Në prag të ndeshjes kundër Lituanisë në kuadër të Ligës së Kombeve, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar për vizitë te përfaqësuesja e Kosovës, duke dhënë mbështetjen e tij për futbollistët, stafin dhe Federatën e Futbollit të Kosovës.

Kjo vizitë e Kurtit, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë e Sportit, Hajrulla Çeku dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitija, vjen si një gjest solidariteti dhe mirënjohjeje për qëndrimin parimor të përfaqësueses në ndeshjen e zhvilluar në Bukuresht kundër Rumanisë, ku futbollistët dhe Federata refuzuan të vazhdojnë lojën pas thirrjeve raciste dhe anti-Kosovë.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, falënderoi kryeministrin Kurti për vizitën dhe mbështetjen e tij, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes institucionale për Kombëtaren e Kosovës.

Kurti: Qëndrim parimor, i drejtë dhe i dobishëm për Kosovën

Gjatë fjalimit të tij kryeministri Kurti e vlerësoi qëndrimin e lojtarëve dhe të federatës si parimor, të drejtë e të dobishëm për vendin dhe futbollin:

“Është kënaqësi dhe nder që takohemi sot bashkë. Së pari duhet të ju përgëzoj për lojën e shkëlqyeshme që e keni bërë në Bukuresht, ku keni dominuar në fushën e gjelbër, dhe në të njëjtën kohë të shpreh solidaritetin tonë të plotë me qëndrimin që keni mbajtur aty. Ai është qëndrim parimor, i drejtë dhe i dobishëm, edhe për Kosovën, edhe për futbollin, edhe për secilin qytetar të vendit tonë, i cili është ndier i përfaqësuar me deklaratën dhe qëndrimin e kapitenit Amir Rrahmani, për çka ju përgëzoj e ju falënderoj nga zemra”, tha Kurti.

Lexo po ashtu:  Zyrtari i VV-së reagon për mbledhjen e Qeverisë në Prevallë: Kryeministri i papërvojë nuk ka shkuar Bullgari edhe t’u hipën skijave

Kryeministri tutje vuri theksin te rëndësia e drejtësisë dhe unitetit përballë sfidave të tilla:

“Nuk është hera e parë që po na ndodhë një situatë e tillë. Thirrje shoviniste kundër Kosovës dhe shqiptarëve, thirrje raciste kundër lojtarëve tanë dhe popullit tonë kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Vetëm se tash është mbushur kupa. Dhe nuk ka vend në kupë për më shumë sulme të tilla denigruese që janë të papranueshme në botën e civilizuar. Kur kjo ndodh në një shtet i cili ende nuk na ka njohur, gjithçka bëhet edhe më e rëndë”, shtoi kryeministri.

Ai premtoi mbështetje institucionale dhe përfshirje në arenën ndërkombëtare për të luftuar sjelljet e tilla:

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të bëjmë gjithçka që këtë betejë ta vazhdojmë edhe në arenën ndërkombëtare politike e diplomatike, por edhe në aspektin ligjor e juridik, në mënyrë që UEFA dhe FIFA t’i dënojnë ata që e meritojnë”, nënvizoi Kryeministri i Republikës, Kurti.

Në fund të fjalimit të tij, kryeministri Kurti citoj deklaratën e kapitenit Amir Rrahmani pas ndeshjes: “Po e përfundoj këtë fjalë timen duke e cituar Amir Rrahmanin saktësisht. “Dua t’i bëj thirrje UEFA-s dhe FIFA-s të mos lejojnë këso gjëra. Kosova ka pasur të kaluar të vështirë, luftë masakra e gjithçka, s’ka qenë e lehtë të arrihet këtu, andaj meritojmë respekt. Të gjithë duhet ta dinë se Kosova është Kosovë, ose Kosova është Shqipëri, Kaq, këtu mbaron”.  Me këtë qëndrim të tij kapiteni ynë Amir Rrahmani ka treguar se anija e jonë e përbashkët është shtetërore, kombëtare e sportive, e nuk është tregtare apo revizioniste qysh duan disa kryeqendra tjera të vendeve autoritare, e posaqërisht fqinji ynë armik e agresiv në veri të shtetit tonë të dashur. Unë nuk di të luaj aq mirë futboll, p.sh. kryetari i Kuvendit (Glauk Konjufca) luan shumë më mirë se unë, por përndryshe sa i përket këtij qëndrimi e kishim bërë një rokadë me Amir Rrahmanin. Ai me këtë qëndrim do të mund të ishte taman kryeministër, por fatkeqësisht unë nuk mund ta zëvendësoj atë në ndeshjet e futbollit”.

Lexo po ashtu:  Kombëtarja/ Debuton në ndeshjen ndaj Polonisë, trajneri Sylvinho përgatit formacionin e kuqezinjëve

“Edhe një herë  ju them se nuk bën të kemi dilemën as më të vogël për drejtësinë e qëndrimit dhe vendimit tuaj për të cilin po e ritheksoj e keni mbështetjen tonë të plotë, të pakursyer e të parezervë”, tha Kurti, i cili në shaka theksoi se sikur presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ashtu edhe ministri Çeku e paralajmëruan para takimit se duhet të jemi preciz me kohën sepse e kemi trajnerin gjerman, dhe minutat janë 60 sekonda e jo më shumë.

Në fund të vizitës, kryeministri nuk harroi pa uruar edhe Kombëtaren U19 për suksesin e arritur kundër kampionit në fuqi, Spanjës.

“Besoj që duhet t’ia urojmë njëri-tjetrit edhe fitoren e ekipit tonë U19 ndaj kampionit aktual evropian Spanjës, 4:3, që tregon se talenti, zelli ynë e dëshira për fitore vazhdon të ngadhënjejë. Por, tash kemi nevojë për drejtësi”, ka përfunduar Kurti.

Muriqi: Jemi prekur emocionalisht dhe moralisht

Në emër të futbollistëve foli sulmuesi Vedat Muriqi, i cili e falënderoi kryeministrin për mbështetjen e tij dhe shtoi:

Lexo po ashtu:  Të bëhesh ministër në Shqipëri është llotari...

“Na keni nderuar me këtë vizitë. Siç thatë edhe ju, ka qenë një natë e vështirë për ne, por besoj se kemi marrë një vendim të duhur ne si futbollistë dhe federata jonë. Jemi prekur emocionalisht dhe moralisht aty, për shkak të asaj kemi marrë vendim të mos dalim në fushë, duke e ditur se ju do të na përkrahni. Ju falënderoj në emër të lojtarëve për mbështetjen dhe çdo gjë që keni bërë për Republikën e Kosovës”.