Nga Richard Spencer/ The Times

Kryeministri i Kosovës ka pamjen e prekur të një nxënësi shkolle, i cili mendon se ka bërë gjithçka siç duhet për t’u përshtatur, por ende nuk e ka fituar zemrën e shokëve të vet.

Por, Albin Kurti – i cili dërgoi javën e kaluar, 4 kryebashkiakë shqiptarë etnikë, në katër komuna me shumicë serbe, kundër këshillës së SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe BE-së, miqve më të ngushtë të Kosovës – nuk është penduar.

Ata e ndëshkuan qëndrimin e tij me përjashtimin e forcave ushtarake kosovare nga stërvitjet e udhëhequra nga NATO. Ai beson se shpërblimi për largimin metaforik nga ekipi i futbollit do të jetë përfundimisht mposhtja e armikut të tij më të vjetër të gjallë, presidentit ultra-nacionalist Vuçiç të Serbisë, ish-bosi i të cilit e burgosi atë vite më parë.

“Ne kemi nevojë për ndihmën e SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së,” tha ai për The Times në një intervistë në fundjavë. “Por kjo ndihmë nuk duhet të jetë në drejtim të qetësimit të autokratëve.”

Kriza e fundit në Ballkan mund të tingëllojë e parëndësishme, nëse mendohet se katër kryetarët lokalë nuk u shërbejnë më shumë se 50 mijë banorëve. Por, ajo e ka vendosur Kurtin jo thjeshtë kundër Vuçiçit, ajo e ka përplasur atë me forcat që ndërhynë ushtarakisht kundër ish-liderit të ndjerë Sllobodan Millosheviç, duke çuar në pavarësinë e Kosovës.

Perendimorër kanë harxhuar një dekadë duke provuar ta ndajnë Vuçiçin nga miku më i afërt i tij, Presidenti Putin, për shkak se Vuçiç, që dikur ishte ministër i informacionit i Millosheviçit, luan si macja me miun me Evropën, shpesh duke u kthyer kah lindja, e nganjëherë kah perëndimi. Zyrtarisht Serbia kërkon të anëtarëohet në BE.

Lexo po ashtu:  Izraelitët po trajnojnë pilotët grekë për 1.7 miliardë dollarë

Me përqendrimin diplomatik dhe ushtarak të angazhuar plotësisht në Ukrainë, gjëja e fundit që Perëndimi dëshiron është një tjetër konfrontim – prandaj u krijua dhe grindja me Kurtin, kur ai këmbënguli për të mbajtur një qëndrim të ashpër.

Gjithçka nisi kur pothuajse të gjithë nga 50 mijë banorët e katër komunave në veri të Kosovës, që janë gati se 95% serbë, bojkotuan zgjedhjet lokale të prillit. Kjo nënkuptoi që katër shqiptarë etnikë u zgjodhën me më së shumti nga 100 vota. Serbët kundërshtuan, Kurti nguli këmbë, përballë sugjerimeve të ambasadorëve që të zgjedhurit “të punojnë nga shtëpia”.

Rezultati ishte kaos. Turmat sulmuan komunat. Paqeruajtësit e NATO’s u sulmuan nga burra të maskuar. 19 hungarezë dhe 11 italianë u lënduan, bashkërisht me më shumë se 50 serbë. Emisarët perëndimorë shpërthyen, duke e quajtur Kurtin të papërgjegjshëm, madje privatisht, edhe më keq. Por, ai thotë se po mbronte sundimin e ligjit dhe demokracinë, e cila nuk do të mund të mbijetonte po të dorëzohej ndaj bullizimit të mikut të Putinit.

“BE, SHBA, Britania e Madhe, e njohën procesin demokratik të zgjedhjeve,” tha ai. “Nëse kryetari nuk do të punojë nga zyra e tij, nga do të punojë ai?”

Lexo po ashtu:  Fundi i botës, më afër se kurrë: Ora e Kiametit, 100 sekonda para mesnatës

Janë dy pyetje kyçe që qëndrojnë pezull mbi të ardhmen e Kosovës, ku 13,000 njerëz vdiqën në luftën e përgjakshme civile të cilës i dha fund ndërhyrja e NATO-s. E para është shkalla e autonomisë që do t’i japë enklavës së saj etnike serbe në veri të vendit, ku qytetarët mbajnë flamuj serbë. E dyta është nëse Serbia do ta njohë ndonjëherë pavarësinë e Kosovës dhe do të ndërpresë lobimin e saj ndaj vendeve si Rusia që e bllokojnë këtë.

Perëndimi shpreson që duke i bërë lëshime pakicës serbe, Kosova do ta ruajë paqen aq gjatë sa Vuçiç, ose një pasardhës, përfundimisht do t’i dorëzohet realitetit de fakto, pasi ky do të jetë një parakusht për anëtarësimin në BE. Kurti, i cili si student aktivist ishte burgosur nga Millosheviqi, thotë se Vuçiç është ende i njëjti njeri që ishte atëherë dhe po bën lojëra me bashkëbiseduesit e tij. Ai thotë se po mban qëndrim të ashpër ndaj komunave sepse nëse tregon dobësi, Vuçiç do ta shfrytëzojë atë.

Serbët i bojkotuan zgjedhjet pjesërisht sepse në një “marrëveshje normalizimi” në vitin 2013 atyre iu premtua se këshillat e tyre mund të formonin një “bashkësi të komunave serbe”. Ajo nuk është jetësuar kurrë. Kurti e pranon problemin dhe thotë se ka ndërmend të merret me të – por vetëm me kushtet e tij.

Ai thekson se ishte një grup i ngjashëm i këshilleve serbe që u bashkuan për t’u shkëputur nga Bosnja, i mbështetur nga Millosheviçi, duke shkaktuar luftën atje. “Nuk do të lejoj që Kosova të bëhet Bosnjë”, tha ai.

Lexo po ashtu:  - Një njeri që dëshiron të udhëheqë orkestrën, duhet t’i kthejë shpinën turmës.

Diplomatët sugjerojnë se Kurti, 48 vjeç, i cili po i qëndron premtimeve kundër korrupsionit, po përpiqet të tregojë veten si një Zelensky i ri. Ata thonë se Kosova është shumë e ndryshme nga Ukraina, ndërsa enklava serbe i ngjan më shumë Irlandës së Veriut sesa Donbasit. T’u kërkosh serbëve atje të harrojnë Beogradin është si t’u kërkosh katolikëve të Irlandës së Veriut të harrojnë Dublinin. Kurti e mohon forcën e ndjenjës që ekziston në veri, thonë ata, dhe duke i hedhur poshtë bandat që sulmuan zyrat komunale si “milici fashiste”, po i shtyn serbët e zakonshëm në krahët e tyre.

Ata nuk e kundërshtojnë faktin se, megjithatë, bandat kanë një bazë kriminale: si në luftërat jugosllave të viteve 1990, bandat e huliganëve luajnë një rol shumë të madh në jetën serbe. Kurti padyshim e ka të vështirë, edhe sepse opozita kërkon kompromis, për hir të marrëdhënieve më të mira me Perëndimin. Ai tha për The Times se do të mbante zgjedhje të reja, për sa kohë që serbët premtojnë se nuk do t’i bojkotojnë ato. Ai tha se pranoi se kryetarët e bashkive ishin vetëm “gjysmë legjitime”.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj demokracisë,” tha ai. “Nuk do të kemi kryebashkiakë Zoom. Ne jemi shteti më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe një vend serioz”.

Richard Spencer/ The Times

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *