Anëtari i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Knut Abraham, ka bërë të ditur se Qeveria e Gjermanisë ka konfirmuar se mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Këtë, deputeti gjerman e ka bërë të ditur përmes një postimi në Twitter, ku ka publikuar edhe një pyetje që i ka bërë Qeverisë së Gjermanisë rreth asaj nëse do ta mbështeste Kosovën, nëse kjo e fundit do të aplikonte për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Si përgjigje, ka shkruar Abraham, Qeveria e Gjermanisë ka deklaruar se mbështet një gjë të tillë.
“Qeveria federale mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Është me rëndësi, që për këtë çështje të mbesim në koordinim të ngushtë me partnerët tanë në BE dhe në Këshill të Evropës”, është thënë në përgjigjen e Qeverisë së Gjermanisë.

Ndryshe, lidhur me një aplikim të mundshëm të Kosovës për anëtarësim në këtë institucion ka folur edhe presidentja Vjosa Osmani.

Presidentja është shprehur optimiste për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës por sipas saj nga aplikimi deri në anëtarësim duhet një periudhë kohore.

Lexo po ashtu:  Detaje nga aksioni në Veri: Policia tregon se ka hasur në rezistencë të armatosur

“… Jemi në fazën e fundit të përgatitjeve për aplikim, por ta keni parasysh se për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shteteve të ndryshme, iu është dashur kohë e ndryshme për pranim. Dikujt i është dashur 1 vjet e dikujt tjetër 5 vjet për anëtarësim. Ne po punojmë që me partnerët tanë kjo kohë të jetë sa më e shkurt”, ka thënë Osmani.

“Siç e dini më shumë se 2/3 e shteteve anëtarë të këshillit të Evropës e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës dhe ne shpresojmë se këto do të votojnë në favorin tonë”, ka shtuar më tej ajo.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *