REXHEP QOSJA, Akademik

Çdo kohë i ka pasur mecenët e vet si Karlin e Madh, Borxhitë, Ludvigun e Bavarisë a Luigjin XIV, Lorenco Mediçin dhe shkrimtarët e oborrit si Horacin e Rasinin, por vetëm kohës së komunizmit i takojnë “mecenët” të cilët mecenatin e bëjnë partiak e shtetëror dhe shkrimtarët e krijuesit e tjerë, të cilët servilizmin e dëshmojnë jo vetëm me sjellje e me gojë, por edhe me vepra letrare, shkencore e filozofike qoftë edhe kur kjo prej tyre nuk kërkohej në masën që e dëshmonin. Pavarësisht cilës kohë i takojnë, mecenatet u kushtojnë shtrenjtë shkrimtarëve e krijuesve të tjerë, por mecenati komunist kishte çmim tmerrësisht të shtrenjtë për veprën dhe jetën e krijuesve: çmim që paguhej me dinjitetin dhe çmim që paguhej me vlerën e veprës! Pas përmbysjes së komunizmit dhe të vlerave ideologjike e politike me të cilat mbahej ai, ky servilizëm, i dëshmuar kur dhunshëm e kur vullnetshëm, do të bëhet shkak i brejtjes së ndërgjegjes e i mundimeve të tjera të ndryshme të servilëve të dikurshëm. Sigurisht ndërgjegja e zgjuar (me vonesë të madhe) shumë më pak sesa leverditë e reja në kushtet e ndryshuara, në të cilat shikohen me dyshime lavdëruesit e tij në arte, në shkencë e në krijimtarinë përgjithësisht, do të bëjnë që një numër i shkrimtarëve dhe i krijuesve të tjerë në ish-vendet komuniste të fillojnë betejën vetjake për ndryshimin e asaj pjese të jetëshkrimit që i takon kohës së komunizmit: të fillojnë betejën për retushimin, për dramatizimin, për përmirësimin, për zbukurimin e jetës së atëhershme. Hapi i parë që një numër i tyre do të bëjnë pas përmbysjes së komunizmit ishte ndryshimi i besimit komunist: të majtit e dikurshëm, aq të majtë sa nuk mund të drejtoheshin, përnjëherë do të bëhen aq të djathtë sa do të rrëzohen shpejt! Dhe, konvertimin e tyre të përnjëhershëm do ta dëshmojnë qoftë duke u bërë prijës a zëvendës të prijësve të partive të djathta, qoftë duke u futur nën sqetullat e tyre, qoftë duke shfaqur ide skajshëm të djathta me artikuj a, madje, edhe me vepra. E kuptueshme! E drejta e konvertimit është e drejtë e ligjshme, si e drejta për t’u shprehur lirisht, si e drejta për të besuar lirisht, si e drejta pët t’u martuar lirisht, si e drejta për t’u çmartuar lirisht, si e drejta për të qenë gjithnjë krenar – budalla a i mençur-servil. Konvertimin e bëjnë të ligjshëm jo vetëm e drejta e njeriut për të bërë me veten ç’dëshiron të bëjë, por edhe ligjësitë e jetës. Nuk thuhet kot: s’jetohet gjithmonë me një palë mend. Dhe, nuk thuhet kot: në qoftë se je në rrugë të gabuar është më mirë të kthehesh mbrapa në gjysmë të saj sesa t’i shkosh deri në fund. E komunizmi ishte ajo rrugë e gabuar prej së cilës duhej dalë një orë e më parë.


Po ta lëmë konvertimin në të djathtë rehat: me të shumë nga shkrimtarët dhe krijuesit e tjerë të kohës së komunizmit nuk janë bërë rehat, sepse nuk janë bërë të bindshëm për opinionin. Në vend të fjalëve e, madje, edhe të veprave të shkruara, njerëzit shpesh duan dëshmi konkrete, në sajë të të cilave do t’u mbushet mendja që t’u besojnë të konvertuarve. Për këtë arsye disa nga shkrimtarët dhe krijuesit e tjerë posaçërisht të çmuar e të përkëdhelur në kohën e komunizmit, janë gjetur në situatë ndërdyshjesh të mëdha: çka të bëjnë që prapë të bëhen të çmuar, madje të adhuruar si atëherë? Çka? Përgjigjja që i kanë dhënë vetes është kjo: ta ndryshojnë jetëshkrimin e dikurshëm komunist dhe, kështu, të bëjnë një jetëshkrim të ri sa më të ndryshuar!


Demokracia, e shpërdorur shumë prej një numri zyrtarësh, le të shpërdoret pak edhe prej një numri krijuesish!

Të privilegjuarit – të paraqitur si viktima
Dhe, ky do të jetë jo më jetëshkrim i komunistit të privilegjuar, po i viktimës komuniste.
Për nga arsyet e shumta për të cilat e bëjnë, për nga mënyrat e shumëllojshme në të cilat e bëjnë dhe për nga mjetet e ndryshme me të cilat e bëjnë disa shkrimtarë të privilegjuar të komunizmit, beteja për ndryshimin e jetëshkrimit komunist është pothuaj një betejë e panjohur në historinë e letërsisë botërore, prandaj edhe në historinë e letërsisë shqipe. Megjithëse e panjohur, partizanët e saj në të vërtetë zbatuesit e saj do ta bëjnë me shumë shkathtësi dhe me shumë përvojë dhe, gjithnjë, me shumë dinakëri! Dhe, do ta bëjnë me batica e me zbatica, me turre e me pushime, me zë të lartë dhe në heshtje, vetëm dhe me ndihmës, me gazeta, me radio e me televizione, me persona privatë e me institucione shtetërore, me dëshmitarë e me kundërshtarë!

Lexo po ashtu:  Ishte viti 1832 kur u lind në Plavë Jakup Ferri


Të shohim si zhvillohet kjo betejë. Të shohim si bëhen ish – komunistët tjetërmendas – kundërkomunistë!


Menjëherë pas konvertimit beteja për ndryshimin e jetëshkrimit komunist do të fillojë me retushime më të pakta a më të shumta, ideologjike dhe politike, të veprave të botuara në kohën e komunizmit: me ndryshime të fjalive, me shkurtime a me plotësime përmbajtësore, me theksime a çtheksime kuptimore e figurative, me zëvendësime të personazheve pozitive e negative ideologjike me personazhe të paideologji. Të gjitha këto ndryshime, pavarësisht pse nuk janë të nxitura nga motive thjesht artistike, janë plotësisht të kuptueshme dhe plotësisht të ligjshme. E drejta për ndryshime në veprën letrare, shkencore a filozofike, të çfarëdo përmasash qofshin ato, është e drejtë, le ta quajmë, themelore krijuese. Këso ndryshimesh në veprat e tyre shkrimtarët e ndryshëm kanë bërë, dhe vazhdojnë të bëjnë, gjithmonë e gjithkund derisa janë gjallë. Pakënaqësia me atë që ke bërë është kusht i përsosjes së saj të mëtejshme. Lirimi i veprës gjuhësore artistike prej barrës ideologjike, politike, fetare, pedagogjike, gjithmonë do të thotë përmirësim i saj. Mund të thuhet se janë tepër, tepër, tepër të paktë shkrimtarët, që kanë jetuar dhe krijuar në kohën e komunizmit, të cilët nuk kanë nevojë të retushojnë së paku një vepër të tyre. Disa të tjerë, për shkak të përkushtimeve tepër servile komuniste, i kanë qitur vetes aq shumë punë saqë në disa nga veprat nuk mund të bëjnë kurrfarë përmirësimesh: ato janë fillim e fund të mbytura nga ideologjia dhe politika komuniste! Për këtë arsye të privilegjuarit e komunizmit, që e kanë filluar betejën për jetëshkrim të ri, do të thotë betejën për ndryshimin e përmirësimin e jetëshkrimit të tyre në kohën e komunizmit, shtrëngohen të bëjnë veprime të tjera, shumë më të thella në krijimtarinë dhe në jetën e tyre.


Siç është dëshmuar gjatë këtyre dymbëdhjetë – trembëdhjetë vjetëve që nga përmbysja e komunizmit, të privilegjuarit e tij betejën për jetëshkrimin e ri e bëjnë, prandaj, edhe në mënyra të tjera e me trajta të tjera letrare: e bëjnë edhe me kujtime për kohën kur ishin heronj krijues të propagandës komuniste, por heronj të dikurshëm që tani e paraqesin veten si viktima. Lexuesve të vjetër dhe, sidomos, të rinj, u bëhet e mundshme të mësojnë se si heronjtë e dikurshëm krijues kinse nuk ishin të privilegjuar, po, përkundrazi, ishin viktima: u paraqiten pohime, situata, deklarata, kërkesa, urdhëresa, përjetime, që e tregojnë faqen tjetër, të mundimshme, të jetës së tyre!

Ç’është e vërteta, disa prej tyre ishin viktima të privilegjuara.
Përpos me kujtime, beteja për jetëshkrimin e ri, do të thotë për jetëshkrimin e gjoja të përndjekurit të dikurshëm, bëhet edhe me ditar me data të atëhershme, por të shkruar sot. Lexuesit me kulturë filologjike, të cilët, natyrisht, nuk janë aq të shpeshtë sot, nuk e kanë shumë të vështirë të shohin se ditari është kontribut i përtashëm artistik – shkencor për jetëshkrimin e dikurshëm të shkruesit të tij.
Më bindshëm se me kujtime e me ditarë të shkruar pas kohës së duhur, që, megjithatë, mund të mos pranohen pa murmuritje të dyshimta jo vetëm të filologëve po edhe të lexuesve të zakonshëm, beteja për jetëshkrimin e ndryshuar bëhet me vepra letrare apo, madje, shkencore të shkruara në kohën e komunizmit, por të botuara tani, në demokraci, mbasi në atë kohë, në kohën e censurës komuniste, nuk kanë mundur të botohen, madje, do të ishte shumë rrezik të paraqiteshin për botim. Në disa raste, në disa vende ish-komuniste, beteja për jetëshkrim të ri, të ndryshuar komunist, është bërë me vepra letrare a shkencore të shkruara sot, por të cilave u është vënë data e përparshme: e kohës komuniste! Edhe më lehtë se kur është fjala për kujtimet dhe ditarët, lexuesit me kulturë filologjike mund të kuptojnë se kur janë shkruar ato vepra. Të gjitha llojet e falsifikimeve në këtë botë bëhen më lehtë se sa falsifikimet letrare. As gjeniu më i madh ndjenjat, pamjet, përfytyrimet e sotme nuk mund t’i bëjë plotësisht të djeshme.


Dhe, më tej: përpos me kujtime, me ditarë, me vepra letrare a shkencore të botuara sot, por gjoja të shkruara atëherë, në kohën e komunizmit, beteja për jetëshkrimin e ri në kohën e komunizmit, bëhet edhe duke i përjashtuar plotësisht prej bibliografisë veprat letrare të shkruara për ngjarje komuniste, për figura komuniste e për ideale komuniste, që nuk mund të përmirësohen në asnjë mënyrë, dhe veprat kritike e teorike, në të cilat gjejnë zbatimin më besnik parimet e realizmit socialist. Le të thuhet se të paktit janë ata shkrimtarë, që kanë jetuar e krijuar në kohën e komunizmit, në mënyrë të veçantë ata shkrimtarë që ishin të privilegjuar në kohën e komunizmit, të cilët nuk detyrohen sot ta shkurtojnë në këtë mënyrë bibliografinë e krijimtarisë së tyre. Dhe, kjo është fatkeqësi për ta dhe fatkeqësi për letërsitë kombëtare.

Lexo po ashtu:  Beteja e Nokshiqit – Normandia (e harruar) e shqiptarëve


Çka të bëhet në qoftë se me kujtime, me ditarë, me vepra letrare e shkencore të botuara sot, por gjoja të shkruara në kohën e komunizmit, dhe me shkurtime të bibliografive nuk kryhet e gjithë puna në betejën për jëtëshkrimin e ri? Çka? Është edhe një mjet që mund të jetë më ndikues në vetëdijen e lexuesve se të gjitha të bërat e sipërtheksuara: është DOSJA! Të kesh patur dosjen në kohën e komunizmit do të thotë shumë, tepër shumë. Të kesh patur dosjen atëherë do të thotë të kesh qenë i dyshimtë, i denoncuar, i përndjekur, sepse nuk je çmuar besnik i ideologjisë, i politikës dhe i njëmendësisë komuniste. Por, dosjen nuk mund ta bësh vetë; dhe dosjen nuk mund ta shpallësh vetë: dosjen duhet të ta bëjë tjetërkush dhe dosjen duhet të ta shpall tjetërkush – dikush që ishte dikur, apo që është sot, atje ku bëhen apo ku ruhen dosjet! Mjeshtëria e falsifikimeve doemos duhet të ngrihet në shkallë më të lartë! Dhe këso falsifikimesh në vendet ish-komuniste kanë ngjarë dhe vazhdojnë të ngjasin! Një gjë, ndërkaq, e harrojnë edhe kërkuesit edhe shpallësit e dosjeve: harrojnë se dosje, në kohën e komunizmit, i janë bërë numrit më të madh të krijuesve, kurse krijuesve të talentuar e të popullarizuar pashmangshëm. Dyshimi në robin e në zotin, në të gjithë e në njërin, ishte parimi i të gjitha parimeve atëherë! Në disa vende komuniste, si, fjala vjen, në Jugosllavinë, është dëshmuar se dosje u janë bërë edhe disave nga figurat më të larta politike e shtetërore!


Krijuesit, sidomos krijuesit e shquar, prej pushtetarëve gjithmonë janë shpallur të dyshimtë sepse janë konsideruar jo besnikë apo jo mjaft besnikë ndaj rendit shoqëror dhe ndaj politikës së tyre. Nuk është shumë e çuditshme pse si të dyshimtë, në shumë rast, ata po trajtohen edhe sot.
Por, edhe shkrimtarët e krijuesit e tjerë, që dëshirojnë të kenë pasur dosje, edhe lexuesit që e kanë kujtesën e mirë, kurse kokën për të menduar vetë me të, mund ta dinë se as dosja nuk sjell fitore të sigurtë në betejën për jetëshkrim të ndryshuar, të ri, në kohën e komunizmit. Gjithmonë është e mundshme, që të dhëna për jetën dhe për veprën e të privilegjuarve të komunizmit të jenë ruajtur në dosjet e shkrimtarëve e të krijuesve të tjerë, në arkivat e vetjeve partiake, në kujtimet, në ditarët dhe në shkrimet e tjera të pabotuara të shkrimtarëve, krijuesve e individëve të tjerë.


Kush dhe pse bën betejë për jetëshkrim të ri
Duket e pabesueshme, por, ja, është e vërtetë se betejë për jetëshkrim të ri, të ndryshuar, të dramatizuar, të përmirësuar, në kohën e komunizmit nuk kanë bërë, dhe nuk e bëjnë, viktimat e komunizmit, por të privilegjuarit e tij: nuk kanë bërë Jan Parandovski, Isak Babeli, Boris Pasternaku, Martin Camaj a Kin Dushi dhe nuk bëjnë Haveli, Millan Kundera, Adem Demaçi, Kasëm Trebeshina, Daut Gumeni, Visar Zhiti a Pjetër Arbnori. Jo. Atyre nuk iu duhet jetëshkrim tjetër, jetëshkrim i ri, jetëshkrim i përmirësuar, jetëshkrim tragjik. Jo. Ata dosjet i kanë jetuar! Ata tragjedinë e kanë jetuar! Ata nuk kanë nevojë të flasin për jetën e vet të shkuar: jeta e tyre flet mjaftueshëm për ta. Betejë për jetëshkrim të ri në kohën e komunizmit, për jetëshkrim dramatik, të përmirësuar, të ndryshuar, për jetëshkrim të viktimës, tani, pas përmbysjes së komunizmit, bëjnë sugarët e komunizmit, benjaminët e komunizmit, të çmuarit, të shpërblyerit, të adhuruarit, shumëllojshëm të privilegjuarit, e komunizmit. E kuptueshme! Ata e kanë shfrytëzuar mirë dje komunizmin – pse të mos e shfrytëzojnë sot demokracinë për interesat dhe lavdinë e vet. Përjashtimet janë, mjerisht, shumë të pakta. Vetëm njëri nga të privilegjuarit e komunizmit sovjetik dihet të ketë thënë në fund të jetës: edhe sot nuk kuptoj, dhe kjo më shkakton vuajtje, pse në komunizëm nuk më kanë përndjekur edhe mua siç i kanë përndjekur kolegët e mi!

Lexo po ashtu:  Gestapo, kush ishte policia sekrete, që mundësoi krimet e përbindshme


Beteja për jetëshkrim të ndryshuar komunist dhe historia e letërsisë
Nuk ka dyshim se beteja për jetëshkrim të ri, të ndryshuar në kohën e komunizmit bëhet për të kënaqur lavdidashjen e luftëtarëve që e bëjnë, por shumë më tepër për interesa më sendësore. Dhe, kjo betejë pavarësisht pse dikur përfundon me disfatë, atyre u sjell dobi kur më të vogla e kur më të mëdha: u sjell shpërblime, urdhra, dekorata, medalje, tituj, në raste të caktuara nëpunësi të larta, popullorësi e të mira të tjera. Por, një gjë kurrë nuk mund t’ua sjellë: ndryshimin e dëshiruar të jetëshkrimit komunist prej të privilegjuarish dhe lartësinë e ëndërruar morale. Përkundrazi: ua sjell zvogëlimin edhe më të dukshëm moral në sytë e të gjithë atyre njerëzve, lexuesve dhe studiuesve të tyre të ardhshëm, të cilët prej shkrimtarëve me të drejtë kërkojnë jo përmbysje, po mbrojtje të vlerave siç janë e vërteta, e drejta, qëndrueshmëria, parimësia, edhe me jetën e tyre. Kjo tregon se me përpjekjet që do ta ndryshojnë, që do ta përmirësojnë jetëshkrimin e tyre të kohës së komunizmit, sugarët e komunizmit në të vërtetë punojnë kundër vetvetes! Dhe, kjo është plotësisht e kuptueshme. Jeta e krijuesit letrar në të cilën nuk lufton krenaria kundër mjerimit, e vërteta kundër gënjeshtrës dhe liria e mendimit kundër servilizmit nuk mund të shikohet si jetë e denjë për nderim. Ajo është jetë që i qet hije të rëndë edhe veprës letrare të vetë krijuesi.


Beteja e disa shkrimtarëve e të krijuesve të tjerë për jetëshkrim të ndryshuar, të përmirësuar, për jetëshkrim viktime në kohën e komunizmit edhe kur ishin sugarë, të privilegjuar të tij, do t’u sjellë shumë punë historianëve të ardhshëm të letërsive kombëtare: do t’u sjellë shumë punë në studimin e versioneve të veprave të tyre; shumë punë për të saktësuar kohën e shkrimit të disa veprave të tyre; shumë punë për të dalluar çka është e vërtetë e çka është gënjeshtër në kujtimet e në ditarët e tyre; shumë punë për të saktësuar çka është e vërtetë e çka gënjeshtër në jetën e tyre komuniste; shumë punë për të dalluar çka është burimore e çka e falsifikuar në dosjet e tyre. E të tjera të ngjashme.


Puna e historianëve të ardhshëm të letërsisë do të vështirësohet aq shumë në qoftë se në betejën për ndryshimin e jetës komuniste të të privilegjuarve të komunizmit futen familjarë, miq dhe lexues të pafajshëm të tyre.


Puna e historianëve të ardhshëm të letërsisë do të vështirësohet edhe më shumë në qoftë se në betejën për ndryshimin e jetës komuniste të benjaminëve të komunizmit futen media – gazeta dhe televizione.


Por, puna e historianëve të ardhshëm të letërsisë do të vështirësohet posaçërisht shumë në qoftë se në betejën për jetëshkrimin e ri të benjaminëve të komunizmit futen nëpunës të arkivave, në duart e të cilëve janë dosjet e tyre dhe dosjet e shkrimtarëve, krijuesve e qytetarëve të tjerë të kohës së komunizmit: në qoftë se këta nëpunës bëjnë shkurtime, plotësime, retushime në dosjet – ashtu siç ka ngjarë në disa raste në disa vende ish-komuniste! Të shpresojmë se historianët e ardhshëm të letërsisë, ndërkaq, do t’i mposhtin këto vështirësi, sepse do të udhëhiqen nga kriteri i së vërtetës dhe i së drejtës e jo nga kriteri i leverdisë apo i popullorësisë – si luftëtarët për jetëshkrimin e ri!
Dhe, puna shkencore, vërtet, shkencore e këtyre historianëve pashmangshëm do të sjellë ndryshime në gjykimet për letërsitë e sotme kombëtare: shkrimtarëve padrejtë të mbiçmuar dhe shkrimtarëve padrejtë të nënçmuar do t’u caktohen vendet që, vërtet, u takojnë.


Për të gjitha arsyet e sipërthëna mund të thuhet se është në interesin e shkrimtarëve dhe të krijuesve të tjerë, që bëjnë betejë për jetëshkrim të ndryshuar, të ri, për jetëshkrim viktime në kohën e komunizmit edhe kur ishin të përkëdhelurit e tij, në interesin e letërsisë dhe të studiuesve të saj të ardhshëm, që t’i lënë jetëshkrimet e veta komuniste të tilla çfarë ishin në të vërtetë. Le të mendojnë se nëpër jetë të pastër mund të ecin vetëm shenjtorët, kurse shkrimtarët as nuk janë, as nuk duhet të jenë shenjtorë. E komunizmi as shenjtorët s’i ka lënë pa njolla!


Sa i përket jetëshkrimit tim në kohën e komunizmit, dua të mbetet i tillë çfarë ishte: me hije e me dritë!
Nuk dua të bëhem personazh i proverbit italian: aq i mirë sa nuk vlen asgjë.