pjesë të kompetencave së presidentit në zgjedhjen e Qeverisë së re.
Kjo ka ngjallur reagim të madh qytetar, pasi ekziston një mospajtim në mes kryeministrisë dhe presidencës.
“Një sulm i tillë nga individë të papërgjegjshëm nuk është tablo e protestave demokratike. Besojmë se personat që qëndrojnë pas këtyre sulmeve nuk i përkasin organizatorëve të protestës së sotme”, thuhet në reagimin e partisë.
“Partia boshnjake u bën thirrje edhe një herë qytetarëve të tregohen të përmbajtur dhe të qetësojnë tensionet, sepse paqja civile nuk ka alternativë. Edhe pse Mali i Zi aktualisht ndodhet në një krizë të rëndë politike, sociale dhe institucionale, ne i ftojmë të gjithë aktorët në dialog”.
“Mali i Zi arriti të ruajë paqen në kohë shumë më të vështira dhe ne besojmë se ky është një prioritet në këtë moment. Ftojmë gjithashtu komunitetin ndërkombëtar të përfshihet më aktivisht, për të ndihmuar Malin e Zi të ecë drejt prosperitetit dhe daljes nga kriza aktuale përmes ndërmjetësimit”, vazhdon reagimi.
Qëllimi i ndryshimeve të propozuara nga Fronti Demokratik pro-rus është që kandidati i tyre, Miodrag Lekiq, të zgjidhet kandidat për kryeministër i Qeverisë së re malazeze, diçka që në këto kushte ligjore nuk mund ta ndodh pa miratimin e presidentit pro-perëndimor, Milo Gjukanoviq.