Ngërçi u zgjidh, reforma zgjedhore duket gati. Kryeministri Rama po shfaqet konstruktiv: gati për teknologjinë në zgjedhje, për pakt për komisionerët, për reformimin, apo më saktë shpërbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Misteri i kërkesave të opozitës që bllokoheshin nga shumica ra: reforma aty ka qenë, edhe pikat e debatueshme që angazhuan selitë diplomatike në fakt ishin fare të realizueshme.

Arsyeja është fare e thjeshtë: kjo nuk është reformë zgjedhore, por një arnë mbi arna. KQZ shkrihet dhe krijohet një kryekomisioner që zgjidhet nga Parlamenti. Krijohet një këshill ankesash dhe një bord administrimi. Karagjozllëku arrin kulmin: të gjitha këto hallka kanë qenë por me emra të tjerë. Në KQZ bëheshin ankesat, pastaj në Kolegj. Sot ka një këshill ankesash dhe administrata kalon nën emrin Bord. Ku qëndron reforma këtu?

Asgjëkundi. Thjesht emërohen disa njerëz nga të njëjta parti. Për komisionet e nivelit të dytë asgjë nuk ndryshon ndërkohë që identifikimin biometrik kemi diçka që nuk duekt se zgjidh gjë, pasi opozita ka akuzuar për blerje votash dhe manipulim listash.

Reforma është shfaqja më e fundit e kamuflimit paraprak të dështimit sidomos të opozitës, e cila nuk ka asnjë sinjal se përfaqëson ndryshimin në këtë vend. Një alternativë të besueshme dhe ajo sigurisht që nesër ose do të pranojë bashkëqeverisjen, ose do të gjejë marifetin e akuzës për manipulim. Histori e njohur karagjozësh me standarde.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *