Të gjithë shtetasit rusë, përfshirë ata me pasaporta diplomatike, të cilët duan të hyjnë, kalojnë transit apo qëndrojnë në Kosovë, duhet të pajisen me vizë. Ky vendim është marrë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 30 shtator.

“Të gjithë shtetasit e Federatës Ruse, bartës të pasaportave të rregullta, zyrtare e diplomatike, si dhe ata që kanë leje-qëndrim biometrik valid, të lëshuar nga shtetet e zonës Shengen do të obligohen të pajisen me vizë të Republikës së Kosovës për hyrje tranzit dhe qëndrim në territorin e Kosovës”, tha kryeministri, Albin Kurti.

Më herët qytetarëve rusë me pasaporta diplomatike dhe zyrtare u lejohej hyrja, transiti dhe qëndrimi deri në 15 ditë në territorin e Republikës së Kosovës, pa vizë. Gjithashtu, liroheshin nga nevoja për tu pajisur me vizë kosovare edhe shtetasit e vendeve për të cilët Kosova aplikon regjim vizash, por të cilët kishin leje qëndrim biometrik valid të lëshuar nga njëri ndër shtetet e Zonës Shengen. Kjo ishte e rregulluar në vendimin e Qeverisë për kushtet e hyrjes dhe regjimit të vizave për të huajt në Republikën e Kosovës, të marrë në vitin 2011.

Lexo po ashtu:  Qeveria Kurti merr përkrahje të fuqishme nga Gjermania

“Ky vendim është në raport me obligimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe në koherencë me vendimin e fundit të Bashkimit Evropian për pezullim të marrëveshjes për lehtësim të vizave Shengen për shtetasit rusë dhe vazhdimin e masave kufizuese dhe ndëshkuese kundër Federatës Ruse, për shkak të agresionit ushtarak kundër Ukrainës”, – tha zëvendësministrja e Jashtme, Liza Gashi.

Më 31 gusht, Bashkimi Evropian pezulloi marrëveshjen për viza me Rusinë si një “hap i parë i domosdoshëm”. Për pasojë, rusët do ta kenë më të vështirë sigurimin e një vize dhe procesi do t’iu kushtojë më shtrenjtë. Vendet e BE-së nuk kanë arritur të pajtohen për një ndalesë totale për vizat turistike për rusët, meqë vendet anëtare janë të ndara në këtë çështje. Kievi i ka bërë thirrje BE-së që të ndalojë lëshimin e vizave për të gjithë rusët, përveç disidentëve politikë. /REL

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *