Albin Kurti mund të jetë komunist, marksist, neo-markist, radikal, arrogant, por është politikani më i ndershëm në Kosovë. Të gjithëve mund t’ua drejtosh gishtin për shumë mëkate, por jo liderit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Një fije shpresë mund të ketë mbetur te PZAP-i dhe Gjykata Supreme, megjithatë në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, çdo person i dënuar për vepër penale me vendim të formës së prerë në tri vitet e fundit, nuk mund të kandidojë në zgjedhje për t’u bërë deputet.

Vendimi nuk erdhi si përgjigje ndaj ankesës së VV-së, vitin e kaluar kur u zgjodh qeveria Hoti, për votën e një deputeti të dënuar me burg për vjedhje subvencionesh. Është e qartë, se prapavija politike ndërlidhej me kandidimin e Kurtit.

Lideri opozitar, që sot gëzon mbështetje popullore që po krahasohet me kohën e Ibrahim Rugovës, u dënua me kusht sepse kundërshtoi me gaz lotsjellës marrëveshjen e Asociacionit të Komunave serbe. Kjo marrëveshje u shpall më vonë antikushtetuese nga vetë Gjykata Kushtetuese. Pra, kundërshtarët politikë të saj kishin të drejtë në revoltën e tyre.

Lexo po ashtu:  “Hiteleri ishte hebre”, Zelensky i përgjigjet ministrit të jashtëm rus

Gjykata që e dënoi Kurtin, nuk ia ndaloi as kandidimin në zgjedhje, as zgjedhjen në institucionet qeveritare. Sipas kodit penal, në bazë të të cilit u shqiptua dënimi, dënimi me kusht nuk prodhonte pasoja juridike.

Nëse Gjykata Kushtetuese do t’i referohej me saktësi këtij rasti apo atyre të ngjashme, nuk do të vinte puna te ky precedent i turpshëm, që t’i ndalohet liderit më të votuar në Kosovë t’i prijë listës së subjektit të tij.

Anëtarët e Kushtetueses që nxorën një vendim kontravers e të dyshimtë në rastin e mandatimit të Avdullah Hotit e më pas edhe me rrëzimin e qeverisë dhe çuarjen e vendit në zgjedhje, tejkaluan dhe shpërdoruan kompetencat e tyre.

Një vend që i thotë vetes demokratik dhe synon anëtarësim në BE e në NATO, për t’u bërë pjesë e sistemit të vlerave perëndimore dhe ia ndalon kryeministrit të nesërm të kandidojë në zgjedhje, i hedh hije të keqe përpjekjeve të deritashme për shtetndërtim dhe demokratizim.

Kjo Gjykatë Kushtetuese, do të jetë edhe javëve e muajve të ardhshëm, sfiduese e Albin Kurtit, kur ai të zgjedhet kryeministër për herë të dytë. Telashet nuk mbarojnë me ndalimin e kandidimit për deputet, nëse konfirmohet edhe nga dy instancat e radhës ku ka të drejtë ankese kandidati i dëmtuar.

Lexo po ashtu:  Kurti: Është koha të qetësohet situata në veri

Në rrafshin politik, ndalimi i kandidimit të Kurtit, e thellon distancën e tij me partitë e tjera. Në opinion, ky vendim perceptohet si një tentim i radhës i regjimit të vjetër, për ta bllokuar me çdo kusht liderin e Vetëvendosjes.

Kërto eksperimentime të një Gjykate në shërbim të klaneve të politikës, i bëjnë dëm të madh Kosovës. Gjykata Kushtetuese ka marrë rolin e arbitrit politik, ndërsa dihet se është një mekanizëm interpretues juridik e kushtetues. Është politika që vendos kur shpërndahet parlamenti, kur mbahen zgjedhjet e kush zgjedhet kryeministër.
Në pritje të vendimit të PZAP-it dhe Gjykatës Supreme, shpresa është minimale për ndonjë ndryshim në favor të kandidimit të Kurtit.

Sidoqoftë, atij nuk i ndalohet t’i prijë fushatës dhe të mbetet kryetar i Vetëvendosjes. Së paku jo deri sa të ankohet dikush e Gjykata ta shfrenojë sërish fantazinë e saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *