Me sa duket Elez Biberaj ka inat tropojani. Ose në të kundërt, Drejtori i Drejtorisë së Euroazisë në Zërin e Amerikës ka një mendim kaq negativ për atë se si po shkojnë punët në Shqipërinë e drejtuar nga Edi Rama, sa ai nuk ka nguruar ta shprehë këtë edhe në një ditë festive.

Si i ftuari kryesor i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, që organizoi një konferencë për 30 vjetorin e rivendosjes së marëdhënieve diplomatike me SHBA – në, Biberaj e ka konsideruar Shqipërinë si një nga vendet më të korruptuara ne Europë.

“Vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar një rrëshqitje të konsiderueshme prapa në rrugën e demokracisë dhe një autoritarizëm në rritje, duke e bërë atë një nga vendet më jofunksionale dhe më të korruptuara në Evropë. Sistemi politik i Shqipërisë në thelb është prishur dhe vendi është shndërruar në një shtet njëpartiak, autoritar, me Partinë Socialiste në fuqi që kontrollon pushtetin në të gjitha nivelet” – tha Biberaj në sy të ambasadores Yuri Kim.

Lexo po ashtu:  Satelitët për Partinë, ujin dhe bukën(me shpresë) për Shqipërinë!

Por mëria mes një prej gazetarëve dhe drejtuesve më të vjetër të VOA dhe qeverisë aktuale nuk datojnë sot. Ato kanë dalë publikisht në sipërfaqe që në janar të vitit 2019 kur Zëri i Amerikës botoi një lajm ku tregohej se si zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste përdornin vendet e lira të punës në administratën e burgjeve për të punësuar militantët e tyre. Aty dëgjohej drejtorja e kabinetit të kryeministrit ti kërkonte drejtorit të burgjeve marrjen në punë të një militanteje të PS. Kaq u desh që në stilin e tij të zakonshëm kryeministri Rama ta quante VOA, si një media kazan.

“Erdhi dita që Zëri i Amerikes të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike. Për herë të parë në E Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie”, shkroi atëherë Rama.

Por një ditë më pas Elez Biberaj nuk ia la mangut: “Shërbimi shqiptar i Zërit të Amerikës ka siguruar vazhdimisht raportime të sakta dhe të paanshme rreth zhvillimeve në Shqipëri dhe unë garantoj plotësisht integritetin dhe gjykimin e lajmit” iu kundërpërgjigj Drejtori për Evropën dhe Euroazinë i Zërit të Amerikës.

Lexo po ashtu:  Formati i ri demokratik: O me Ne, o kundër Nesh

Përplasja e dytë publike ndodhi në të njëjtin vit në fillim të prillit. Gjatë një takimi me përfaqësues të komunitetit shqiptar në SHBA, Biberaj kritikoi autoritarizmin në rritje të kryeministrit dhe mardhëniet e tij problematike me mediat kritike. “Siç ka ndodhur edhe me disa udhëheqes të tjerë europiano- lindorë, Rama është bërë dukshëm më autoritar, më i korruptuar, më arrogant dhe më pak transparent… Rama ka krijuar një model qeverisjeje që bazohet tek kleptokracia, duke dhënë pa tendera, kontrata me vlerë qindra milionë dollarëshe për kompanitë pranë qeverisë. Marrëdhëniet klienteliste mes zyrtarëve qeveritarë dhe biznesmenëve të njohur kanë deformuar procesin vendimmarrës të qeverisë, duke shkelur rregullat bazë të lojës, duke prishur konkurrencën në treg dhe duke u hequr qytetarëve të zakonshëm çdo mjet përmes së cilit ata do të mund të ndikonin në sjelljen e ndryshimeve” nënvizoi atëherë ai.

Edi Rama pas disa ditësh mori lapsin dhe iu përgjigj vetë këtyre tezave duke e akuzuar Biberajn se nuk thoshte opinione, por fakte shpifse, duke e rirenditur VOA mes mediave shqiptare të kazanit dhe duke bërë alibinë e përhershme: “A nuk do të flisnin të huajt po të kishin ndodhur këto”? .

Lexo po ashtu:  Samiti Berlinit / Bosnja & Kosova

Shija e hidhur e këtyre replikave të ashpra nuk është tretur ende dhe me sa duket Biberaj ka shfrytëzuar rastin për ti shprehur pikpamjet e tij mbi kryeministrin dhe qeverinë që po kërkon mandat të tretë edhe në një ditë festive si ajo e 30 vjetorit të marëdhënieve SHBA Shqipëri. Ai ka theksuar se marëdhëniet e mira mes të dy vendeve duhen ushqyer dhe nuk duhen marrë si të patjetërsueshme, duke shtuar se janë zyrtarët qeveritarë, dhe anëtarët e parlamentit … ata që po e minojnë fushatën kundër korrupsionit”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *