Nga MekuliPress
Shpesh dëgjojmë që flamuri kuqezi quhet “flamuri i Shqipërisë”. Kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë. Është e vërtetë që flamuri kuqezi është flamuri zyrtar i shtetit të Shqipërisë, por ai nuk është vetëm i Shqipërisë si shtet; ai është flamuri kombëtar i gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë.
Shqiptarët janë një komb i shpërndarë në disa shtete të rajonit. Nëse do ta kufizonim flamurin kuqezi vetëm te Republika e Shqipërisë, atëherë do të lindte pyetja: cili do të ishte flamuri i shqiptarëve në Mal të Zi, në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës apo në Çamëri? Këto komunitete shqiptare nuk kanë një flamur tjetër që i përfaqëson si komb, sepse flamuri i tyre është ai i njëjtë; flamuri historik kuq e zi.
Edhe Kosova, si shtet i pavarur, ka flamurin e vet shtetëror. Por flamuri kombëtar i shqiptarëve në Kosovë mbetet flamuri kuqezi, sepse përfaqëson identitetin e tyre kombëtar, jo atë shtetëror. Edhe boshnjakët, egjiptasit, serbët, tuqit e të tjerë pakica, kanë flamurin e tyre kombëtar.
Prandaj është e rëndësishme ta kuptojmë dallimin:
- Flamuri i Shqipërisë është flamuri zyrtar i shtetit shqiptar.
- Flamuri kuqezi është flamuri kombëtar i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht kufijve shtetërorë.
Shprehja “flamuri i Shqipërisë” kur përdoret për të zëvendësuar idenë e flamurit kombëtar mund të krijojë keqkuptime dhe të nxisë ndarje të panevojshme mes shqiptarëve. Për këtë arsye, është mirë që fëmijët tanë ta njohin qartë këtë dallim dhe ta përdorin me vetëdije emërtimin e duhur historik; Flamuri i shqiptarëve, e jo “flamuri i Shqipërisë”. /MekuliPress/
