Prishtinë, 6 mars 2022

“Dëshmori është i përjetshëm e i pavdekshëm, që nuk mund të jetë në shërbim të dikujt që është i vdekshëm e i rëndomtë. Aty ku prodhohet e kultivohet dija, duhet studiuar e mësuar dëshmori. Përjetësia e pavdekësia e dëshmorit nga bronzi që shihet publikisht duhet të ngritet edhe në tekste që lexohen universalisht”, kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Akademinë përkujtimore në shënim të 24- vjetorit të Epopesë së UÇ​K-së.

Fillimisht, në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti kërkoi falje për përvjedhjen e një gabimi që i ndodhi gjatë seancës solemne të shtunën në Kuvend kur iu referua Besarta Jasharajt, si e bija e kryekomandantit Adem Jashari.

“Mirëpo, shtrohet pyetja, pse nuk e vërejta këtë gabim, teksa e lexoja tekstin. Ka mundësi që kjo është për shkak se shpeshherë më ngjan që të gjithë ne që jemi gjallë, jemi fëmijë të Kryekomandantit Adem Jashari dhe rënies së tij heroike”, u shpreh para shumë të pranishmëve kreu i Qeverisë.

Tutje, teksa vazhdoi fjalimin në Akademinë Përkujtimore në kuadër të Epopesë së UÇK-së, në nderim të gjithë heronjve, dëshmorëve dhe secilit që sakrifikoi jetën për liri, kryeministri Kurti veçoi se në secilën akademi përkujtimore, radhët e karrigeve janë mbushur me familje dëshmorësh.

“I përshëndes thellësisht që të gjithë e secilin. Por, shqetësimi im është se ne e dimë që dëshmorët nuk u përkasin familjeve, por kombit. Shkenca dhe letërsia jonë politike dhe historike duhet t’i integrojë këta dëshmorë, dhe jo t’ua lërë përkujtimin dhe përkujdesjen për dëshmorët familjeve të tyre”, u shpreh ai.

Kryeministri Kurti njoftoi për këtë nismë duke thënë se në kushtet e paqes, universalitetin e një kombi, detyrën e dëshmorëve në luftë, e merr universiteti dhe institucionet në paqe.

“Nga thellësia e ndjenjës, shpresoj se do kuptohem qartë e drejtë, nëse ju them se akademitë përkujtimore përveçse përkujtim, duhet të jenë edhe akademi të vërteta. Ata që e kishin kombin para familjes dhe lirinë para jetës, nuk duhet të jenë vetëm te përkujtimorja e familjes që jeton, por te institucionet e dijes së lirisë së kombit”, përfundoi fjalën e tij kreu i Qeverisë.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Fillimisht më lejoni t’ju kërkoj falje, që në tekstin e fjalimit të djeshëm në Kuvendin e Republikës, më është përvjedhur një gabim dhe kam thënë që Besarta është vajza e kryekomandantit Adem Jashari, në vend se të them e Hamëz Jasharit.

Mirëpo, shtrohet pyetja, pse nuk e vërejta këtë gabim, teksa e lexoja tekstin. Ka mundësi që kjo është për shkak se shpeshherë më ngjan që të gjithë ne që jemi gjallë, jemi fëmijë të Kryekomandantit Adem Jashari dhe rënies së tij heroike.

E nderuara Familje Jashari,
I dashuri Baca Rifat,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
E nderuara Presidente znj. Vjosa Osmani – Sadriu,
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës, z.Glauk Konjufca,
Të nderuar ministra të Qeverisë, deputetë të Parlamentit,
Të dashur qytetarë,
Të dashur gjeneralë të Ushtrisë sonë Cikaqi e Hazrolli,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të vendit tonë,

24 vite më parë, në orët e hershme të mëngjesit të 5 marsit, forca të shumta të ushtrisë e të policisë serbe, me tankse e me artileri, me mjete të blinduara, patën rrethuar shtëpitë e Jasharajve në Prekaz.

Lexo po ashtu:  SERBIA/ Ja fjalimi fashist i intelektualit serb, Gojko Gjogo. - Një popull pakëz i njohur, pjesëtarët e të cilit kishin bisht maceje ose qeni, dhie ose kali, dhe s’e dallonin sheqerin prej borës,...

Baca Shaban dhe Nëna Zahide, ishin nga 74 vjeç, daja Osman 54 vjeç, e deri te Kushtrimi 13 vjeç, Igballja 11 vjeç e Blerina, vajza e Hamzës, që ishte vetëm 7 vjeç, u sakrifikuan në luftë të pabarabartë e me guxim të pashembullt, për çlirim e për pavarësi, për liri e për bashkim për popullin e për kombin tonë.

Hamza luftoi bashkë me gruan e tij Feriden, Ademi bashkë me gruan e tij Adilen, e bashkëshortja e Bacës Rifat, Zarifja, u vra bashkë me vajzat e saj, Hidajeten, Valdeten e Igballen e me djalin Igballin.

Kur ka ngjarë Epopeja e UÇK-së, UÇK-ja e ka marrë hovin vendimtar për çlirimin e Kosovës.

Forcat e panumërta serbe mund të kenë menduar që e kanë fituar një betejë në Prekaz, mirëpo ata mbase edhe nuk e dinin, që porsa e humbën luftën në Kosovë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëhet e pranishme gjithandej Zonave Operative të saj dhe në të njëjtën kohë lartësimi, që përjetoi vetëdijesimi ndërkombëtar, ishte i pakthyeshëm.

Pra, ky emancipim ndërkombëtar ishte i pakthyeshëm, ashtu qysh hovi që mori UÇK-ja, u bë i pandalshëm.

E mbaj mend mirë që Epopeja e UÇK-së e 5, 6 e 7 marsit e vitit 1998, pat ndodhur në njërën anë pas dy sulmeve mbi Jasharajt, njëri në dhjetor të vitit 1991 e tjetri në janar të vitit 1998, por njëkohësisht pat ndodhur edhe mes dy demonstratave shumë të fuqishme në Prishtinë, asaj të 2 marsit 1998 dhe të 9 marsit 1998.

Demonstrata, që shpërthen në Prishtinë pas Epopesë së UÇK-së, është demonstrata më masive, që është mbajtur ndonjëherë, me parullën kryesore “Krejt Kosova UÇK”.

Pas Epopesë së UÇK-së, gjithashtu e mbaj vet mend mirë, se avancojnë qëndrimit e grupit të kontaktit dhe gjuha ndëshkuese ndaj Serbisë.

E gjithë kjo ishte në ndërtim e sipër të ndërhyrjes së NATO-s, e cila i bëri bashkë 19 shtete kundër Serbisë dhe Jugosllavisë së Millosheviqit.

Të nderuar të pranishëm,

Dëshmorët janë njerëzit, që i kanë vendosur përballë zgjidhjeve të ngutshme një vendim të përjetshëm. Ne nuk kemi shumë dëshmorë të çështjeve civile, ne kemi dëshmorë politikë. Ngutia për t’i reduktuar çështjet politike në çështje civile, e ka shtuar numrin e dëshmorëve tanë politikë.

Besoj se ju po e kuptoni shqetësimin tim në këtë akademi përkujtimore. Tema është lehtë e artikulueshme: duhet të kuptojmë dëshmorët në ligjërimin akademik. Duhet të ndërtojmë një histori të integruar. Dëshmorët tanë e kanë një specifikë: ata i shpëtojnë përvetësimit prej ideologjive, që i kanë kapluar këto trojet përgjatë historisë. Ata kanë qenë politikë, përkundër natyrës ideologjike a partiake të pushtimeve e të pushteteve, që janë ngritur mbi gjakun e tyre.

