Kostandin Kristoforidhi dhe Aleksandër Xhuvani, mbeten pa asnjë mëdyshje Rilindësit e Nderit jo vetëm për Elbasanin, por edhe për kombin. Roli dhe kontributet, veprimtaria  dhe trashëgimia që ata kanë dhënë dhe lënë për brezat është e shumë  e çmuar. Vepra e tyre ka qenë dhe mbetet ende objekt i studiuesve të fushës së gjuhësisë, por edhe temë doktorature për pedagogët e sotëm.

Jeta dhe vepra e Kristoforidhit

Kostandin Kristoforidhi, njihet si lëvrues dhe studiues i shquar i gjuhës shqipe,  si veprimtar i Rilindjes Kombëtare, i arsimit dhe i kulturës. Ai u lind në Elbasan dhe më pas ndoqi nga viti 1847 gjimnazin Zosimea të Janinës, ku ndihmoi J. G. Hanin për të studiuar shqipen e për të hartuar një fjalor shqip-gjermanisht. Ai shkoi në Stamboll më 1857, dhe për të treguar nevojën e një pune të re me përkthimet shqip, hartoi një Mernorandum për gjuhën shqipe. Kristoforidhi qëndron në Maltë deri më 1860, në një seminar protestant ku ndërkohë përfundoi përkthimin e Dhjatës së Re, në toskërisht e gegërisht. Ai paraqiti disa nga idetë e rilindësve për njësinë e Shqipërisë autonome, për lashtësinë e virtytet e shqiptarëve, si edhe gjendjen e arsimit e të dialekteve të shqipes në punimin “Shënime mbi Shqipërinë”, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta viti 1860. Kostandini u emërua mësues në Tunis deri më 1865, kur hyri në marrëdhënie me përfaqësuesin e Shoqërisë Biblike të Londrës në Stamboll. Botoi më 1866 përkthimin e parë gegërisht Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve dhe vijoi për shumë vjet përkthimet si Psallmet (1868 toskërisht, 1869 gegërisht), Dhjata e re (gegërisht 1869, toskërisht 1879), Të bërët dhe të dalët ( në toskërisht 1880), Nomi i dytë (toskërisht 1882) Fjalët e urta të Solomonit dhe Vivla e Isaisë (toskërisht 1884). Ka lënë dorëshkrim “Krijesa dhe të dalët gegërisht”, si edhe disa shkrime të tjera që nuk janë gjetur. Kostandin Kristoforidhi udhëtoi  disa herë nëpër Shqipëri që nga viti 1870 për të mbledhur fjalë e shprehje nga goja e popullit, për të përhapur librat e vet dhe për t’u mësuar bashkatdhetarëve shqipen letrare. Shoqëria Biblike i ndërpreu  marrëdhëniet me të më 1874, pa asnjë paralajmërim sepse u vërtetua që ai nuk besonte në frymëzimin hyjnor të Biblës. U detyrua të shiste dru e qymyr, dhe të hapte një pijetore në Tiranë, por jepte fshehurazi mësime të shqipes. Kostandini u vendos përfundimisht  më 1884 në Elbasan, ku vijoi të jepte shqipen fshehurazi derisa vdiq.

Botimet dhe veprimtaria letrare

Veprimtaria e tij themelore ishte në dy fusha të lidhura ngushtë, për gjuhën dhe për shkollën shqipe. Botoi më 1867 Abetaren gegërisht, më 1868 toskërisht dhe libra të vegjël për nxënësit. Bashkë me atdhetarë të tjerë mori pjesë në Komisionin për Alfabetin e për arsimin më 1867 në Stamboll, dhe i vazhdoi më pas përpjekjet e përbashkëta për alfabetin. U përpoq me Hasan Tahsinin e të tjerë të ngrinte shkollën shqipe. Idetë më të rëndësishme i ka shprehur në një letër Nikolla Naços më 1888. Vepra themelore e Kostandin Kristoforidhit, për të cilën punoi gjithë jetën, është fjalori i gjuhës shqipe . Më 1882 botoi Gramatikën e Gjuhës Shqipe sipas dialektit toskë, dhe  ka lënë edhe disa dorëshkrime me shënime gjuhësore. Përkrahte teorinë për prejardhjen pellazge të shqipes, si dhe nxori në dritë vlera të shumta të visareve të gjuhës së popullit, duke dhënë ndihmesë  të veçantë  për pastërtinë e gjuhës duke  dëshmuar se dialektet e shqipes nuk kishin dallime të mëdha. Me lëvrimin që i bëri gjuhës shqipe në përkthimet e në veprat e tjera ndihmoi për themelimin e gjuhës letrare kombëtare. Provoi prozën me tregimin e shkurtër Gjahu i malësorëve (botuar më 1902). Punoi për një sistem arsimor kombëtar, të mbështetur në një pedagogji e didaktikë përparimtare demokratike. Në pikëpamjet politiko-shoqërore Kostandin Kristoforidhi ishte iluminist demokrat. Shpresën për lirinë e Shqipërisë e mbështeste te vegjëlia, si rrugë kryesore shihte zgjimin kombëtar nëpërmjet shkollës e kulturës dhe gjuhën amtare e shihte si mjetin më të rëndësishëm për përparimin kombëtar. Ishte ndër përfaqësuesit e parë që u bënë shprehësit ideorë të lëvizjes kombëtare dhe bëri përpjekje për ta vënë në jetë programin e rilindësve në fushën e kulturës e të arsimit. Disa prej veprave të Kostandin Kristoforidhit,  janë “Tituj të veprave, dhe Memorandume për gjuhën shqipe” (1857), Shënime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta (1860) , Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve (përkthim: gegërisht 1866) , Psallmet (përkthim: toskërisht 1868, gegërisht 1869) , Dhjata e re (përkthim: gegërisht 1869, toskërisht 1879) Të bërët dhe të dalët (përkthim: toskërisht 1880) Nomi i dytë (përkthim: toskërisht 1882) Fjalët e urta të Solomonit dhe Vivla e Isaisë (përkthim: toskërisht 1884) Krijesa dhe të dalët (dorëshkrim: gegërisht) Abetare (gegërisht 1867, toskërisht 1868) Alfabeti i Stambollit – anëtar komisionit (1870) . Vepra e Kostandin Kristofiridhit, e këtij njeriu që shkriu çdo gjë nga jeta e tij për gjuhën shqipe, nuk është vlerësuar sa duhet nga pushtetet dhe qeveritë edhe pas ndryshimeve politike. E ndërsa sistemi komunist i ngriti një goxha bust në qendër të Elbasanit, apo i vuri emrin e tij edhe ndonjë shkolle, në demokraci ai përkujtohet gjithmonë për interesa të ngushta sa politike aq edhe krahinore.  

Lexo po ashtu:  Amazon investon në teknologjinë e makinave autonome

Aleksandër Xhuvani, i fundmi i rilindësve

Aleksandër Xhuvani, mbetet nga figurat më të nderuara të historisë së shkollës e shkencës shqiptare. Por ashtu si çdo mendimtar i shquar, ai ishte gjithashtu dhe veprimtar i njohur shoqëror e politik. Emrin e tij e mban sot Universiteti i Elbasanit, megjithatë pak e njohin veprën e tij në dobi të kombit. Veprimtaria e tij nisi në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe arriti zhvillimin më të madh pas çlirimit. Aleksandër Xhuvani ka lindur ne vitin 1880 dhe studimet e larta filologjike i kreu në Universitetin e Athinës. Pas kryerjes së studimeve jep mësim në shkollën e parë të mesme kombëtare, në Normalen e Elbasanit (dhjetor 1909). Historia dhe përparimi i kësaj shkolle dhe ndihmesa e rëndësishme që i dha ajo ngritjes dhe zhvillimit të arsimit tonë janë të lidhura ngushtë me veprimtarinë që shtjelloi  Xhuvani  për periudha të gjata kohe si mësues dhe si drejtor i Normales. Deri në Kongresin e Lushnjes, në vitin 1920, Normalja e Elbasanit u mbyll dhe u hap 5 herë, si pasojë e represionit të pushtuesve xhonturq.  Krahas Xhuvanit, drejtorë të tjerë të kësaj shkolle kanë qenë edhe  Luigj Gurakuqi e Sali Ceka, ndërsa pedagogët e parë ishin Sotir Peci, Kostaq Cipo, Simon Shuteriqi, Kahreman Ylli, Qamil Guranjaku, etj. Por veçanërisht  Aleksandër Xhuvani kreu një pune të madhe e shumë të vlefshme për krijimin e pasurimin e letërsisë mësimore, pajisi shkollën me një sërë tekstesh, të gjuhës, të letërsisë, të shkrimeve pedagogjike etj. Ai luftoi për një shkollë kombëtare e laike, për përmirësimin e vijueshëm dhe ngritjen e mëtejshme të saj.  Pas çlirimit, Aleksandri dha një ndihmesë të rëndësishme për zhvillimin e arsimit (viti 1946-1951), për organizimin e drejtimin e jetës shkencore si drejtues i seksionit të Gjuhës e Letërsisë të Institutit të Studimeve i quajtur më vonë  si Instituti i Shkencave (janar 1947- shtator 1953) si dhe anëtar i Presidiumit të tij (1947-1957). Krahas arsimit, fushe themelore e veprimtarisë se tij, që gjuhësia. Shtjelloi një veprimtari sistematike, të shumanshme, të gjerë e të frytshme si lëvrues e studiues i gjuhës shqipe. Puna e tij shkencore u karakterizua nga një vështrim i qartë e objektiv i çështjeve, nga një njohje e gjerë e gjuhës shqipe, e strukturës gramatikore dhe leksikore te saj, nga lufta këmbëngulëse për një gjuhë shqipe sa më të pastër, të pasur e të paqortueshme, për të ngritur gjithnjë e më lart përpunimin e gjuhës letrare. Ne vitin 1905 Xhuvani shkruante në një artikull të revistës ALBANIA të KONICËS se gjuha e vetme letrare duhet ketë bazat në dialektin e toskërishtes. Atëherë ishte koha kur gjuha shqipe ishte ne rrezik, dhe greket e serbet nxitonin që të hapnin shkolla të huaja në tokat shqiptare. Qëllimi i kësaj ideje të Xhuvanit sipas tij ishte shpëtimi i kombit, pra të njehsohej gjuha letrare. Ndoshta arsyeja që ka ndikuar qëXhuvani të mbështetej te toskërishtja, sipas një studiuesi është se jugu i Shqipërisë ishte disi me i zhvilluar dhe njerëzit më të etur për të lexuar, ndryshe nga veriu.  Edhe më pas, Xhuvani luftoi e punoi për njehsimin e gjuhës letrare të folur e të shkruar, për një gjuhë letrare të përbashkët për gjithë popullin shqiptar. Drejtoi hartimin e udhezuesve te njepasnjeshem drejtshkrimore (1949, 1951, 1954, 1956) qe zgjeruan gjithnjë e më shumë rrethin e çështjeve që gjetën rrugën për njehsimin e plote te drejtshkrimeve të gjuhës shqipe më vonë. Aleksandër Xhuvani gjate gjithë jetës bëri luftë këmbëngulëse për pastërtinë e gjuhës shqipe, për pasurimin e saj në bazë të veçorive e të ligjeve që e karakterizojnë. Ky ka qenë filli që ka përshkruar tejembanë gjithë veprimtarinë e tij prej lëvruesi të gjuhës shqipe. Në vitin 1956  ai botoi posaçërisht librin “Për Pastërtinë e Gjuhës Shqipe”.  Xhuvani kreu një punë të vyer për pasurimin e gjuhës  letrare, sidomos për përpunimin e terminologjisë të mjaft degëve të dijes sidomos të gramatikës, letërsisë dhe shkencave pedagogjike. Ai  ndihmoi në veprimtarinë, që nisi të shtjellohet në vendin tonë pas çlirimit në fushën e terminologjisë, drejtoi punët e para që u bënë për terminologjinë shkollore. Gjithashtu ai shtjelloi një veprimtari kërkimore të gjerë e të frytshme në fusha të ndryshme të gjuhës shqipe. Ishte  ndër studiuesit e parë të fjalëformimit, të morfologjisë e sintaksës. Për vite me radhë hartoi punime e studime për kategori e çështje të ndryshme të gramatikës. Mund të përmenden punimet për pjesoren e paskajoren, monografia parafjalë etj. Xhuvani i madh në  bashkëpunim me Eqrem Çabejn, hartuan  dy trajtesat Parashtesat (1956) dhe Prapashtesat e Gjuhës Shqipe (1962), të cilët karakterizohen nga vështrimi i gjerë, sinkronik e diakronik, nga pasuria e madhe e të dhënave, e vëzhgimeve dhe mendimeve. Ato  botime pasqyrojnë njohuritë e thella të Xhuvanit për leksikun e gjuhës shqipe e sidomos leksikun popullor. Ai ishte njohësi më i mirë i visarit  leksikor të gjuhës shqipe. Mblodhi me durim e pasion nga gjuha e popullit shumë fjalë e shprehje, të cilat u përpunuan pas vdekjes së tij në formë të një fjalori. Xhuvani  një botim të dytë të sistemuar shkencërisht të Fjalorit të Gjuhës Shqipe të Kristoforidhit (1961) dhe i dha këtij fjalori një jetë të re. Xhuvani dha një ndihmesë të vlefshme edhe për Fjalorin e Gjuhës Shqipe (1954). Një ndihmesë të mirë i ka dhënë leksikologjisë shqipe dhe teorisë e praktikës së leksikografisë sonë me shkrime e punime të ndryshme me artikuj e recensione, nder te cilat mund të përmendim Kritike mbi Fjalorë të Shqipes (1934),  Çështja e Fjalorit të Gjuhës Shqiptare (1957). Ai  dha mendime me vlerë për çështje të gramatikës historike e të leksikologjisë historike të shqipes. Një ndihmesë të vyer ai  solli me studime për letërsinë, e sidomos për letërsinë e vjetër dhe arbëreshë me tekstet, antologjitë, artikujt e recensionet që botoi. Aleksandër Xhuvani punoi tërë jetën me dashuri për ngritjen e përparimin e arsimit kombëtar, për lëvrimin e gjuhës shqipe, për kulturën shqiptare. Ai vazhdon të mbetet një figurë e rëndësishme edhe me pas duke u zgjedhur anëtar i Asamblesë Kushtetuese (dhjetor 1945),  dhe deputet i Kuvendit Popullor dhe deri në fund të jetës ai ishte nënkryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor gjate regjimit komunist. Xhuvani  u nda nga jeta ne vitin 1961 dhe 19 vite më pas, pra me 1980, u botua vëllimi i parë i veprave të tij  me 6 vëllime, nën kujdesin e Akademisë së Shkencave. Ky  botim  është një nga literaturat më të vlefshme për studimin e gjuhës shqipe. /Vataj//www.mekuliPress.com/  – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

Lexo po ashtu:  Aristidh Kola mbi gjurmët shqiptare në Greqi…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *