Khalid Albaih
Është koha që njerëzit në Perëndim ta shohin dhe të veprojnë përpara se të jetë tepër vonë.
Dhjetë vjet më parë, masakra në Charlie Hebdo tronditi botën.
Ishte një kujtesë brutale e asaj që do të thotë të sfidosh pushtetin me anë të penës. Ishte një ditë kur liderët botërorë kapën duart dhe marshuan së bashku në rrugët e Parisit për të mbështetur karikaturistët, gazetarët dhe të drejtën për të fyer. Ata u përpoqën t’i bindnin njerëzit se duhej të mësonin të pranonin një shaka dhe të qeshnin me veten e tyre.
Ndërsa Perëndimi shënon përvjetorin me fjalime mbi lirinë dhe guximin, karikaturistja e Washington Post, Ann Telnaes, vendosi të japë dorëheqjen.
Karikatura e saj, e cila kritikonte Jeff Bezos dhe të tjerët për dorëzimin e tyre ndaj Trump, u refuzua. Kjo ndezi një reagim të ashpër mes gazetarëve dhe karikaturistëve, të cilët e panë këtë si një formë kontrolli mbi lirinë e shprehjes.
“Ann nuk është karikaturistja e parë që sakrifikohet në altarin e Trumpit”, deklaroi një koleg i saj.
Në të njëjtin muaj, një ditë përpara inaugurimit të Trumpit, një gazetë tjetër amerikane, The Latrobe Bulletin, kërkoi falje për një karikaturë dhe, për turp të saj, vendosi të mos publikojë më asnjë karikaturë politike. Arsyeja? Karikatura ishte kritike ndaj presidentit të ardhshëm.
Këto janë shenja të këqija për katër vitet e ardhshme.
Liria e fjalës është nën sulm
Jo vetëm nga terroristët fondamentalistë, por edhe nga ata që pretendojnë se luftojnë kundër tyre. Këto refuzime i treguan Perëndimit sesi, ngadalë dhe me vetëdije, po shkatërron idealet që pretendon të mbrojë.
Po, është e rrezikshme
Kam jetuar në Perëndim për gati një dekadë dhe jam mësuar me reagime të habitura kur përmend punën time. “Një karikaturist politik nga Sudani? Duhet të jetë shumë e rrezikshme,” më thonë, sikur liria e shprehjes të ishte një ideal ekskluzivisht perëndimor.
Dhe po, është e rrezikshme të jesh karikaturist në vende si Sudani, ku pasojat e sfidimit të pushtetit janë brutale dhe të menjëhershme.
Kur karikaturistja iraniane Atena Farghadani u dënua me disa vite burg për një vizatim ku paraqiste parlamentarët si kafshë, lajmi u bë kryefjalë në gjithë botën.
Karikaturistët dhe institucionet perëndimore bënë shumë deklarata publike kundër Iranit për “mungesën e ndjenjës së humorit”. E njëjta gjë ndodhi kur karikaturisti i njohur sirian Ali Farzat u rrëmbye dhe u torturua, apo kur Akram Raslan u vra në një nga burgjet famëkeqe të Asadit.
Por tani këto zëra janë shuar.
Reagimet kanë qenë të heshtura ndaj fatit të Ashraf Omar, një karikaturist egjiptian që është “zhdukur” për gati tre muaj pa asnjë reagim nga qeveritë perëndimore. Dhe nuk përmendim as mungesën e reagimeve për karikaturistët e vrarë në Gazë, ku 209 gazetarë janë përndjekur që nga 7 tetori 2023.
Censura në Perëndim
Profesori palestinezo-amerikan i letërsisë, Edward Said, në librin e tij Orientalizmi, na kujton se Perëndimi e sheh Lindjen si një vend shtypës, ku të gjitha format e lirisë janë koncepte të huaja. Por censura në Perëndim është po aq reale – thjesht është më e kamufluar.
Është e vërtetë që karikaturistët në Lindje duhet të navigojnë mes kufizimeve të qarta – vijat e kuqe janë të dukshme dhe ne mësojmë t’i shmangim ose t’i “harrojmë”. Por më e vështirë është t’ua shpjegoj Perëndimit dhe karikaturistëve perëndimorë se edhe ata kanë vija të kuqe. Thjesht janë më të vështira për t’u dalluar.
Siç thotë një fjalë sudaneze:
“Deveja nuk mund ta shohë gungën e saj.”
Kjo gungë mund të maskohet si “interesa biznesi”, “standarde editoriale”, “ndjeshmëri ndaj lexuesve”. Ose më keq akoma – karikaturistët fillojnë të censurojnë vetveten nga frika e humbjes së jetesës.
Një shembull i tillë ishte kur The New York Times tërhoqi një karikaturë “kontroversiale” ku Donald Trump paraqitej si një i verbër që udhëhiqej nga një qen me fytyrën e Benjamin Netanyahut. Por nuk u ndalën me kaq. Ata ndaluan plotësisht publikimin e karikaturave politike dhe larguan dy karikaturistë me përvojë.
Dhe nuk pati ndonjë bujë të madhe. Shumë njerëz nuk e dinë as këtë histori. Por karikaturistët e kuptuan mesazhin dhe filluan të vetëcensurohen.
Në raste të tjera, karikaturistët mund të mos kenë njohuri të mjaftueshme mbi një temë, gjë që i çon në gabime që perceptohen si stereotipe ose raciste. Më kujtohet një bisedë me një nga karikaturistët danezë të skandalit të Muhammedit në Kopenhagë.
“Këto karikatura u bënë për lexuesit lokalë, dhe unë nuk dija sa duhej për këtë çështje,” tha ai.
Dhe sigurisht, kemi edhe “censurën klasike”. Për shembull, kur karikaturisti Avi Katz u pushua nga Jerusalem Post sepse vizatoi Netanyahun dhe rrethin e tij si derra – siç paraqiten në librin Ferma e Kafshëve të George Orwell.
Po i afrohet edhe Perëndimit
Në Perëndim, shkelja e vijave të kuqe nuk të çon në burg ose në vdekje, por rezultati është gjithsesi heshtja.
Dhe kjo heshtje është edhe më e frikshme, sepse zërat kritikë, ata që duhet të flasin për ne – për karikaturistët e shtypur – po zhduken. Dhe pushteti mbetet i pakontestuar.
Uji po nxehet dhe karikaturistët perëndimorë po fillojnë ta ndiejnë që po zien. Kufizimet e lirisë së shprehjes po zmadhohen. Instrumentet e shtypjes po futen në Perëndim nën petkun e “elegancës” dhe “sofistikimit”.
Miliarderët blejnë platforma mediatike, redaktorët vendosin që një karikaturë mund t’i kushtojë atyre punën ose të ardhurat e gazetës. Në internet, algoritmet e miliarderëve i zhdukin punët tona nga vëmendja publike.
Liria për të shprehur veten, për të mos qenë dakord, për të mbajtur pushtetin përgjegjës, nuk festohet më – por rregullohet.
Për karikaturistë si unë, liria e fjalës nuk është një ideal abstrakt – është një betejë e përditshme, për të cilën kemi lënë shtëpitë tona.
E njohim lojën. E jetojmë.
Është koha që njerëzit në Perëndim ta shohin dhe të veprojnë – përpara se të jetë tepër vonë. /Përkthyer nga norvegjishtja MekuliPress/