Në akademinë tonë, nëpër universitetet e institutet tona, duhet të kemi momentet e dëshmorëve dhe jo vetëm monumentet e dëshmorëve nëpër sheshet tona. Asisoj, dëshmorët do t’i shërbejnë semantikës sonë akademike, politike, historike dhe jo të vendosen në shërbim të karrierave personale. Dëshmori është i përjetshëm e i pavdekshëm, që nuk mund të jetë në shërbim të dikujt që është i vdekshëm e i rëndomtë. Aty ku prodhohet e kultivohet dija, duhet studiuar e mësuar dëshmori, në shkollat tona, në universitetet tona. Përjetësia e pavdekësia e dëshmorit nga bronzi që shihet publikisht, duhet të ngritet edhe në tekste që lexohen universalisht.

Lexo po ashtu:  Masa të reja në Kosovë, Vitia: Nga e hëna nuk lejohet hyrja në lokale pa certifikatën e vaksinimit

Duhet të kërkojmë, që vlerat dëshmore të integrohen në shoqërinë tonë. Si çdonjëri mes jush, sepse besoj se e ndaj një shqetësim të përhershëm me shumicën e shoqërisë sonë, po i shtroj disa pyetje mobilizuese me disa shtresa:

E para, si të gjenden dëshmorët dhe reflektimet e tyre, të cilët në shumë pak raste i njohëm në fjalën publike, si të gjenden pra dëshmorët personazhe të narrativës në shkencën historike?

Tjetra, si ta pajisim atë vendim radikal të tyre për të shkuar drejt aksionit politik pa garancinë e rezultatit, pa sigurinë e shpëtimit, pra si ta vendosim këtë segment intim mes vetes dhe publikes në narrativën historike. Sepse, jo dëshmorët, por ne kemi nevojë absolute për ta përkthyer aktin në fjalë, për të vendosur në të njëjtin rend relativen e jetës me absolutin e dhënies së jetës?

E treta. Si të ndërtohet ajo sjellje e shkencës politike dhe historike ku një dëshmor ndërton një perspektivë për një dëshmor tjetër, ku dëshmorët tregojnë dialektikën e zhvillimeve historike dhe gjeo-politike të kombit tonë?

Dhe së fundmi, si të mendohet në një letërsi ku ndërtohet situata me dendësinë e marrëdhënieve njerëzore e shoqërore në të, para dhe pas dëshmorit, që pikërisht për shkak të dëshmorit vlerësohet edhe më ndryshe përveç se ndryshimit të shkaktuar?

Ngaqë duhet të konstatojmë se dëshmorët tanë kanë mbetur ende përgjithësisht në oda dhe përkujtime, pa qenë ritmi i soditjes filozofike në universitetet tona.

Shqetësimi im pra mund të thuhet ndryshe: si ka mundësi që jeta universitare e ndjen veten pothuajse të pavarur nga regjistrimi i saj mbi çlirimtarët. Pra, ne, edhe pse mendojmë se jemi shoqëri sovrane nuk kemi ndërtuar ende universitetin sovran dhe institucionet sovrane të dijes, e as atë pjesë të shkencës që është domosdoshmërisht sovrane. Pa këtë natyrë sovrane të dijes universitare, rrezikojmë që të vijojmë në të njëjtën mangësi thelbësore të akademive, ku universaliteti i dijes që i përket universitetit do të vazhdojë të jetë përgjithësisht bosh. Në universitet ne kemi dije të aplikuara dhe të sakta, natyrore dhe shoqërore. Por, ekziston natyrshëm, në synimet dhe funksionet e një universiteti, një ndarje tjetër: ajo mes dijeve shtetndërtuese teknokratike, dhe, ndarja e dijeve shtetndërtuese që vijnë prej fakulteteve, të cilët kanë të bëjnë drejtpërdrejt me trashëgiminë shpirtërore. Kjo e dyta është më shumë përgjegjësi e shtetit sesa e para.

Sigurisht që është një detyrë për shumë njerëz, për shumë profile të studimit dhe të akademive. Profesorët e shkencave humane, filozofi, politikë, psikologji, e sidomos letërsi dhe histori, janë punonjësit më publikë të shtetit e të kombit. Andaj, ata duhet të marrin përsipër nxjerrjen në pah, në formë ligjërimi e fraze të folur e të shkruar, të një qëllimi që, në më shumë se një shekull, i shtyu shumë shqiptarë të shkojnë luftëtarë e të kthehen dëshmorë.

Lexo po ashtu:  Është viti 1949 - Esad Mekuli i kushton femrës këtë poezi të fuqishme

Sot e përditë, ne shprehim admirimin e solidaritetin, i thurim lavde popullit dhe rezistencës së Ukrainës, kundër imperializmit rus, dhe presidentit despotik të saj, i cili lansoi agresionin dhe invazionin. Mirëpo, nuk duhet të harrojmë, se para më pak se çerek shekulli, shqiptari është bërë dëshmor në kushtet e mos-ekzistencës së shtetit dhe të ushtrisë shtetërore. Jasharajt vendoseshin personalisht para pushtimit dhe agresionit. Luftonin deri në frymën e fundit pa ushtri shteti e për liri populli. E kjo duhet të trajtohet në akademinë tonë, në universitetet tona, në institucionet tona të dijes. Jo vetëm në monumente bronzi, por edhe në tekste të përjetshme, ashtu siç kanë qenë e do të jenë gjithmonë dëshmorët tonë.

Kërkohet pra të integrohet një historiografi që na tregon bindshëm se ekziston një perspektivë që e thërret njeriun në një nismë që ka zënë fill përpara vetë individit. Dhe kjo kërkon zell e stil të ri mendimi dhe shkrimi. E për këto, kërkohet një dije e gjerë dhe e stërholluar e gjendjeve të shkrimtarisë botërore, sidomos për situatat e ngjashme të luftërave çlirimtare. Dëshmorët tanë u ngjajnë dëshmorëve më sublimë të historisë botërore. Por nuk është e thënë që studiuesit tanë t’u ngjajnë studiuesve më sublim të teorisë botërore. Vetëm se është dëm që shteti e shoqëria jonë të mos përfitojnë edhe më shumë nga dëshmorët, ashtu siç është dëm që nga dëshmorët tanë të mos përfitojë edhe bota mbarë, sepse janë të jashtëzakonshëm jo vetëm për neve, për mbarë botën.

Të nderuar të pranishëm,

Në secilën akademi përkujtimore, radhët e karrigeve janë të mbushura me familje të dëshmorëve. I përshëndes thellësisht të gjithë dhe secilin. Por, brenga ime është se ne e dimë, të gjithë ne, secili prej nesh e dimë që dëshmorët nuk u përkasin familjeve, por kombit. Shkenca dhe letërsia jonë politike dhe historike duhet t’i integrojë këta dëshmorë, dhe jo t’ua lë përkujtimin dhe përkujdesjen për dëshmorët familjeve të tyre. Dëshmorët lëvizën nga të qenit pjesëtarë familjesh, në veprues të kombit. Shkencat historike dhe politike, filozofia dhe letërsia nuk duhet t’i shërbejnë më karrierave as personale, as familjarëve, po vetëm kombit e shtetit. Pra, me këtë fjalë, dua vetëm të njoftojë një nismë: në kushtet e paqes, universalitetin e një kombi, detyrën e dëshmorëve në luftë, e merr universiteti dhe institucionet në paqe. Nga thellësia e ndjenjës, shpresoj se do kuptohem qartë e drejtë, nëse ju them se akademitë përkujtimore përveçse përkujtim, duhet të jenë edhe akademi të vërteta. Ata që e kishin kombin para familjes dhe lirinë para jetës, nuk duhet të jenë vetëm te përkujtimorja e familjes që jeton, por te institucionet e dijes së lirisë së kombit.

Lavdi kryekomandantit Adem Jashari dhe të gjithë Jasharjave!

E ju faleminderit të gjithë juve!

Burimi:kryeministri.rks-gov.net

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *