Dy marrëveshjet për politikën e jashtme mes Kosovës dhe Shqipërisë, që priten të nënshkruhen në mbledhjen e radhës mes dy qeverive, po shihen si shumë të nevojshme. Por që duhet të zbatohen në praktikë dhe përmes iniciativave zyrtare, e jo të mbesin vetëm në letër.
Ndarja e përbashkët e shpenzimeve dhe detyrave në lobimin për njohjen e Kosovës, si dhe bartja e përvojës të Shqipërisë tek Kosova për procesin integrues në BE, ishin dy marrëveshjet që i premtoi ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj në vizitën që kishte dy javë më parë në vendlindje.
Këtë të fundit, ministri i Integrimeve Evropiane në Kosovë, Blerim Reka përkundër që e konsideron të nevojshme, thotë se ende institucionalisht nuk di asgjë nga ideja e ministrit Cakaj.
Derisa i bën thirrje diplomatit shqiptar që zyrtarisht të adresojë këtë çështje në mënyrë që të dihen cilat përvoja të mira, e cilat jo të merren Shqipëria.
Reka: Kjo është një iniciativë jozyrtare e ministrit Cakaj, ne nuk jemi të njoftuar
“Sigurisht se i nevojitet, prandaj duhet diskutuar dhe takuar ministritë. Prandaj duhet bërë planin e punës dhe veçuar nevojat kryesore që i ka, jo vetëm ministria për integrim, por shoqëria e Kosovës. Cilin kapacitet institucional mund të fitojmë nga Shqipëria, cilën përvojë të dëmshme nuk duhet përsëritur nga Shqipëria në mënyrë që ne, me këtë përvojë të tyre të shkojmë përpara. Por, po iu them edhe një herë kjo është një iniciativë jo zyrtare e ministrit të jashtëm për të cilën ne nuk jemi të njoftuar ”,thotë ai.
Në lidhje me këtë, njohësi i integrimeve Evropiane, Besnik Vasolli thotë se si iniciativë është përmendur edhe më herët, por që nuk ka pasur diçka konkrete. Mirëpo iniciativën e fundit e konsideron më serioze dhe thekson se d o t’i shërbejë Kosovës.
“Në rastin me Shqipërinë është shumë e nevojshme që të indentifikohen ato të cilat na hynë në punë edhe neve. Në këtë mënyrë të sigurohemi që ato inkorporohen edhe në ligjet vendore. Në këtë mënyrë ligjet tona të bëhen edhe më të përafërta me të BE-së”, thotë ai.
Ndërsa, pretendimet se brenda këtij viti do të bëhet ndarja e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës për shpenzimet dhe detyrat në lobimin për njohjen e Kosovës, i vlerëson si të qëlluara, profesori universitar për marrëdhënie ndërkombëtare, Afrim Hoti.
Hoti: Republika e Kosovës dhe e Shqipërisë kanë kapacitete të limituara ekonomike
“Republika e Kosovës dhe e Shqipërisë kanë kapacitete të limituara ekonomike. Diplomacia është një veprimtari shumë e shtrenjtë. Duke u nisur nga ky fakt mendoj se ato mund të mbështesin njëra tjetrën. Si në kuptimin e objekteve, sepse nuk flasim për një ambasadë, por një objekt që ofron shërbime nga dy shtete të ndryshme. Mbi këtë bazë mendoj se është një ide shumë e qëlluar”,thotë ai.
Në aspektin diplomatik, Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar edhe më herët marrëveshje dhe memorandum bashkëpunimi, por që ka pasur ngecje në zbatimin e tyre.