Kryeministri Albin Kurti ka folur sot për kërkesën e vendeve të QUINT-it për zbatimin e vendimit për Manastirit të Deçanit, duke u zotuar se do të angazhohen për ruajtjen e të drejtave legjitime të Manastirit.

Kryeministri i vendit, pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, ku u mor vendimi për lehtësimin e masave anti-COVID, është pyetur edhe për kërkesën e QUINT-it për zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit.

“Çështja e pronësisë së tokave përreth Manastirit nuk ishte vendosur nga ndonjë gjykatë përkatëse dhe Gjykata Kushtetuese, besoj që nuk është dashur të marr vendim mbi një çështje pa u konsumuar të gjitha shkallët e tjera juridike. Manastirit i Deçanit siç e dimë të gjithë është pjesë e një mozaiku të pasur kulturor të Kosovës. Fatkeqësisht, Kisha Ortodokse Serbe është ajo që është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia si instrument politik kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Ne do të angazhohemi maksimalisht që të ruhen të drejtat legjitime të Manastirit, por edhe liderët fetarë të Manastirit ta bëjnë pjesën e tyreë duke kërkuar zgjidhje përmes dialogut e marrëveshjes me popullatën lokale dhe unë besoj që një gjë e tillë që është e mundur”, ka thënë ai, transmeton KP.

Lexo po ashtu:  Vuçiq në pritje të propozimit të Kosovës

Kurti edhe një herë ka përsëritur se është i gatshëm për të marrë pjesë në bisedime me palën serbe, kurdo që Brukseli e fton.

Ai u shpreh se janë të përkushtuar për dialog parimor drejt një marrëveshjeje që në qendër ka njohjen reciproke.

Sa i përket përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe tërheqjes së Ambasadës së Britanisë së Madhe nga procesi, ai tha se Kosova ka nevojë për një prokurori aktive.

“Nuk do të duhej që ne si përfaqësues të lartë të institucioneve dhe si zyrtarë të ekzekutivit të kontribuojmë në uljen e besueshmërisë së procesit. Duhet të presim për përzgjedhje të vendimit që do të merret. Na nevojitet një prokurori aktive e cila lufton krimet e organizuara, krimet e kryera gjatë luftës, korrupsionin, sidomos atë të lartë në mënyrë që shteti demokratik i Kosovës të bëhet shtet i së drejtës, në të cilin besojnë të gjithë qytetarët, sepse të gjithë pa dallim trajtohen në mënyrë të barabartë”, ka deklaruar ai.

Lexo po ashtu:  Lajmi i rremë për njohje nga Xhamajka, Konjufca paralajmëron masa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *