Shoqëria civile ka kritikuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për mosratifikimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare.

Kuvendi i Kosovës sot, pas një debati të ashpër rreth katërorësh, nuk pati kuorumin për të votuar shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar, Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan, Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet BE-së dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet BE-së dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

Në votim nuk morën pjesë dy partitë opozitare, LVV dhe PDK, ndërsa partitë në pushtet nuk kishin më shumë se 58 vota. Këto marrëveshje ndërkombëtare, që kërkojnë minimum 80 vota, u vendos që të shqyrtohen sërish në seancën e radhës. Ky mosvotim është kritikuar nga shoqëria civile.

Agron Demi nga Instituti GAP ka thënë se vendi ka nevojë urgjente për kreditë ndërkombëtare, që sot nuk morën përkrahjen e deputetëve. Ai ka kritikuar debatin mes deputetëve.

Lexo po ashtu:  Lajm optimist: Gjermani/ Shpërndarja e vaksinës “BioNTech/ Pfizer” e mundur këtë vit

“Kuvendi nuk është arenë me la hesape partitë mes vete, po institucion i cili përmes debatit duhet me ardh deri tek zgjidhjet më të mira për qytetarët, të cilët me votën e tyre i kanë zgjedhë dhe me taksat e tyre u mundësojnë deri 2.000 euro rrogë mujore. Opozita e para 3 qershorit refuzonte miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ashtu si tash opozita e pas 3 qershorit. Deputetët nuk po e bllokonin Albin Kurtin e as tash Avdullah Hotin, por po e bllokojnë rimëkëmbjen ekonomike. Mjafton deputetët me hy nëpër lokale dhe me bisedu me pronarët e bizneset dhe e shohin që heqja e masave nuk është ka manifestohet aspak me aktivitet normal ekonomik. E vendi ka nevojë urgjente për ato kredi ndërkombëtare”, ka shkruar ai.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, e ka cilësuar papërgjegjësi e joseriozitet qasjen e Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se Parlamenti mund të bëhet përgjegjës për një kolaps ekonomik të mundshëm.

“Papërgjegjësi, joseriozitet. Marrëveshjet ndërkombëtare nuk duhet të jenë instrument i luftës politike. Parlamenti mund të bëhet përgjegjës për një kolaps ekonomik të mundshëm. Me gjasë shumica e politikanëve në tërë karrierën e vet nuk e kanë dhenë asnjë pagë, prandaj nuk e kanë as idenë më bazike se në çfarë gjendje të vështirë mund të jetë një kompani, nga goditjet e pandemisë”, ka shkruar Rukiqi në Facebook.

Lexo po ashtu:  Me flamuj të Serbisë, me thirrje raciste antishqiptare, me parulla kundër Kosovës e për Rusinë, me liturgji politike të Amfilohije Radoviqit në funksion të shovinizmit, Mali i Zi ndodhet para ndryshimeve të mëdha...

Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka thënë se politikanët s’duhet të refuzojnë votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për shkak të inateve personale e partiake.

“Deputetët nuk paguhen me i dëgju teksa shajnë njëri-tjetrin, por me votu ligje për t’mirën e qytetarëve. Ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare që ndihmojnë rimëkëmbjen ekonomike janë shumë të rëndësishme dhe nuk duhet të refuzohen shkaku i inateve personale a partiake”, ka shkruar ai.

Demokraci Plus ka thënë se rimëkëmbja ekonomike e vendit s’është vetëm obligim i Qeverisë, apo një subjekti të vetëm politik. Sipas kësaj organizate, bllokimi i marrëveshjeve është papërgjegjësi.

“Një numër i marrëveshjeve ndërkombëtare për gati një vit presin ratifikimin nga ana e Kuvendit. Shumica prej këtyre marrëveshjeve janë negociuar nga dy qeveritë paraprake, që ndër të tjera kanë të bëjnë me zbatimin e projekteve infrastrukturore që prekin direkt përmirësimin e shërbimeve bazike për nevojat e qytetarëve, siç është Marrëveshje për trajtimin e ujërave të zeza në Komunën e Gjilanit, por edhe marrëveshje të tjera të cilat do të lehtësojnë përballje me pasojat ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Rimëkëmbja ekonomike e vendit nuk është vetëm obligim i Qeverisë, as vetëm i një subjekti politik, është përgjegjësi e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend që kanë marrë besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar. Bllokimi i votimit të këtyre marrëveshje për inate politike të së kaluarës është papërgjegjësi e madhe që shkon në dëm të qytetarëve dhe bizneseve të vendit”, ka shkruar në një reagim Demokraci Plus.

Lexo po ashtu:  SKANDALOZE, Gjykata Kushtetuese heq paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës në versionin final të aktgjykimit për dekretin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *