Telekomi i Kosovës, dikur kompania më profitabile në vend, që nga viti 2015 po vazhdon të përballet me probleme të mëdha financiare dhe operative.

Bordi i Telekomit, vite më parë kishte nënshkruar një marrëveshje me kompanine “Dardafone.net LLC” e emëruar si Z-Mobile, pronë e Blerim Devollit si operatorë shtesë i telefonisë mobile, e cila do të shfrytezonte hapësirën e pashfrytëzuar nga kjo e fundit në rrjetin e telekomunikimit.

Se kjo kontratë, do të ishte fatkeqe për fatin e Telekomit në atë kohë askush nuk e besonte.

5 vite më pas, njëra ndër kompanitë që e injektoi buxhetin e Kosovës me qindra miliona euro, tashmë po lufton me ekzistencën e saj ku po rrezikohet edhe situata financiare e mbi 3500 punëtorëve të kësaj ndërmarrje.

Kjo pasi, kësaj ndërmarrje edhe zyrtarisht iu bllokuan të gjitha llogaritë bankare.

Ky vendim erdhi pasi Telekomi i Kosovës kishte vendosur të mos e vazhdojë më kontratën me Dardafone për operatorin virtual Z-Mobile.

Pas këtij vendimi, në nëntor të vitit të kaluar Z-Mobile kishte paralajmëruar padi të re kundër Telekomit të Kosovës, pas asaj në arbritrazhin ndërkombëtar të cilën e fitoi kompania e udhëhequr nga Blerim Devolli.

Ishte Gjykata Themelore në Prishtinë, ajo që para disa ditëve ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimin (realizimin) e rreth 25 milionë eurove duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

I menjëhershëm pas këtij vendimi ishte reagimi i Sindikatës së Telekomit, të cilët paralajmëruan protestë.

“Nga e hëna ne do të protestojmë nëse nuk zhbllokohen llogaritë sepse 3500 familje mbesin pa bukë, ne do të kërkojmë edhe ndihmën e qytetarëve. Nuk do të respektojmë as virus as kurgjo. Ju them që të mos ndihen komod as Devolli e as Përmbaruesi sepse ne do të protestojmë të gjithë. Ne kërkojmë nga instuitucionet që të zhbllokojnë llogaritë ose ne do të protestojmë. Ne jemi të shqetësuar dhe kemi kontaktuar me menaxhmentin. Neve protestat na imponojnë fëmijët, familjet sepse kur të bëhet i pari e kur nuk do të kemi rrogë me cu në shtëpi atëherë është shumë ke”, u tha në konferencën e Sindikatës.

E nga Qeveria e Kosovës, e cila është pronare e kësaj ndërmarrje, i vetmi që u mundua t’i qetësojë punëtorët ishte ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi, duke siguruar ata se do të gjejnë një zgjidhje.

“Ky bllokim natyrisht që na ka shqetësuar dhe i gjithë kabineti im po merret intensivisht me institucionet relevante për të gjetur zgjidhje.Filli i kësaj situate që po ndodhë sot është në vitin 2016, kur operatori ekonomik “Dardafone.net LLC” ka fituar në Tribunalit Ndërkombëtarë të Arbitrazhit, aty ku i është njohur e drejta për përmbarim të borxhit.Tashmë kemi një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës që urdhëron përmbarim, mirëpo jam i bindur që do të arrijmë më të mirën e mundshme. Ne kemi azhornuar takimet dhe besojmë në zgjidhje.Ftoj punëtorët e Telekomit dhe akterët tjerë të jenë racionalë në deklarata dhe veprime.”

Lexo po ashtu:  Janë mbushur rrugët me lypës, intelektualët nuk dinë tjetër gjë, pos të ndërtojnë shtëpi, të blejnë unaza të shtrenjta, të ndjekin kurvat, ta përgojojnë njëri tjetrin, t’ ia qesin ndërkëmbësat shoqishoqit…"

Syri.net Kosova, që nga dita e djeshme ka tentuar të marrë një përgjigje me shkrim nga zyra e kryeministrit Avdullah Hoti për veprimet që do ndërmerren pas kësaj situatë të krijuar, mirëpo të njejtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë, kontratën me Z-Mobile e cila po ia merr ‘jetën’ kësaj ndërmarrje, drejtori i teknik i Telekomit, Halil Krasniqi, e quajti si më korruptiven që nga paslufta

Krasniqi, tha se kontrata me Z-Mobile duhet të rishikohet, derisa e ka quajtur atë si më korruptivja që nga paslufta, pasi nga kjo kontratë Telekomi ka pasur humbje 107 milionë euro.

“Humbjet e Telekomit nga kjo kontratë janë 107 milionë euro për dhjetë vjet. Është kostoja e llogaritur për shërbimet të Z-Mobile 2010-2019, që është 84 milionë euro, tjetër është dënimi në arbitrazh që neve i kemi pësuar prej 31 milionë eurove. Kurse krejt fitimi bruto nga kjo kontratë janë vetëm 8 milionë euro”, ka thënë Krasniqi.

Ish- zëvendës ministri në Ministrinë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, nga radhët e Vetëvendosjes, Edison Jakurti, për Syri.net Kosova tha se keqpërdorimet që i janë bërë Telekomit nga shumë parti politike janë për t’u marrur si raste studimi.

Një borxh prej 24.6 milionë euro sipas tij rrezikon seriozisht këtë ndërmarrje.

“Degradimi i Telekomit të Kosovës në shifra duket kështu: në 2009, Telekomi kishte dividentë 200 milionë euro për buxhetin e shtetit; në 2020, një borxh prej 24.6 milionë euro rrezikon seriozisht këtë ndërmarrje. Natyrisht se kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Keqpërdorimet që i janë bërë Telekomit nga shumë parti politike janë për t’u marrur si raste studimi”

Jakurti theksoi se ka pasur edhe raste kur qasja e Qeverisë ndaj Telekomit, ajo e Qeverisë Kurti ka qenë shpresë dhënëse, duke e mbështetur edhe në situatën e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

“Ta zëmë, gjatë kohës së Qeverisë Kurti është shkarkuar bordi i vjetër duke u emëruar një bord profesional me mandat të përkohëshëm, i cili vendosi që ta ndërroi edhe kryeshefin. Natyrisht se kjo për Telekomin nënkuptonte një lëvizje nga minusi në zero. Sepse për, fillimisht, stabilizimin e më pas zhvillimin e ndërmarrjes duhej më shumë kohë dhe ishte çështje që i takonte mënyrës së si menaxhohe jajo. Dhe, jo vetëm se Qeveria Kurti filloi krjimin e hapësirës për stabilizimin dhe zhvillimin e ndërmarrjes, por ajo e ndihmoi edhe financiarisht atë. Masa 4 e Pakos Fiskale Emergjente parashihte ndihmë për ndërmarrjet publike të cilat do të ndikoheshin poashtu nga kriza si pasojë e pandemisë. Konkretisht, Telekomit i është dhënë subvencion në vlerëprej 4 milionë eurosh, në mënyrë që t’i tejkalojë disan gavështirësitë e menjëhershme financiare”

Lexo po ashtu:  Daçiqi paralajmëron një tjetër tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës

Por qasja e qeverisë së tanishme sipas Jakurti pritet të jetë e kundërt, pasi e njejta në programin e saj ka paraparë privatizimin e kësaj ndërmarrje.

Sipas tij, alibi për privatizim mund të përdoret contest me Dardanfonin, si mundësi për ta filluar këtë process, por do si ide do të haste në rezistencën e Lëvizjes Vetëvendosje.

“E kundërta pritet nga Qeveria Hoti, e cila edhe në programin qeverisës e parasheh mundësinë e privatizimit të pjesshëm tëTelekomit. Mbase kjo Qeveri mund ta sheh këtë kontest me Dardafonin si mundësi për ta filluar këtë proces. Natyrisht se një tentim i tillë do t’ishte shumë i dëmshëm dhe i papranueshëm. Natyrisht se ai do të haste në rezistencën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, siç ka ndodhur tash e sa vite”.

Për njohësit e ekonomisë, kjo situatë e shkaktuar po e dërgon Telekomin drejt një falimentimi të mundshëm, dhe krijimin e një karteli të rrezikshëm në fushën e telefonisë.

Eksperti financiar, Florin Aliu, për Syri.net Kosova tha se kjo ndërmarrje pas kësaj situate edhe realisht po shkon drejt një falimentimi të mundshëm.

Sipas tij, bllokimi i xhirollogarive bankare është sinjal i qartë për vështërësitë financiare.

Ai thekson po ashtu se në shumicën e rasteve të falimentimit, borxhlitë e kompanisë bëhen pronare të firmës, duke kërkuar kështu intervenimin e menjëhershëm të qeverisë.

“Me vet faktin qe kompania per vite me radh operone me kesh negative nga operacionet, tregon qart qe kompania po i destinohet falimentimit. Bllokimi i xhirollogarive bankare eshte sinjal i qart per veshteresi financiare. Ne shumicen e rasteve te falimentimit, borxhlit e kompanise behen pronare te firmes. Prandaj qeveria duhet te intervenoj ne kete rast, nuk duhet te lejoj falimentimin e kompanise.”

Për ekspertin Aliu, falimentimi i Telekomit do të ishte hapësira më e mirë për krijimin e një karteli të madhë në fushën e telefonisë.

Ne kemi probleme me konkurueshmerinë e shumë sektoreve. Me vite të tëra kemi pas problem me nivelin e konkurueshmerinë në industrinë bankare, fondin pensional, distrubicionin e energjisë. Prandaj qeveria duhet shumë shpejt të filloj me mundësinë e krijimit të burses së Prishtinës, që do t’ia mundësonte diasporës tone dhe qytetarëve të Kosovës të jenë pronar të kompanive shtetërore dhe publike.Prandaj falimentimi i Telekomit do të i hapte rrugë krijimit të një karteli të ri dhe shumë të rrezikshëm në fushën e telefonisë

Lexo po ashtu:  “Hertz” aplikon për faliment – Pandemia “fshin” kompaninë emblemë 100-vjeçare të makinave me qira

Njohësi i ekonomisë, Jakup Bellaqa, për Syri.net Kosova tha kjo situatë e re për Telekomin është e paperballueshme.

Kjo pasi kjo ndërmarrje edhe ashtu është në gjendje jo pruduktive, jo rentabile, dhe jo profitabile.

Kjo situatë i rëndon pikërisht puntorët që do të mbesin pa paga rreth 3500 puntorë, në ketë rast Qeveria e cila është pronare dhe i menaxhon ndërmarrjet publike, do të duhej të merrej seriozisht e mos ta lejojë që të falimendoj duke revitalizuar kapacitetet ekzistuese dhe duke zgjeruar dhe krijuar kapacitete të reja, por së pari duhet të skanoj gjendjen e kësaj kompanie dhe kontratën që ka pasur me Z- Mobile.

Kjo kontratë sipas Bellaqës do të duhej të dërgohej në Arbitrazh, apo, të formohej një komision i posaqëm që të merrej me ketë çështje, sepse përveç punëtorëve që mbesin pa paga, e dëmton edhe buxhetin e Kosovës.

Është kjo kompani që mësë shumti ka kontribuar në sigurimin e mjeteve buxhetore të Kosovës, nese Qeveria ndërmerrë masa efikase që ta shpetojë këtë gjigant ekonomik te Kosovës, do të ndikojë edhe në shpëtimin e ekonomisë së vendit pasi ta stabilizojë gjendjen ekonomike dhe ta fuqizoj këtë ndërmarrje i vetmi shpëtim në aspektin afat mesëm dhe afatgjatë do të ishte të privatizohej, në mënyrë që kjo të funksiononte si kompani private, që duke rritur cilësinë e produkteve dhe të shërbimeve dhe të jetë konkuruese dhe të ketë treg jo vetëm në nivel të vendit por edhe me gjerë. Pa ndihmën e Qeverisë kjo ndërmarrje do të falimentoj, dhe nëse do te merrej seriozisht do të gjendej edhe formula për zgjidhjen e kësaj situate.

Ndryshe, Telekomi i Kosovës i ishte nënshtruar në të kaluarën dy herë procesit të privatizimit, mirëpo asnjëri proces nuk është finalizuar me sukses.

Në rastin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, në vitin 2013 kompania “Axos- Capital” ishte shpallur fituese, me një vlerë prej 277 milionë eurosh.

Por, i gjithë procesi ishte anuluar pastaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *