Antalia, 12 mars 2022

Në Forumin për Diplomaci në Antalia të Turqisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në panel diskutimi, si dhe zhvilloi disa takime bilaterale.

Ndryshimi politik ka nevojë për një lëvizje: një kauzë, një organizatë dhe një përpjekje, tha kryeministri Kurti në panelin e diskutimit me liderë, me temë “Përfaqësimi i ndryshimit”. Bashkë me Kryeministrin e Bullgarisë, Kiril Petkov, Presidentin e Guinea Bisaut, Umaro Sissoco Embaló dhe Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejčinović Burić, në këtë panel u bisedua mbi rininë, drejtësinë dhe punësimin.

Për invazionin rus në Ukrainë dhe implikimet e sigurisë për të gjithë Evropën u bisedua në takimin ndërmjet kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministrit të Letonisë, Artis Pabriks. Kryeministri Kurti e falënderoi për kontributin e Letonisë në KFOR dhe mbështetjen për agjendën e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ndërsa në takimet me Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, Përfaqësuesin e Lartë për Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt dhe Zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kryeministri Kurti theksoi se nuk duhet t’u dorëzohemi autokratëve askund, asnjëherë. Vetëm një botë e bashkuar, demokratike aktive do të ndalojë Putinin dhe do të parandalojë despotë të tjerë në të ardhmen, theksoi ai.

Lexo po ashtu:  Senatori Menendez pas takimit me presidenten: Partneriteti SHBA-Kosovë është i fortë si kurrë më parë

Në takimin me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák, kryeministri Kurti theksoi se sanksionet kundër Rusisë janë minimumi që mund të bëjmë. Kryeministri kërkoi më shumë vëmendje për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe që të mos injorohet lufta hibride në rajonin tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *